Nga:Gladiola JORBUS
Një vështrim mbi sundimtaret e botës që nga Antikiteti, Mesjeta e në vazhdimësi.
Të portretizuara si hakmarrëse, intrigante dhe të pamëshirshme, të etura për pushtet po aq sa burrat, por shpeshherë më të arsimuara, më të kulturuara dhe më krenare se ata. Kështu janë përkufizuar disa nga mbretëreshat më të njohura në botë. Shumë prej tyre janë shquar për ligësi dhe ashpërsi përgjatë rrjedhës së historisë.
Fredegonda (Montdidier, 545 – 597 Paris) e frankëve, gruaja e tretë e Kilperikut I shquhej për bukurinë e saj të madhe, ambicien, mizorinë dhe babëzinë. Nuk ngurroi të sakrifikonte jetë të tëra njerëzish për të ruajtur pushtetin, madje tentoi të vriste dhe të bijën.
Izabela e Kastiljes, mbretëresha e inkuizicioneve dhe e djegieve; gjakatarja Maria Tudor, ‘Bloody Mary’ kështu e quanin kundërshtarët e saj protestantë. Ajo mbretëroi në Angli nga korriku 1553 deri në vdekjen e saj në vitin 1558. I atribuohen më së shumti përpjekjet e fuqishme për të ndryshuar Reformimin Anglez; gjatë mbretërimit të saj pesëvjeçar, Maria numëronte mbi 280 disidentë fetarë të djegur.
Dinakja Madame de Montespan, e dashura më e fuqishme e Mbretit Diell; Isabella e Bavarisë gëzon reputacionin si një nga mbretëreshat më të liga në histori, nën petkun e imazhit të gruas epshore, tradhtare bashkëshortore, intriguese, e përkushtuar pas modës dhe ekstravagante. Por në fund të shekullit XX, studiuesit i vunë në dyshim këto akuza, duke i konsideruar rezultat të propagandës, misogjinisë dhe ksenofobisë ndaj mbretëreshës.
Caterina Sforza – zonja e tmerrshme e Imolas dhe Forlit, e cila në fund të jetës së saj i besoi një murgu: “Nëse do të shkruaja gjithçka, do të mahnisja botën”.
Anna Bolena -“e liga”, gruaja e dytë e Henrikut VIII, e akuzuar për adulter, incest dhe tradhti të lartë.
Caterina de’ Medici – sovrania që urdhëroi masakrën e hugenotëve në Masakrën famëkeqe të Shën Bartolemeut; Anna I Romanova – rastësisht careshë rivuri në funksion aparatin e policisë sekrete, të cilin e përdori për të terrorizuar kndërshtarët e saj politikë. Nën sundimin e saj rreth tridhjetë mijë njerëz u internuan në Siberi.
Maria Luisa di Borbone – monarkja që ndërtoi rrugë, rrethoi veten me bashkëpunëtorë të aftë, ndërmori inisiativa progresiste në arsim dhe zhvillim urban e social, por njihet edhe si gruaja që ia shiti mbretërinë Napoleonit.
Frederika di Brunsëick – mbretëresha e paepur e Greqisë, e cila parandaloi pushtimin komunist, por nuk ishte aspak popullore. Ajo përshkruhet si një monarke e fuqishme, autoritare dhe megaloman, me ndërhyrjet e vazhdueshme në jetën politike greke. Konsiderohet një grua me temperament, me vullnet të fortë dhe e cila luajti një rol protagonist, më shumë se sa i shoqi Mbreti Pal, gjatë mbretërimit të tyre.
Wallis Simpson – amerikania ambicioze, e divorcuar dy herë, e apasionuar pas stolive dhe modës që nuk arriti dot të bëhej mbretëreshë, duke mbetur kështu një figurë e diskutueshme në historinë e Britanisë së Madhe. Eduardi VIII ishte mbret i Mbretërisë së Bashkuar, i Dominioneve të Perandorisë Britanike dhe Perandori i Indisë, nga 20 janari 1936 deri në abdikimin e tij në dhjetor të të njëjtit vit. Vetëm disa muaj pas mbretërimit të tij, ai shkaktoi një krizë kushtetuese duke i propozuar martesë amerikanes së divorcuar Wallis Simpson. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar dhe ai i Dominioneve kundërshtuan martesën, duke argumentuar se një grua e divorcuar me dy ish-burra ende në jetë, ishte një zgjedhje politikisht dhe shoqërisht e papranueshme. Kur u bë e qartë se Eduardi VIII nuk mund të martohej me Wallis dhe njëherazi të qëndronte në fron, abdikoi.
