SHKRIMTARJA E MIRËNJOHUR BRUNILDA ZLLAMI PROMOVOI ROMANIN E SAJ TË RI “AVA”

0
Shkrimtarja e mirënjohur Brunilda Zllami promovoi romanin e saj të ri me titull “Ava”., botim i Shtëpisë Botuese “Dudaj.” Veprimtaria u mbajt në librarinë “Babel” tek Piramida në Tiranë, më 12 dhjetor 2024, ora 18.00.
Morën pjesë shkrimtarë, poetë, studiues të letërsisë, profesorë universiteti si dhe lexues të librave të saj në vite.
Veprimtaria e zhvilluar në ambjentet elegante të librarisë “Babel” ishte konceptuar nga botuesja Arlinda Dudaj si një bashkëbisedim me shkrimtaren e famshme të prozes së gjatë Brunilda Zllami.
Shkrimtarë, poetë dhe gazetarë të pranishëm patën rast për ta pyetur shkrimtaren rreth romanit të saj të ri, mënyrën e punës së saj në atë që quhet laboratory krijues i shkrimtares, si shkruante, si i koncepotonte librat e rij, koha që i dedikonte për përfundimin e një romani si dhe sa ndikim ka puna e saj si mjeke e njohur tek subjektetet, përsonazhet dhe ngjarjet që zhvillohen në roman.
Shkrimtarja ju përgjigj në mënyrë fantastike çdo pyetjeje duke befasuar shpesh herë të pranishmit me shumë detaje nga procesi i saj krijues, që i bëri publike për hereë të parë në këtë bashkëbisedim.
Prof. Mentor Tereska, prof. Mentor Metrela, prof. Jera Kruja, dr. Mujë Buçpapaj, prof. Anila Mullai etj, e vlerësuan prozën e Brunlida Zllamit si origjinale, plot vlera estetike dhe me ndikimin në prozën bashkëkohore shqiptare.
Ata thanë se shkrimtarja Brunlida Zllami me 23 romanet e saj, është një nga përfaqësueset më dinjitoze të prozës shqiptare dhe një autore që po udhëheq brezin e saj krijues drejt majave të prozës tonë.
Ne fund shkrimtarja shpërndau autografe për të pranishmit e shumtë si dhe dha një koktej me verë për ta, duke vijuar edhe më tej bashkëbisedimin me lexuesit e saj.
ROMANI “AVA” I ROMANCIERES BRUNILDA ZLLAMI, ËSHTË NJË THRILLER PSIKOLOGJIK, I SHKRUAR MJESHTËRISHT
Nga Mira Meksi
Sapo mbarova se lexuari romanin e porsadale ne qarkullim , “Ava” te romancieres Brunilda Zllami. Eshte nje thriller psikologjik, mjeshterisht i shkruar dhe me nje gjuhe teper te pasur, i rralle ne letrat shqipe per zhbirimin e psikes njerezore ne nje nivel kaq te larte, me nje suspens policesk qe e ben lexuesin te mbaje frymen gjer ne faqen e fundit te librit. Ngjarjet vendosen ne Shqiperi, personazhet, ngjarjet,plaget, dashurite, aventurat jane shqiptare, por romani i tejkalon kufijte e nje vendi te vetem, sepse analizon ne imtesite me te holla Fatin e njeriut. Ne gjykimin tim, ky eshte romani me i mire i shkruar nga kjo autore, e cila ka patur nje numer te konsiderueshem lexuesish per secilin nga 22 romanet e saj. Ju sugjeroj bujarisht qe ta lexoni!
ME “AVËN”, U DASHURUAM ME SHIKIM TË PARË
Nga Ambra Hysa
E kisha pyetur disa herë autoren për të, dhe në takimin tonë, ajo erdhi ashtu siç e kisha imagjinuar.
Më shumë se një siluetë e bukur– duke shpalosur të vërtetat e heshtura që shpesh shmangen nga shikimi ynë i zakonshëm. Buzët e saj të kuqe, të theksuara, në një botë gri, simbol i kontrastit mes shpirtit të zjarrtë dhe errësirës që e rrethon. Ava, nuk është thjesht një personazh, por dilema e pasioneve dhe sekreteve që mbart çdo grua.
