Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike!
E ndiej detyrim moral të shpjegoj qëndrimin tim mbi situatën e krijuar në shtëpinë e demokratëve!
Ne sot si opozitë duhet të ishim të fortë dhe të bashkuar ndaj arrogancës dhe keqqeverisjes së kësaj mazhorance të korruptuar që e ka çuar vendin në një krizë ekonomike gjithnjë e në rritje.
Fatkeqësisht sot PD-ja ndodhet përpara situatës më të vështirë të krijuar ndonjëherë që nga themelimi i saj si partia e parë pluraliste e Shqipërisë. E ndarë në dy kampe, me një hendek të madh mes tyre, demokratët natyrshëm janë të shqetësuar mbi fatin e Partisë Demokratike.
Gjatë këtyre ditëve të fundit kam ndërmarrë nismën për t’u takuar me të dyja palët në interes të zgjidhjes së situatës. Qëndrimi im ndaj situatës së krijuar është një dhe vetëm një: “Bashkimi i Partisë Demokratike dhe rikthimi i saj në forcën më të madhe opozitare, shpresëdhënëse për Shqipërinë dhe shqiptarët!”
Unë e kam shprehur përpara çdo demokrati se jam dhe do të mbetem deputet i Partisë Demokratike dhe përfaqësues i malësorëve. Shpreh angazhimin tim të plotë në lobimin fuqishëm për atë që më është besuar. Nuk do jem asnjëherë pjesë e individëve, por përfaqësues i atyre që më kanë votëbesuar.
Prandaj, si deputet shpreh vullnetin tim të jem një ndër nismëtarët e bashkimit sa më parë të PD-së në Malësinë e Madhe në një proces gjithëpërfshirës.
Ftoj anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike të bashkohemi rreth vlerave dhe idealeve tona të përbashkëta. Të qëndrojmë larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, pasi armiku ynë i përbashkët është keqqeverisja e Edi Ramës!
Të bashkuar fitojmë!
Fundjavë të mbarë,
Ramadan Likaj