Jo të gjithë e dinë se Mbretëresha Viktoria e Anglisë kishte një nënë, që e shndërroi në makth fëmijërinë dhe adoleshencën e së bijës, asaj që do të ishte sovrania e ardhshme. Rininë e vet, ajo e përshkroi “disi melankolike”, me një nënë hipermbrojtëse, që e mbajti vajzën e saj të izoluar nga bashkëmoshatarët e tjerë në Kensington Palace, selia paralele e oborrit mbretëror, e dominuar plotësisht nga figura e Sir John Conroy, i konsideruar nga shumë njerëz si dashnori i dukeshës Viktoria të Saksonisë. Për më tepër, marrëdhëniet me oborrin e Londrës ishin të rralla, pasi nëna e princeshës ishte në konflikt me mbretin William dhe dëshironte ta ruante të bijën nga çdo marrëdhënie e papërshtatshme (në veçanti me fëmijët e paligjshëm të sovranit).
Gjithashtu nuk mund të lëmë pa përmendur Olimpian, nënën e Aleksandrit të Madh, për të cilën thuhet se ishte neurotike, e dhunshme, paragjykuese. Nën komandën e saj u vranë disa personazhe të asaj epoke, meqenëse ajo ndoqi politikën e eliminimit të rivalëve të mundshëm.
Kleopatra lindi në vitin 69 para erës sonë dhe në moshën 39-vjeçare kreu vetëvrasje, duke i dhënë kështu fund jetës së saj të krahasueshme me atë të një hyjneshe Olimpi; energjike, zonjë e vetvetes, e mprehtë, e pasur, ambicioze, e pathyeshme, e bukur, krenare. Sundoi mbi Egjipt për gati 22 vjet.
Në luftën për fronin e mbretërisë egjiptiane, ajo arriti të mposhtte njëkohësisht, të vëllanë dhe të motrën, duke i eliminuar mizorisht me ndihmën e romakëve. Duket se mbretëresha provokonte një magjepsje të pashoqe. Zërat e kohës transmetonin për Kleopatrën se ishte një grua thellësisht joshëse, me aftësi retorike, me një mikpritje të kujdesshme, dinte të argëtonte të ftuarit, të organizonte festa dhe mesha me efekte të mbinatyrshme, të cilat i linin pa mend të pranishmit. Kuptimi i emrit të kësaj mbretëreshe ishte “lavdia e babait”.
Marie Antoinette, aq e vlerësuar për bukurinë e saj, përfundoi e shpallur fajtore dhe u dënua në gijotinë. Miti i mbretëreshës së pashpirt është analizuar në pamfletet e panumërta që qarkullonin kundër saj. Imagjinata popullore e shndërroi atë në një prostitutë, nimfomane dhe përbindësh.
Shumë legjenda epshore qarkullojnë për mbretëreshën Giovanna II e Napolit. Më i njohuri ndër to, është rrëfimi për dashnorët e saj të shumtë, me të cilët takohej nëpër tunele të nëndheshme në një karrocë të artë; por veset e saj nuk përfundonin me kaq, sepse ndonjëri prej kavalierëve dhe mund të ndërronte jetë, brenda atyre tuneleve.
Por a ishin këto mbretëresha vërtet kaq barbare apo qenë viktima të një mendësie misogjinore?! Ndoshta emrat e tyre keqtingëllojnë dhe janë veshur me konotacione negative, si pasojë e shoqërisë patriarkale që gruan e ka pasqyruar si mëkatare, si asociacion të të keqes, si pikën e saj të dobët, si rrufepritësen ku shkarkohen të gjitha frustracionet, zhgënjimet, dështimet, krizat shpirtërore, morale, psikologjike dhe emocionale.