Brunilda Zllami ka krijuar një libër që nuk lexon thjesht mendjen, por prek pjesët më të fshehta të psikikës njerëzore dhe tundon, lidhur me gjithçka që mbetet e pathënë.
Buzët e kuqe, sytë e mbyllur, klithma e saj e heshtur, rebelimi ndaj një realiteti që i vishet ngushtë dhe provokon pyetje që shpesh kemi frikë t’ia bëjmë vetes.
“Ava” nuk është një grua e thjeshtë – është pasqyrimi i të gjitha gjëndjeve tona.
Sytë janë të saj, shikimi është i Avës, por e jona, është dëshira që ti ngjajmë.
Kur orët kalojnë, dhe ti je zhytur në magjinë e saj, nuk dëshiron të shkëputesh, por të ia nisësh edhe një herë nga fillimi.
Edhe pse e di, se në fshehtësi, do ia ruash energjinë, dhe ajo, nuk do të mund të ikë asgjëkundi…
KUR XHA LIKJA MORI ” LIKE”
Nga BRUNILDA ZLLAMI
Xha Likja kishte qënë dikur një burrë i sertë e punëtor, i heshtur e vrenjtur si malet ku kaloi shumicën e jetës. Në përditshmërinë që s’ishte aq e qetë sa ngjante, ai nuk dinte të mendonte gjatë për ato që kishin kaluar, thua se jeta e tij ishte një e tashme pa fund. Në të rrallë, kur zihej ngushtë kujtonte ndonjë nga këshillat e të atit, të cilat i ruante me një lloj fanatizmi të sëmurë në dhomëzat e pakëta të kujtesës, ku ato fjalë ishin të renditura në sëndukë të drunjtë si ato të pajës që kishte sjellë e shoqja kur ishin martuar. Kujtimet e tjera ishin të shpërhapura pa rregull, si të korrat që mbanin në qilar, ku mungesa e tyre dallohej vetëm kur mbaroheshin. Në disa dhomëza të vogla pa dritare Xha Likja kishte edhe pak kujtime të bukura, si lindja e djemve që e kishte gëzuar thellësisht me një lumturi që ishte e barazueshme me atë të lindjes se qingjave në pranverë. Në ato momente të rralla ku prania e njerëzve s’e kishte bezdisur, ai madje kishte guxuar t’i hidhte një vështrim të përmballshëm gruas lehonë që i ngjante me ato delet bardhoshe me sy të lëngëzuar. Dikush mund të habitet me xha Liken dhe të mendojë se ndjenjat e tij kishin diçka të panatyrshme me bashkërendimet që bënte mendja e tij, por kjo ishte forma më e madhe e dashurisë që kishte mësuar në jetë.Revista Fjala - logo
E ëma e kishte lindur në stan, një vjeshtë të vonë ku era fishkëllente mes të çarave të gurëve të ashpër e tufave të pabindura të barit të thatë që ishin ngjeshur dhunshëm në ato vrima që ngjanin me gojë të paushqyera të fëmijëve që gjallonin në të njëjtën strehë. Thonë që kur kishte lindur, të ëmës së lodhur nga dhimbjet e lindjes i kishte rënë në tokë, mbi thëngjillin e ndezur të zjarrit të pakët që po shuhej, duke e shënjuar me një shenjë mbi vetullën e majtë që i kishte përzhitur ato qimëza të vogla pushi që më vonë duhet t’i jepnin hijen e rëndë të një burri, siç kishte ndodhur me burrat e fisit të tyre. Por i shënjuar që ditën e parë të jetës, ai s’do ishte ndonjëherë në rradhën e atyre që do mbanin mbi supe barrën e rëndë të emrit të familjes. “Eh mor Like” – i kishte thënë i ati kur e kishte marrë në krahë atë qënie ngjyrë violë që mezi merrte frymë, e qante me zë të çjerrë si një plak në fund të jetës. – Mirë që nuk të mori syrin, vetullat nuk i prishin punë një burri”. Po, s’kishte qënë aspak e vërtetë. E ëma tek i fliste në të rrallë, para se ta merrte gjumi pranë oxhakut ku bujtnin ai dhe macja me një sy e shtëpisë, i rrëfente duke u përgjumur që dimri i parë i jetës kishte qënë i vështirë për të. Gratë e fisit mendonin se s’do jetonte, burrat nuk i thërrisnin as me emër, sepse as emrin s’duhet ta harxhonin me të, ndërsa fëmijëve iu ngjante me një shtrigan që ua fuste frikën në palcë. Po xha Likja mbijetoi atë dimër të parë siç do mbijetonte dhe shumë të tjerë, me kthetrat e ngulura fort në xhubletën e jetës duke u kapërthyer në erërat e forta që mundoheshin të çirrnin e ta brengosnin, ta rrëzonin e ta hidhnin në humbëtirën ku s’kishte më kthim.

