Nga Marash Gilaj
Sigurisht, medalje për merita të veçanta në “shërbim” të kombit, atdheut e përtej katundit. Këto dekorata nuk i dha presidenti që e deshëm dhe nuk e duam më, por erdhën nga ata që na vëzhgojnë, na monitorojnë ne si aspirues për të qënë në gjirin e BE – së. Duke parë nga afër e nga larg ecurinë e realizimit të objektivave që kishim e kemi, qoftë edhe në formë detyre shtëpie, ne bëmë sa mundëm e ditëm në kahun e kundërt, që pasi na thonin se kemi bërë përparime të dukshme, dilnin me konkluzionin se shteti u kriminalizua, u bë mafioz sa nuk kuptohet nëse shteti drejton mafien apo mafia drejton shtetin. Këtë e tha dhe e thotë çdo ditë edhe opozita, ndonëse e përçarë. Për këtë qellim u aprovua edhe ligji i famshëm i “dekriminalizimit”. Jetojmë në detin e mashtrimeve, në batakun e krimit të organizuar, të hajdutërisë, që do të thotë se jemi marrë peng prej tyre. Këtu, lavatriçja e pastrimit të parave funksionon për mrekulli. Krimi u kthye në model suksesi. Kaq i mbarë ka qënë ky trend sa që po e eksportojmë kudo nepër botë me shumicë. Kryebashkiakë, deputetë apo ministra gjënden në burg ose në bankën e të akuzuarve për korrupsion e krime të tjera, por ka shumë të tjerë që janë graduar nga kryeqeveriu për të njëjtat merita, edhe pse duhet të kishin pasur të njëjtin fat me të akuzuarit. Drejtësia e vetinguar dhe e reformuar duket se ka vepruar në mënyrë selektive sipas porosive të partisë. Për këtë fenomen kanë folur edhe gazetarë të guximshëm, tashmë, të dënuar me “riedukim” si në kohën e Qoftëlargut. Për t’i rënë shkurt, duke parë gjithë këtë “ përparim spektakolar”, medalja e parë e damkosur ishte “Shtet mafioz” dhe “Qeveri e krimit”. Fill pas këtij suksesi e entuziazmi që të jep një medalje e merituar u ideua dhe u vu në zbatim hashashizimi i Shqipërisë. Drogërat, në përgjithësi, të dehin, të bëjnë të fluturosh me presh në prapanicë, sjellin të ardhura për trafikantët dhe për shtetin që merr përqindjet e shitjes, prandaj, nuk thonë kot se oreksi vjen duke ngrënë. Tashmë, drogën e legalizuam, sepse e donin të gjithë të droguarit, trafikantët po e po, pa përjashtuar edhe disa patronazhistë e qeveritarë. Numri i tyre shkonte rreth 300 000. Dhe këta na qënkan shumica sipas atyre që vuajnë nga deliret e halucinacionet. Kështu, dora – dorës, ky pushtet u gatua me miell kanabisi. Siç thotë një deputet i opozitës, është më lehtë të gjesh kanabis pranë çdo shkolle se sa çokollata. Përmes porteve tona detare qarkullojnë të gjitha llojet e drogërave me banane, me oriz apo ndonjë kombinim tjetër dhe si përdorues kokaine zumë vend të dytë në botë. Ndersa për prodhimin e kanabisit, vend të shtattë. Falë ideatorëve, policisë që deshëm e duam akoma, fikjes së radarëve, transportit me avionë, e të tjera ndihma nga qeveria, suksesi u shpërblye dhe duket ashiqare nga dekoratat e shumta që kemi marrë e presim të marrim. Dekorata si: “ Kolumbia e Europës” apo “Narkoshtet”, etj. Të ashtuquajturat zgjedhje apo thjeshtë, votime si në monizëm, njëpartiake, me blerje votash, me shantazh, me patronazhistë kujdestarë e lloj – lloj marifetesh të tjera, duke shkelur çdo ligj, bënë ato të mos ishin të lira as të drejta. Pra, pushteti u ble dhe u fitua me ndihmën e horrave dhe mbahet gjithnjë nga ky kontribut i vyer. Kështu humbëm demokracinë dhe pluralizmin në tërësi. Ideuesi po punon që kjo të quhet “ Era e të Gjatit.” Ndaj kërkoi me ngulm timonin pa pasur kurrë patentë, pa qënë kurrë shofer. Pushteti dhe paraja ishte qellimi. Nuk ishte shërbimi as drejtimi. Erdhi kjo fatkeqësi për popullin, si një lloj mallkimi, nga më të rëndit. Me të drejtë, do të na akordohej dekorata e tretë: “Shtet monist”, “Demokraci