Vullnet Mato
Tiranasit kapërcejnë, lagjen e ish bllokut,
lënë pas përvëlimin e vapës, së shtëpisë,
për të shpëtuar, nga grahmat e smogut,
enden disa orë, në mbretërinë e freskisë.
Shkoj aty, kur dielli i shkel syrin Lanës,
të gjallëroj nyjet e këmbëve te mia,
të frymoj, në mushkëritë e blerta të Tiranës,
eliksirin e pyllit, të thith nga mushkëria.
Aty marr karburantin e makinës trupore,
mbush me oksigjen serbatorin e gjakut.
Ndryshe mund të bëja, një jetë mizore,
duke duruar vapën përbrenda pragut.
Ajo shëtitje mes vrapuesve, të etur për frymë,
ato shushurima, mes gjetheve në vallëzime,
ajo kafe mes hijeve, ëmbëlsuar me freskinë,
ka vlerë më të madhe, se të gjitha dëfrimet.
Teksa, pranvera e re, ka shpërthyer gjethet,
liqeni i fryn fyellit, për të lartësuar pishat…
Mos ndodhesh, në atë ringjallje të hareshme,
vetëm në pranverën tjetër, vjen rasti rishtas.
Sakaq zogjtë venevijnë, me fije bari në sqep,
thurin foletë, duke shtruar gjethe të thata,
vajzat shkundin gjoksin, në vrapimet përreth,
djemtë lëngëzojnë buzët, më keq se nga vapa.
Derisa të më shuaj mortja, fuqinë e aspirimit,
të parën festë bëj, te mushkëritë e Tiranës sonë.
Duke bluar në mendje, temat e reja të frymëzimit,
aty pi disa metërkub ajër, ku dehem me ozon!….