Qytetarët e Shkodrës letër ambasadave: Presion ndaj Valdrin Pjetrit

0

Një grup përfaqësues i qytetarëve të Shkodrës i janë drejtuar me një letër ambasadës amerikane në Tiranë, asaj të BE-së dhe të Italisë, ku kanë kërkuar që të ushtrojnë presion ndaj qeverisë që Valdrin Pjetri të mos kostituohet si kryebashkiak i Shkodrës.

Në letër shkruhet se Pjetri nuk duhet të marrë postin e kryetarit të bashkisë deri në momentin që shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat e ngritura ndaj tij.

Më herët opozita është shprehur se Valdrin Pjetri i cili u zgjodh në krye të bashkisë së Shkodrës nga zgjedhjet e 30 qershorit, rezulton i dënuar në Itali.

Letra e plotë:

Me konsideratë të lartë, ne një grup përfaqësues i qytetarëve të Shkodrës Ju drejtohemi lidhur me situatën e pazakontë që po kalon qyteti ynë para dhe pas votimeve të 30 qershorit!

Në një kohë kur pushteti dhe shteti në Shqipëri sot janë e njëjta gjë, kur institucionet e drejtësisë mungojnë, kur ata që duhej të përmbushnin garancitë e një procesi zgjedhor demokratik janë shndërruar në vegla politike, ne na vjen ndermend vargu i poetit kombëtar Naim Frasheri që thoshte “dielli për shqiptarët lind nga perëndon“!

E vetmja shpresë sot për shqiptarët e cfilitur, të vjedhur, të mashtruar, mbeten SHBA-të, dhe Europa demokratike! Qyteti ynë ka sakrifikuar shume në perpjekjet e tij kundër tiranisë ndoshta më shumë se çdo i ngjashëm i tij në Europën Lindore, me qindra martirë e dëshmorë të Lirisë, mijëra të internuar e të persekutuar!

Shkodra është simbol i rezistencës për demokraci në vitin 1944 si dhe në vitin 1990! Por edhe sot me gjasë, barra po i bie asaj për të mbrojtur shenjtërinë e votës së lirë dhe të demokracisë!

Me 30 qershor në Shkoder nuk pati zgjedhje por votime nga më të turpshmet e të paimagjinueshmet! Megjithatë kaq e madhe ishte diferenca ndërmjet vullnetit qytetar dhe rezultatit, saqë kandidati monist mori vetëm 6% të votave të njerëzve të administratës, te të joshurëve dhe të kërcënuarve!

Tashmë prej disa ditësh, krerët e Opozitës dhe mediat, kanë akuzuar zotin Valdrin Pjetri për mashtrim në deklarimet e tij lidhur formularin e dekriminalizimit të depozituar në KQZ si kandidat! Sipas këtyre akuzave, zoti Pjetri ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga organet e drejtësisë italiane! Ai nuk e ka përgënjeshtruar këtë akuzë në asnjë moment! Kryeministri po hesht siç ka bërë edhe më parë me të tjerë kryebashkiakë të tij, subjekte të ligjit të dekriminalizimit, duke i marrë në mbrojte politikisht! Ai ka hequr dorë prej tyre pas disa  vitesh, kur provat janë, konfirmuar totalisht dhe presioni publik ka qenë shumë i fortë!

Të nderuar ambasadorë,

Ne kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos kostituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj zotit Valdrin Pjetri! Kështu ndihmojmë edhe vetë zotin Pjetri sot, për të mos e shpallur “non grata” në Bashkinë e Shkodrës nesër.

Pezullimi i këtij kostituimi, është më i lehtë dhe demokratik se sa njolla e rëndë që mund ti vihet qytetit antikomunist, nëse zoti Valdrin Pjetri konfirmohet si shkelës e dhunues i ligjit e gënjeshtar nga pikëpamja e etikës civile! Mbetemi me shpresë që kërkesa jonë do të merret në konsideratë!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.