Nga Ndue Bacaj
107 vite më parë, me 24 shtator të vitit 1915 në Orosh të Mirdites vritet pabesisht nga falangat serbo-malazeze dhe esadiste , trimi legjendar Dedë Gjon Luli. Vritet nga komandanti serb me emrin Gjura , që gjindej (jo rastesisht) në Mirditë me një kompani ushtaresh serb në vendin e quajtur Sheshaz..Vritet kur baca Dedë kishte shkuar atje per të realizuar një beslidhje të Madhe me parinë e Mirdites e më gjerë, per të kordinuar luftën çlirimtare e mbrojtëse të trojeve shqiptare nga grykesia shekullore e shkjeve të Ballkanit e më gjerë.. Lufta e parë Boterore kishte filluar dhe kishte rrezik që të realizonte vendimet famkeqia të traktatit të fshehtë të Londres të 26 prillit 1915 , duke coptuar edhe atë Shqiperi që kishte “tepruar” nga konferenca e Londres 1913.. Dedë Gjon Luli është pjesë e historisë së gjysmës së dytë të shekullit 19-të dhe e fillimit të shekullit 20-të, por mbi të gjitha është udhëheqësi dhe simboli i palëkundur i të gjithë Malesisë e Shqipërisë Veriore e më gjerë , në të gjitha betejat ku jeta ishte një hiç para idealit të lirisë e të drejtave kombëtare, si dhe në “tryezat” diplomatike, ku me pendë e mendje projektohej Shqipëria e lirë e sovrane. Jeta dhe vepra e Dedë Gjon Lulit është aq e madhe, sa as dje dhe sot, por edhe as nesër nuk do të kenë kuptim Malësia e Madhe ,Shqiperia dhe historia e saj, pa trimin e të urtin, legjendarin e heroin e popullit Dedë Gjon Luli, i cili për më shumë shumë se 50 vjet ishte zemra, mendja dhe shpirti i të gjithë atyre shqiptarëve që për atdhe e banin deken si me le.. Ndaj Trimi i urtë Dedë Gjon Luli duke qënë zemra, mendja dhe pushka e parë e Malesisë Madhe dhe shqiptarisë, kishte perbuzur moshen e thyer dhe rrezikun per jeten, duke u bërë keshtu faqja e bardhë në perjetsi e Hotit, Malesisë e Shqiptarisë… Pas vrasjes së Dedë Gjon Lulit, falangat serbo-malazeze dhe esadiste trupin e tij të pajetë e kishin mbuluar me landë drusore e gjethe në Malin Shejtë , ku e zbuluan disa barinjë rastesisht pas disa diteve…Me 8 tetor (1915),famulltari i Oroshit të Mirdites e varrosi te kisha e “tij”. Ndersa me 29 maj 1924 eshtrat e Dëdë Gjon Lulit u rivarrosen me një cermoni madhështore të organizuar nga Etnit Franceskan në Shkoder, ku muaren pjesë mbi tremijë veta , si dhe delegati Apostolik imzot Ernesto Kozi. Në ketë cermoni një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi ,ligjeratë nga e cila menduam të citojmë :”Sikurse Athina e Roma mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndertesen e Lirisë ,ashtu per të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikeve të sterpikë krepat e Maleve tona…Mbas 400 vjetësh Dedë Gjon Luli me çeten e vet lufton per të paren herë nën Flamurin e Shqipnisë ,per Lirinë kombetare. Ai kje tre here Fatos se i fali Atdheut dy djemtë dhe veten ,tuj u ba shenjë i salvimit të xhonturqëve ,të sllavëve dhe esadisteve….Ai së dyti provoi se bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e tij ,vloi edhe zelli per Fe…Në të vertetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit dhe pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombetare..” (Fritz Radovani “Dedë Gjon Luli”, fq.38) Ndërsa patrioti pendartë i kombit shqiptar At Gjergj Fishta, do ta “portretizonte” Dedë Gjon Lulin dhe vepren e tij atdhetare me një publikim brilant që vetëm nga penda e tij mund të shkruhej me titull: PER MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT : Nga e cila mendova të citoj: “Vllazen shqiptare !