KETU MUND TE ISHTE EDHE REKLAMA JUAJ
Vitet e para të jetës nuk i mbante mend, e kush i mban, por sipas atyre që dëgjonte, e kalonte më të shumtën e kohës me delet kur ktheheshin nga kullotat, madje shpesh e zinte gjumi në vathë. Askush s’kujtohej për të edhe kur mungonte në shtëpinë e madhe që gëlonte nga aq shumë frymë sa njeriu me shenjën e shtriganit ishte një mungesë që çuditërisht iu vinte për shtat. Kishte qënë vetëm gjashtë vjeç kur i ati e kishte marrë me vete një verë në kullota e që atëherë rrallë kthehej në shtëpi. Delet, ato bardhoshet me sy të mëdhenj e të lëngëzuar ishin të vetmet që e donin pa kushte, pa i vënë re shënjën në ballë. Ato i bindeshin pa fjalë dhe e ngushëllonin kur ishte i vetmuar me blegërimat e tyre që ai i njihte si një gjuhë që askush tjetër nuk e kuptonte. Vitet kaluan pa u ndier dhe xha Likja, ai fëmija i hajthëm e i shëmtuar sipas përshkrimeve të fisit, u bë bariu më i mirë i zonës. Delet e tij ishin më të shëndetshmet, më të hijshmet e më prodhimtaret. Ai iu fliste si njerëz, i përkëdhelte si fëmijë dhe pa droje i donte shumë më tepër se ata me të cilët i lidhte një gjak. Pak nga pak i mbarshtoi me durim pa menduar aspak se puna e tij do ishte thjesht fitim për familjen gojët e të cilëve nuk ngopeshin kurrë. Tek mbushi moshën e pjekurisë, ishte bërë një djalosh me trup të lidhur e këmbë të shpejta, vështrim të heshtur e fjalë të pakëta. Kur mbidheshin në dasma e vaki i shtrënguar nga presioni i të atit, ai ulej në fund të rradhës së burrave, fliste rrallë, vetëm kur e detyronin dhe mezi priste të ikte te delet e tij që i kuptonte më shumë se ata njerëz. Por në një nga këto vaki, ku njerëzia kuiste për të vdekurit e më pas lëshoheshin në një të ngrënë barbare të deleve të tij të mjera, i ati i kishte thënë se e kishte fejuar me një vajzë të mirë sipas tij dhe kishte shtuar mes dhëmbëve të krisur e të verdhemë “ Mirë që pranuan, se kështu siç je do mbeteshe vetëm në pyll me delet”.