fasadë”, etj.Në vazhdën e dështime të suksesshme, kur dihet se krimi ndjell e pjell krimin, për pasojë, filloi shpopullimi i vendit si një dukuri e qellimshme. Por, le të bëjmë pyetjen: Pse po ndodh kjo? Sigurisht, nga varfëria, rrogat dhe pensionet e ulëta. Pasiguria dhe korrupsioni, mungesa e zbatimit të ligjeve, e meritokracisë, e modelit më të keq të qeverisjes, mosintegrimin në BE, koncesionet e PPP –të e paligjshme apo tenderat sekretë që sjellin vetëm varfëri e padrejtësi. Dhe na e përsërit gjithnjë, “më i miri i të mirëve”, kur dikush e kritikon me të drejtë: ”S’keni parë gjë akoma…”, që do të thotë se edhe më keq do të bëhet. Kjo qeveri ngjan si një kasolle pa çati. “Shtet i dështuar e gati i shpopulluar”, vjen si medalje e katërtë.Meqënëse korrupsioni mbetet një plagë e madhe gangrenë, ndrekombëtarët duke filluar nga DASH e me radhë janë të mendimit se jemi kampionë në Europë e më gjërë, pa shënja të mira e vullnet për ta luftuar, atëherë edhe këtu na takon medalja- damkë: ”Vendi më i korruptuar. ” Dhe është plotësisht e merituar. Kjo është medalja e pestë në radhën e skandaleve, mbi të cilat hedhim valle. Po të kishim drejtësinë që duam, ajo do të ndiqte paranë, por po bën gjumin letargjik. Ndersa qeveria i shërben euros, dollarit e lekut dhe vazhdon e broçkullit kodra pas bregut.Kanë kaluar, tashmë, gati 9 vjet qëkur erdhi në pushtet sekti i Rilindjes, por asgjë e mirë nuk ka ndodhur në lidhje me integrimin. Kemi dëgjuar e parë shumë skena qesharake që tregonin se kishim bërë progress e arritur suksese në shumë fusha, sidomos tek reforma në drejtësi, por qeveria mbetej për vjeshtë, caktoheshin data, ndersa ne bënim hapa prapa. Ne arritëm në konkluzionin se fajin e kishin ata, “se nusja nuk po vinte që të bënim fëmijë”. Kështu i kemi kaluar këto vite me batuta, gjithça kthyer me kokë poshtë, sepse nusja nuk duhej të vinte, por ne duhet të shkonim atje, nëse e meritonim. Bazuar në llojet dhe numrin e dekoratave që përmenda më lart dhe të tjerave që meritojmë, Europa duhet të arrijë nivelin tonë që të na bashkohet, por edhe Maqedonia e Veriut të mos na dalë pengesë. Pra, e kemi gjetur fajtorin dhe ia kemi bërë ben benë. Ne asnjëherë nuk patëm faj. Sa herë u kthyem nga Brukseli me duar bosh e kokën lart. Medalja e gjashtë që na rri mirë në gjoksin gropë e ka titullin: “Shteti që nuk e do integrimin.” Nuk duhet të harrojmë se për të fshehur dështimet dhe për t’i bërë karshillëk BE-së sajuam, në bashkëpunim me armiqtë tanë, Minishengenin, dhe që të mos kuptohej si krim, shpejt ia ndërruam e zbukuruam emrin në “Open Ballkan” apo Ballkani i hapur. Kjo lloj miqësie e bashkëpunimi duket më shumë si urë ligësie. Hipokrizi dhe dinakëri bashkë. Udhëzimet e Sorosit dhe Vuçiçit nuk duhen zbatuar, sepse bien erë tradhëtie.Shumë dekorata të tjera meritojmë, për të tjetra dukuri problematike, por nuk mund të lë pa përmendur skandalin më të madh me inceneratorët, vjedhjen dhe publikimin e të dhënave personale, amnistinë fiskale, hartën gjyqësore, hartën territoriale, riedukimin e gazetarëve, teatrin kombëtar të shembur, përçarjen e opozitës apo rrugët e asfaltuara me 4-5 fishin e shpenzimeve që duhej të bëheshin. Këto dhe të tjera që presin dekoratat, mbase do t’i ndajë vetë kryeministri me dorën e vet dhe do të bëjë vetëlavdrimet e veta siç ia do menderja. Kjo kompetencë do t’i kalojë vetëm atij, siç na e ka dhënë fjalën, me qellimin e mirë që të lehtësojë punën e presidentit dhe më e rëndësishmja, kush i di më mirë se ai dhe shvejku me Sanço Pançot se çfarë po gatuan, kush e meriton, dhe sipas këtij modeli, mund të na thotë: “ Ç’më duhet mua çfarë bëj unë dhe kujt ia jap dekoratat?”
21 Korrik 2022