Thethi ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës, në zemrën e Alpeve shqiptare. Për vlerat e tij klimaterike dhe atë të biodiversitetit, Thethi është shpallur Park Kombetar.
Sipërfaqja e parkut kombëtar përfshin një areal prej 2 630 hektarësh dhe shtrihet në një lartësi prej 600 – 2 570 metra mbi nivelin e detit. Më tej ka një mbulesë të dendur pemësh ku 90% përfaqësohet nga pyjet e dendura të ahut, por dhe panje, frashër, shkozë etj.
Natyra sikur është piktuar më dorë në Theth, çka e bën zonën tejet të lakmueshme për vizitorët vendas por dhe të huaj.
Një ndër vendet më të vizituara në Theth është Kulla e Ngujimit
Një fortesë e ndërtuar në fund të fshatit dhe që përdorej nga i gjithë fshati.
Kulla ka qenë banesa e atyre familjeve që për arsye gjakmarrje detyroheshin të mbylleshin aty.
Vetëm gratë e shtëpisë ishin të lira të dilnin e të punonin pak tokë para kullës. Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të medha turistike. Gjendet në jug të fshatit Theth dhe shumë pranë të lumit të Shalës.
Kjo kullë është e ndërtuar prej 388 vitesh, është e ndarë në 3 kate, ku 2 katet e sipërme kanë një dysheme të vjetër druri.
E ndërtuar 4 shekuj më parë si “Kullë Mbrojtjeje” nga armiku ajo ka ndryshuar disa herë funksion, si kullë ngujimi e pajtimi, si kasolle e lënë në harresë gjatë komunizmit dhe sot si objekt turistik.
Gojëdhënat e ruajtura me fanatizëm nga banorët e Thethit, flasin për pajtimin e më shumë se 300 konflikteve nga e gjithë zona e Dukagjinit.
Një tjetër atraksion turistik, shumë i vizituar në Theth është edhe Ujvara e Grunasit, e cila është një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në brendësi të Parkut Kombëtar të Thethit e në krejt alpet Shqiptare, e shpallur monument natyre që në vitin 2002.
Ujëvara e Grunasit ndodhet në shpatin perëndimor të luginës së Thethit në Alpet Shqiptare. Nis në rrëzën perëndimore të majës së Boshit, ku formon një lug të ngushtë shkembore nëpër një shpat gëlqeror, pastaj uji bie menjëherë nga një lartësi prej 25 m.
Në fundin e ujëvarës është formuar një pellg, prej të cilit uji derdhet në luginën e Thethit, tek fillimi i kanionit të Grunasit.
Gjithë shpati ku thyhen ujërat e kësaj ujëvare është i mbuluar nga një pyll i dendur. Për shkak të pikave të ujit që bien rreth unëvarës, në ditët me diell ajo shoqërohet thuajse gjithnjë nga ylbere në pjesën e poshtme të sajë.
Ujëvara e Grunasit me mjedisin e saj, përbën një nga dukuritë e rralla të Alpeve Shqiptare dhe prandaj është një pikë e rëndësishme turistike.
Në pjesën fundore krijohet një vaskë natyrale me ujë të smeraldtë që plotëson krej dekorin e rrallë prej se ciles ka fituar statusin e nje monumenti natyre.
Faqet shkembore te rrjedhës janë një mundësi e mirë për alpinistët e sprovuar të cilët kanë shansin të ngjiten deri në fillesat e burimeve të Ujëvarës së Grunasit.
Ujëvara e Grunasit është një atraksion natyror që e shpërblen me shlodhje dhe kënaqësi të jashtëzakonshme udhëtimin e një turisti drejt alpeve të Shqipërisë./CNA.al