Xha Likja, të cilit s’i kishte kërkuar njeri mendim për fejesën, do kishte dashur të mbetej ashtu siç ishte, në pyll me delet, por nga frika se do ia merrnin dhe ato kishte pranuar i brengosur, çoroditur e pa fjalë të martohej me atë vajzën e hollë e të zbehtë që s’kishte shkëlqimin e syve të deleve as aftësinë e tyre për të treguar dashuri. Ajo ishte si memece, e ngurtë dhe e hutuar po ashtu si ai kur u puqën natën e parë të martesës. Po thonë se njeriu lind me disa instikte dhe xha Likja, nuk u inatos kur ndjeu lëkurën e saj të ngrohtë pas të tijës duke imituar ritualin kafshëror me një formë njerëzore që as blegërinte. Dhe në këto takime të rralla, dimrave të vonë, lindën pesë fëmijë, që për hir të vërtetës qëlluan të hijshëm të papërzhitur nga thëngjijtë e pashuar. Dhe as i deshi as e deshën këta fëmijë që ndryshe nga qingjat kishin gjakun e tij. Kishte dimra që ai i kalonte pa dashur të kthehej në shtëpi, e vera që s’dukej as për të marrë harxhe. Kishte pranvera që i priste në kasollen e mbuluar nga lulet e egra e vjeshta që numëronte gjethet që binin në vathë. Xha Likja s’kujtohej për të shoqen kur ishte në male me delet. As kur mbyllte sytë natën i vetmuar pranë zjarrit që kërciste s’kishte as ndjesinë më të vogël për t’u ndjellur nga trupi i saj. Sytë e tij mbërtheheshin në gjinjtë e Bardhoshes, deles më të mirë të tufës, që ashtu të mbushura me qumësht ishin më joshëse se ato të gruas së tij që vareshin si lëkurë e zhuritur në diell. E të nesërmen kur ajo mbushte plot kovën e vogël që kishte marrë një ngjyrë të papërcaktuar ndër vite, i fërkonte ballin dhe puliste kokën te sytë e saj të mëdhenj e me dritë.

MOS HARRONI EDHE JU KESHTU DO MUND TE REKLAMOHE NI
Gruaja dhe Bardhoshja dhanë shpirt atë dimër të fundit, përpara se fëmijët të largoheshin ca në shkollë dhe ca në kurbet. Në varrimin e të shoqes ai vuri një kapele të madhe që i mbuloi vragën, e ndoqi vargun mortor në heshtje, ndërsa Bardhoshen e varrosi vetë, duke larguar ato pak flokë të thinjur që i lëpinin vragën e fshirë me cepin e palltos së grisur sytë që iu mbushën me lot që iu derdhën si rrëke e kripur përgjatë atyre ulluqeve të ashpra të lëkurës të gdhendura nga moti i ftohtë, era e ashpër e dielli i verës. E ndonëse mungesën e të shoqes e ndjeu që në ditët e para ku nuk gjente as si të sillej në atë shtëpi tashmë të huaj pa të, mungesën e Bardhoshes e qante me lot të thatë çdo herë që dilte me delet mëngjeseve e kthehej darkave. Pak nga pak, ai fis i madh frymorësh u tjerr në pak pleq që vdiqën njëri pas tjetrit në një grip ndryshe nga të tjerët atë fillim pranvere, duke e lënë të vetmin që mbijetoi për të mbajtur hapur derën e shtëpisë. I thanë xha Likes të martohej me një nga ato pak vejusha që kishin mbetur në fshat, por ai tundte kokën dhe iu largohej si qoftëlargut atyre grave që i dukeshin si të vdekura të pakallura me kokën mbuluar me shami të errëta e sytë e shyer nga lemeria. Në vetvete mendonte se ishte mirë me jetën që njihte. Për të vdekjet s’kishin ndryshuar asgjë. Ai ishte me delet e tija, të vetmet qënie që e donin ashtu siç ishte dhe të pakëtat që i kishin ngjallur ndjenja këtij burri mosha e të cilit s’përcaktohej dot tashmë. Xha Likja në sytë e atyre që e njihnin kishte lindur ashtu një fantazmë që duhet të endej në pyje, një i pakallur që ende s’kishte një varr. Por ai s’ kishte nevojë për njerëzit dhe s’do të provonte asnjë ndjenjë për ta që do krahasohej me ato që provonte për delet, ose të paktën kështu besonte…
