PRENDA (Perendesha ilire e bukurisë dhe dashurise)

0
306
Prëlë Milani  No photo description available.
O zonjë e bukurisë
flakë, shkëlqim rrezëdhitës
perëndeshë e dashurisë
simotra e Afërditës.
Perri fytyrë hyjnore
argjend, are e pekule
shtat hedhura madhështore
ore ilire fatlume .
Diellit kush i dha dritë
Prenda dritë magjepstare
kaçurrele flokë florinjtë
hireplotja vegimtare
Fllad pranvere ç’ëmbëlsi
kur shkëlqejnë në kopsht lulet
perëndesha derdh florinj
dashuri dhuron nga buzët.
Në pyllin për mbi dafina
bilbili me maraz këndo,
ligjëro gurra gurgullima
Prenda, puthe e dashuro .
Kur dimri me stuhi acare
lumë e bregu kallkan ngri
Me ato hire, me plot zjarre
ti fale jetë dhe mirësi.
Perëndeshë plot bukuri
e buzëqeshur dhe mes dhimbjes
për mbi vdekjen që ndjellë zi
ti mbjellë gonxhe trëndafilesh
Prej gjinjve ftua të vakëta
Pëllumbeshë krahëshkruar
dashurive zemër zjarrta
u dhe mjaltin e bekuar.
Mes shtërngatës zhurmë shurdhe
Ku godet thikë e tradhtisë
Perëndesha me pekule
i thotë nina dashurisë !
Përmbi pegasin fluturak
Per lumimin e bekuar
në shesh mejdane plot me gjak
për dashurinë e ndaluar.
Perëndeshë e bukurisë
kryevepra më hyjnore
nënë pjellore e mirësisë
Iliriana arbërore.
Kur jashtë bën ftoht’ e erë
në parvaz vjen një flutur
tek oxhaku zbrazi verë
per hyjneshën belkëputur.
Në kullën time me çardak
në det mendimesh i rrethuar
ma mbush gjoksin plot me flakë
perëndeshë e adhuruar.
Me erdhe e buzëqeshur
buzë petale trëndafile
gjoks fushë vellon hequr
nëna e dashurive sublime.
Prendë e shterja perëndi
ndër ilir, e nder shqiptarë
Kush të ka në zemër ty
ka gjithë botën vesh n’ arë!
Ditës së pestë të javës
Prenda i dha emrin e vetë
hënë që vallëzo mes valësh
kisha t’ veshi me xhubletë !
Krejt e dua pa xhubletë
të mahnitshmen bukuri
musht i djaloshares jetë
e dehjes së ëmbël poezi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.