Nga: Irma Kurti
Në dhjetor të vitit 2019 fillova të mbaj një ditar, pa e ditur që gjatë vitit 2020 do t’i kthehesha çdo ditë për të shkruar në faqet e tij ankthet, shqetësimet, brengat e situatës së krijuar nga pandemia. 20 marsi, datëlindja ime kaloi pa të afërm, pa miq, të ftuar, gota që trokiteshin, buzëqeshje po edhe ky vit do të jetë kështu; do të kalojë në heshtje, pa takime, njerëz e festa. Nuk më shqetëson fakti që përsëri nuk do të shkojmë në piceri apo në restorant, që nuk do të vesh një fustan të bukur apo taka të larta. Ky vit i gjatë dhe i vështirë në qytetin tim Bergamo, që u kthye në epiqendrën e epidemisë, ndoshta ashtu si në çdo skaj tjetër të botës, me dhjetëra emra miqsh që ikën për të mos u kthyer më, më mësoi se nuk duhet të pres dhe të ëndërroj një ditë të largët, një udhëtim po aq të largët, nuk duhet të bëj plane që zgjaten në kohë, por ta dua ditën që kur hap sytë në mëngjes dhe dëgjoj trokitjen e diellit në xham, t’i gëzohem telefonatës së një shoqeje dhe të bisedoj gjatë me të, të shëtis në park e të shikoj fijet e barit teksa më ngatërrohen me lidhëset e këpucës, të vesh një palë tuta dhe atlete dhe të eci me hap të shpejtë, të shikoj rosat në liqen pa pritur të nesërmen, sepse ajo mund të jetë e paarritshme, mund të mos më përkasë më. Nesër mund të jetë vonë. Jeta është sot.
Ti fle
Ti fle e qetë, e zhytur në gjumë të thellë,
dimrat më të fuqishëm nuk të zgjojnë tani,
as britmë e qiellit të zymtë, të pashpresë,
as zhurmë e bubullimës që vjen si hungërimë.
As dhe zëri im që shndërrohet në një ulërimë,
as edhe kjo dashuri që pulson në çdo qelizë,
as jehona e të tëra kujtimeve të përbashkëta,
as dhe cicërima e zogjve, më e ëmbla simfoni.
Lumenj të pareshtur lotësh nuk të përmendin,
ndaj thirrjen time e gëlltis porsi kafshatë,
ajo përplaset në humnerën që kam brenda meje,
tretet edhe thërrmohet, për të lindur prapë.
Por buzëqeshja në fytyrën tënde plot diell,
e ëmbël, e bukur, ashtu si e kishe në jetë,
veç ajo më ngatërron dhe nuk di se ç’të bëj:
të të zgjoj apo të të lë që të flesh, Nënë?
Ne s’jetuam dot bashkë
Ne s’mundëm të jetonim bashkë
e patëm aq të vështirë!
S’jetuam dot as të ndarë,
këtë e vuajtëm shumëfish.
E dyzuar, e mpleksur mes lotësh,
mes brengës dhe lumturisë,
afërsia me ty më frikësonte
në largësi kuptoheshim më mirë.
Më habisnin ato që ndodhnin
faji mbetej gjithnjë tek unë,
druhesha të flisja, të pyesja
njerëzve u largohesha më shumë.
Ne s’mundëm të jetonim bashkë
e patëm aq të vështirë!
IRMA KURTI