Kishte qënë e dhimbshme për xha Liken ajo ditë kur pasi kishte ndjekur për orë të tëra një dele që ishte nisur në shtregun që të çonte në humnerë, ishte rrëzuar duke thyer çapokun dhe pesë brinjë që e bënë frymëmarrjen e tij më të imët se ç’kishte qënë. Djali i madh, ishte detyruar të kthehej nga emigrimi kur e kishin lajmëruar se plaku dergjej në spital, i vetëm dhe i nxehur me gjithkënd që i afrohej. Ishin dashur shumë ditë e netë të gjata për t’a bindur të largohej nga fshati dhe dita kur kishte pushtuar një nga një delet me krahëve kishte qënë më e zorshmja që kishte jetuar ndoshta që nga dita kur thëngjilli e kishte djegur sa kishte ardhur në këtë botë. Po trupi i xha Likes kishte vendosur të jetonte dhe për pak kohë. I burgosur në shtëpinë e ftohtë të qytetit, i detyruar të shikonte me orë të tëra zonjën që gatuante e pastronte shtëpinë, ai e ndiente se po vdiste nga marazi ditë pas dite. Kjo deri atë pasdite, kur teksa po dremiste në oborrin e pallatit vuri re atë mezogrua që gati po binte nga ballkoni me një telefon në dorë që e vërtiste rreth vetes thua se po bënte magji. Me buzët që përvisheshin në një buzëqeshje të pakuptimtë , gjoksin që mezi mbahej në këmishën e ngushtë e flokët që ia merrte era, xha Likes i ngjau me Bardhoshen e tij që përvishte ashtu buzët kur përballej me ndonjë rrezik, një shteg të ngushtë, apo një gjarpër që i kishte zënë rrugën. Sytë iu lëngëzuan kur mendoi për Bardhoshen e tij, gjinjtë me qumësht të së cilës ishin si të kësaj gruaje që i kishte shtypur e ngritur në gjimbajtëset e kuqe që i krijuan emocione plakut me vragë në ballë . E nuk kaloi shumë kur vëmendja e tij u përqëndrua e tëra në ditënetët e kësaj gruaje që gjithnjë i buzëqeshte një telefoni sikur ai të kishte jetë brenda tij. Që pa gdhirë, ai hante mëngjesin, pinte ilaçet e dilte në oborr ku mezi priste që ajo të shfaqej me telefonin në dorë duke folur e qeshur me atë si të ishte njeri. Një ditë, kur ajo ishte krejt afër tij sa mund të dehej me aromën e parfumit, ai gjeti guximin të shqiptonte disa fjalë që s’kishte mundur t’ia drejtonte dikujt në gjithë këto vite. Ishte një përshëndetje e thjeshtë që i tërhoqi vëmendjen zonjës, që pasi e vështroi me sytë e mëdhenj që ishin krejt si të Bardhoshes, por të hijezuar rëndë me laps të zi, e gjoksi që i ishte dukur ishte si i saji ishte i rrjepur nga dielli, i varur e pa qumësht. Po xha Likja, e pranoi me një lloj kënaqësie të paprovuar buzëqeshjen e saj dhe provoi për herë të parë shkrepjen e atij objekti pa jetë që e ktheu në një foto ku pamjes së tij të hutuar i shtohej vraga e errët ku qimet e vetullave mungonin. Gruaja nuk e kishte përçmuar, përkundrazi e kishte ftuar të ishte pranë saj në atë formë të pajetë e të përjetshme që quhej fotografi.