…. Asht Ded Gjo’Luli , që vu sy me dekë a shqiptar i lirë me mbetë , me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja shqiptare,- bjen në mal e mbi “kaki” të Deçiqit ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi ; zjarm e dekë – nji be ai rreh , nji be të madhe po rreh aj në sy të qielles e të dheut , se rob shqiptari per nën thember mizore të Turkut ma kurr , jo, kurr ma do të gjimonte , e as nën thember të atij sllavi te mnieshem . M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa ; Cetina u trand e u dynd tan pezem e mni Stambolla ; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshen nisi me vlue e rrebtë nji luftë e pergjkashme e pernjimend titanike. Shkumë gurgulloi gjaku neper dolomie e stalagtita të zgavrave t’erreshme , e kah qiella u çue , po, tym e shkendi , e vigem nanash , e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm , e ankime e gjamë të varruemesh , e nji zhurmë e nji krizme rrotash , e kualsh topash , e nji bubullime e menereshme , thue po të rroposet per nën kambë rruzullimi. Edhe malsori muejt . E kje m’atehere që verigat e randa të robnisë sonë pesqindvjetore u keputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori i jonë , Konstitucjonit të Turkise e tektej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut , Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim per nën thember të ndonji tirani të ri. Vllazen shqiptar ! na sod jemi të lirë ; por martiret fatosa të lirisë sonë kombetare kalben të harruem nën dhe , kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut , mos t’i ketë shpuplue e grise mbi dhe orrlat e shekrbet e egra. E po a pernjimend se nipat e sternipat tonë , mbas ndonji stinet të terrnueme , ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të padekshem , që u fituen lirinë dhe u falen Atdhen . (Para se flie vehten të bante malsori na Atdhe s’kem pas , e rob kem kenë , e raje , e skllav e kurrgja tjeter). Jo , per Zotin ! se marre e turp per ne do t’ishte e nji dam i madh per Atdhe , po u qitë në harresë emni , e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali , që kreshnikët e maleve tona i shtyni , flie me bamun vedin per mizori t’anmikut . Jo, po : do të hupë Shqipnija , diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”.(At Gjergj Fishta-ligjeratë Për një monument të Dedë Gjo’Lulit, ”Antologji Shqipe”, bleni I ,shtëpia botuese “Kristo Luarasi” botua nga Filip Fishta , Tiranë 1935). Për këtë heroizem dhe atdhetari të kulluar Dedë Gjon Luli “gezon” titullin e lartë “HERO I POPULLIT” dhe që nga nentori i vitit 2015 është dekoruar nga (ish) presidenti B.Nishani me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Megjithë këtë Dedë Gjon Luli nuk ka vorr ku pushojnë eshtrat e tij (pasi nuk dihet ku janë) , ka vetem një vorr “bosh” te vorri i djalit tij deshmor Gjergjit , në vendlindje në Traboin . Ndërsa deri me 27 nentor 2015 nuk ka pasur asnjë bust , shtatore apo monument të ndertuar në Republiken e Shqiperisë. Me data 27 nentor (2015) me financimin e diaspores malësore-shqiptare në Amerikë, në qendër të Tiranës (në lulishten e muzeut historik kombëtar ), u vendos shtatorja impozante e heroit të popullit Dedë Gjon Lulit, shtatore që do të zënë në perjetsi vendin që i takon në memorien e historisë të luftrave mbrojtese dhe çlirimtare , që me 28 nentor 1912 u kurorzuan me shpalljen e pavaresisë nga Vlora , ndonse kjo pavaresi është ende e munguar në shumë troje të Shqiperisë Etnike.. Dedë Gjon Luli është një ndër shkëmbinjtë e mëdhenjë dhe të palevizshem të themelit të shtetit shqiptar…(Ndue Bacaj, Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-osmane 1911, botim i dytë, fq.104, Fiorentia-Shkodër 2018). Shtatorja në qendër të kryeqytetit është veçse një kujtesë e vogel para vepres së madhe të heroit të popullit Dedë Gjon Luli, me emrin dhe vepren e të cilit u frymëzua edhe luftojë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitet 1998-1999 , kunder shovenëve serbë.. (Zekeria Cana ,fjala e tij e mbajtur në shtator 2005 ,kur u inagurua shtepia muze e Dedë Gjon Lulit). Familja e Dedë Gjon Lulit është shuar në luftërat për liri, por fatkeqësisht bashkë me Dedë Gjon Lulin u shua edhe një pjesë e atdhetarizmit të trojeve tona, që prej më shumë se një shekulli kanë nevojë per një Dedë Gjon Lul të “ri”. Dedë Gjon Luli dhe vepra e tij është dhe do të jetë shembull frymezimi dhe sakrifice per çdo shqiptar të vertet që i don pa hile trojet e veta Etnike Iliro-Shqiptare..