Në seancën e sotme në Kuvend, fjalën e ka marrë edhe deputetja më e vjetër e asaj salle, Luljeta Bozo. Deputetja socialiste, ka nxjerrë në pah një sërë problematikash, kryesisht ato që lidhen me ndërtimin dhe pensionistët.Ajo kërkoi që arkitektët dhe inxhinierët të licencohen në mënyrë që të mos ketë parregullsi në ndërtimet e bëra.Bozo po ashtu kërkoi që të ndërtohen institute të tjera kërkimore, sepse sipas saj, vetëm nëpërmjet shkencës mund të vijohet përpara. Sakaq, ajo tha kërkoi që për të moshuarit të rriten pensionet, pensioni minimal të mos jetë nën minimumin jetik (rreth 179 mijë lekë të vjetra), si dhe të krijohen qendra të posaçme ku ato të kalojnë një kohë të këndshme.“Në diskutimin tim rreth buxhetit të vitit 2022, problemi i parë është në fushën e ndërtimit. Asnjë degë e ekonomisë nuk bën dot pa ndërtimin. Në këtë buxhet me shifrat e të cilit janë njohur të gjithë i jepet rëndësi të veçantë infrastrukturës ujore, ajrore, ujësjellësve, energjetikes.I jepet rëndësi e veçantë menaxhimit të mbetjeve. I jepet një rëndësi e veçantë rrjetit të komunikimit. Por që ky buxhet të japi efektet e veta të pritshme, besoj se duhet të insistojmë pa shtuar shifra në buxhet. Është urgjente të miratohet urdhri i inxhinierit dhe arkitektit, i cili do të rregullojë funksionimin ligjor të procedurave në fushën e ndërtimit, në dhënien e licencave, ku do të jenë të shkruara qartë. Në këtë fushë do të punojnë profesionistë të vërtetë. Ne pësuam një katastrofë të madhe në nëntor të 2019. Nga kjo e keqe nuk kemi nxjerrë mësimet e duhura. Çdo ditë dëgjojmë për aksidente të shumta, që shoqërohen me humbje jete dhe gjymtime.
Problemi i dytë është në fushën sociale. Duhet të kemi parasysh që kemi mbi 500 mijë pensionistë, që janë një pasuri e madhe kombëtare. Ndaj në këtë buxhet janë parashikuar dy masa për këta. E them këtë se një pjesë e madhe e pensionistëve marrin një pension qesharak. Ndaj mendoj që këtë gjendje mund ta përmirësojmë. Të rregullohet legjislacioni për pensionistët. Të përcaktohet sa është minimumi jetik dhe për pasojë pensioni minimal të mos jetë më i vogël se kaq.Në këtë buxhet janë parashikuar dy masa për ta, indeksimi i pensionit sipas masës së inflacionit dhe bonusi i vitit të ri. Nuk është e mjaftueshme. Së treti në numrin total të pensionistëve, të na raportohet sa janë ata që kanë pension më të vogël se 20 mijë lekë. Mendoj se shërbimi shëndetësor falas, duhet kontrolluar se duhet të jetë i tillë për vizitat e kontrollet. Pensionistët duhet të marrin të gjitha ilaçet e rimbursueshme. Kemi shumë pensionistë që kanë qenë profesionistë të shkëlqyer.Këto kapacitete duhet shfrytëzuar me zgjuarsi e ata të shpërblehen. Në këtë mënyrë ata mund të fitojnë më shumë, e mbi të gjitha nuk do e ndjejnë veten e përjashtuar nga shoqëria. Duhet shtuar qendrat sociale, ku të punojnë vullnetarisht të rinjtë, e në këto qendra pensionistët do të kalojnë këndshëm një pjesë të kohës”, tha Bozo