Punonjësja e shtëpisë, që kishte vënë re prej kohësh interesin e habitshëm të xha Likes për gruan që thuajse jetonte në rrjetet sociale, e kishte mësuar se si ta ndiqte pa qënë i detyruar të dilte pa zbardhur për ta pritur. Xha Likja kishte kaluar ditë të tëra i mrekulluar nga ajo pajisje që i tregonte gruan me sy si Bardhoshja që shfaqte veten në çdo kënd të mundshëm e sado që nuk kuptonte mirë ato që shkruheshin shtypte sa herë shikonte fjalën “like”. I vetmi emër që kishte mësuar të shkruante, ishte emri i tij. Ai s’mërzitej se s’dinte të lexonte se çfarë shkruante ajo, mjaftohej që për gjë që shkruante vinte një foto të veten, herë me kostum, herë me rroba shtëpie, herë me macen qimeshkurtër herë, herë me qenin që ngjante si mace. Xha Likja i kalonte ditët me atë objekt të vogël që rrallë tingëllonte nga i biri, duke ndjekur gruan që i kujtonte të vetmen që kishte dashur aq shumë, Bardhoshen e tij. Ndonjëherë punonësja e shtëpisë i lexonte disa paragrafë nga ato që shkruheshin, por këto nuk zgjonin asgjë te xha Likja. S’i interesonin fjalët e saj për artin, politikën, sportin, stilin e jetesës… Xha Likja ndiqte imazhin e saj me një besnikëri të patjetërsueshme dhe shtypte “like” sa herë e shikonte. Netët ishin mbushura me ëndrrat me korijet e shtigjet mprehta nga ku ku arrinte të vështronte vargun e bardhë të deleve që kullosnin e ditët me fotot e gruas që s’kishin të sosur. Ajo ishte kthyer në të vetmin motiv që e zgjonte mëngjesevee kohëzënësen e ditëve të zymta të qytetit. E ndiqte me fanatizëm pa mundur të inatosej me të as kur buzët e saj u frynë sikur ta kishte pickuar bleta, kur vetullat iu bënë më të zeza se vraga që kishte vetë dhe kur gjoksi i shpërtheu si frut i plotë, por që çuditërisht nuk kishte ato vijëzimet pulsuese si Bardhoshja kur kishte qumësht. Po xha Likja , vazhdoi me besnikëri t’i bënte “like” e kur e takonte në të rrallë në shkallë merrte ndonjë përshëndetje të ëmbël prej saj që e bënte të fërgëllonte nga gëzimi gjithë ditën.

FJALA PER JU
Kishte qënë ditë krejt e zakonshme si të tjerat kur ai po shijonte fotografinë e gruas që gjysëm e zhveshur në disa rrobëza të holla ishte kapërthyer pas një shkëmbi buzë detit që e kishte bërë zemrën e tij të rrihte fort. Gishtat e saj ishin ngjeshur fort për t’u mbajtur pas gurit, e gjoksi shtypej pa u shformuar si diçka e ngurtë dhe pa jetë. Në sytë e saj lexohej frika si e Bardhoshes kur haste ndonjë gjapër që i priste rrugën e buzët e shpërveshura tingëllonin me blegërimin e saj. Me gishtin që i dridhej donte të shtypte “like”, por zemra e atij njeriu që kishte duruar dimra të gjatë e vera të shkurtra, e kishte lënë pa prekur për herë të fundit emrin e vetëm që dinte të lexonte e shkruante. I endur në një fluturim rrëgjethës në vende që s’i dinte në ato pak momente kur shpirti prek të jetuarën, ai pa vetëm sytë e mëdhenj të lëngështuar të kafshëzës që e kishte dashur më shumë se gjithë tokësorët. “Ah, moj Bardhoshe!” – tha me vete përpara se kujtimet të vaniteshin dhe bashkë me të Bardhoshja me gjinj plot qumësht e vështrimin e lëngështuar nga malli.

KETU MUND TE ISHTE DHE REKLAMA JUJAJ
Të nesërmen gruaja e fotografive, tek vështronte trupin e pajetë të xha Likes tek dilte me një arkivol të thjeshtë, pa lot, pa zhumë dhe e prekur postoi fotografinë që kishin bërë bashkë. “Lamtumirë xha Like!” , shkroi ajo. Dhe pak më vonë postoi veten me macen e saj qimeshkurtër tek shijonin ngrohtësinë e oxhakut.
Kjo ishte dita kur xha Likja mori të vetmet “like”. Aq shumë “like”…!
Por për Xha Liken që s’frymonte më në këtë botë tashmë kishte vetëm një Like, atë të gdhendur mbi gurin e varrit!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.