Adelina Pali
Enden ndër ditë njerëz të mirë me vlera
Me ndjesitë e vyera, si dosje te vjetra stivosen
Por ngelen në hije ashtu si ngahera
Ngaqë nuk dinë të shtiren a t’servilosen.
Njerëz me virtyte të rralla e kokëulur
Si kallëza e grurit me kokrra plot
Shpërfillen dhe hidhen prej drunjve të shkulur
Që nuk njohin meritat, sepse ndihen “zot”!
“Je e lodhshme”- thonë, kur s’shfaqim interes
Kur talentet ua zënë sytë dhe shpërfillen
Kur injorancën e vlerësojnë si pa të keq,
Dhe rreth pushtetit të shpërlarë sillen.
Turren me lëvdata drejt buçeve dhe gorreve
Dhe veniten nga ajo çka kanë mësuar në jetë
Me fryrje kollarendritur çirren faltoreve
Dhe bëjnë që të humbasë një vlerë e vërtetë.
Ju të paaftët, që turpshëm serviloseni pa të keq
Që merita ju japin vetëm për një performancë
Nuk ju përfill, dhe pse modeste jam në jetë
Se mirësinë e shoh me mjaft elegancë.
Si qenër vraponi pas fotove ju “vlerësuesit”
Aty ku vetëm ndjenjë e shije artistike s’ka
Aty, ku me epshe bëni vlerësuesin
Ku burrëria është venitur, aty ka ra.
Por vlerat gjithmonë mbeten vlera
Ndritin në mesin tonë, por juve ju verbojnë
Ndaj mendimet tuaja i hedhim në plehra
Ecim kokëlart, drejt qiejve vrapojmë…