Zysha ime e parë quhej Xhevahire Onuzi, ( Jonuzi) ishte një grua e rreptë me flok të shkurtra të zeza, sy me shumë dritë, e ftohtë akull si grua ushtaraku që ishte, por që unë e nxirrja takti gjithmonë e bëja të qeshte me pahiri, ndaj më kishte pagëzuar me emrin “Xhadë” .
Ajo më thoshte se kisha lindur për të qënë “drejtuese” sepse gjithë shkollën e kisha bërë për vete dhe në mësime shkëlqeja, pavarsisht se isha vajza e një ish të përndjekuri politikë, ajo kurrë nuk më lëndoi, as nuk i preku plagët e mia, si disa të tjetër në shkollë…
Ditë shiu sot, ndoshta kjo koha më bëri melankolike dhe kujtimet erdhën ashtu të qeta si ato gjethët e pëmëve, që po rreshtohen tek xhami i dhomës time.
Drita nuk kemi as sot, ditë feste zyrtare për ditën e alfabetit që zakonisht prodhon dritë,por dita është e ërret, e frikshme me një ndjenjë boshllëku që nuk i dihet fundi…
Më mirë po kthehem tek Zysha ime, që sot nuk e di ku mund të jetë dhe nuk e di në do i lexojë rreshtat e mi, por jam e bindur që do buzëqesh duke thënë:” E pritshme nga ti Xhadë”.
E kam vlerësua si mësuese sepse gjithmonë jua jepte hakun të gjithëve. Kishte një autoritet dhe rregullin në klasë e vinte me sy, as nuk e dëgjova një herë të çirret, apo të lëndonte një nga 31 nxënësit që kishte në klasë.
Meqënse konkurenca për bankën e parë ishte e fuqishme mua më kishte venë me dy shoqe, ato ishin të vogla të imta, unë një dymetroshe që jua zinte pamjen gjithë rreshtit, sa që nxënësi i fundit zorë të mbërrinte me sy tek tabela.
Njëra nga vajzat ishte e kryetarit të kooperativës dhe tjetra e skuadërkomandantit, mësonin shumë të dyja, por gjithmonë kishte diçka “artistike” tek unë,që jua merrja tek kthesa dhe ajo më jepte krah që fluturimi im të ishte i tillë siç natyra ime rebele, e drejtpërdrejtë, çapkëne dhe që fliste pa zori para klasës, shkollës dhe recitonte poezitë e saj modeste para drejtuesve të arsimit apo të kooperativës.
Porosia që ma jepte dhe vazhdon të më kthehet në kujtesë dhe sot është :” Për asnjë arsyje mos ndrysho nga kjo Xhada që më je”.
Nuk e di në do ishte krenare për mua sot, sepse që nga ajo kohë e largët po vazhdoj rrugëtimin tim me të njëjtin vrull, pasion, dashuri për jetën e mbi të gjitha të fluturoj e lirë.
Unë atë e kujtoj me shumë dashuri dhe e quaj veten me fat që e kam pas si DRITË në jetën time!
Gëzuar ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!
Mirënjohës atyre që na mësuan A,B,C…