DRITA BALLO
Jam grua zemërborë,
se borës di t’i marr bardhësinë
e përsosur.
Orteqet e akujve ia lashë dimrit
të kahershëm,
amanete të zemrës e shpirtit
të përdhosur.
Jam grua, nuri i gjithësisë,
poezia e jetës gjer
në madhështi.
Me vargje, lule shumëngjyrëshe
e thur mozaikun,
për të humbur e përthyer shëmbëlltyrat gri.
Jam grua, emri i jetës,
kumbimi i zërit të nënës që hyjnitë
rrëzëllen.
Trokitja e stinëve ardhur
ditë pas ditësh,
bekuar me urtësi, ngazëllim
dhe shpresë.