INVESTIME TË GABUARA… – INVESTIMET E LUKSIT…

0
Gurët e luksit

NGA BASHKIA DERI NË MAJE TË SHTETIT…

Arben Çokaj - gazetar
Arben Çokaj – gazetar

Arben Çokaj

A MË MIRË 2 MILIARDË LEKË SHTRIM ME GURË NË NJË VEND KU NUK BANOJNË AS 10 VETË, APO TË RREGULLOHEN RRUGËT RURALE ME STANDARDET E DIVJAKËS SË ERION BRAÇES?!

Duket se ka një orientim të gabuar në politikat e Rilindjes Urbane, dhe arsyet dihen pse, korruptive, me investimet e luksit, sikur një jevg që blen një makinë të strenjtë, kur nuk ka as shtëpi fare. Është mirë që investimet të orientohen aty ku ka më shumë nevojë popullsia, votuesit, që investimi t’u shërbejë atyre, e jo të hidhen paratë me të madhe në investime zbukuruese e luksi, që nuk i shërbejnë sa e si duhet zhvillimit të vendit.

Shtrimi me gurë me kosto të lartë i shesheve dhe vendeve në male, me idenë e turizmit malor, nuk duket se ka fizibilitetin e duhur, aq sa ka shtrimi i rrugëve për vendet e banuara të cilët edhe votojnë dhe i kanë rrugët e pashtruara. Jo se investimet në male nuk duhen, por qeveria e bashkitë duhet të kenë prioritetet e tyre, të cilat t’i sigurojnë në këtë kohë krize e gjithmonë, lehtësimin e jetesës së banorëve të këtij vendi. Të sigurohen dritat e uji, të mos ketë defekte e shërbime gjysmake, të bëhen rrugët mirë në zonat e banuara, e pastaj të investohet edhe në male e vende ku ka më pak banorë.

Shembulli më lart tregon se këtu hidhen mbi 2 miliardë lekë, për të shtruar një vend me gurë, kur me ato para mund të bëhen fare mirë rrugët dalëse nga rruga kryesore me gjerësi 5 m, me trotuar e me ndriçim e kanalizim anësor… Se rrugët anësore janë si me i pasë hangër qentë, ose nuk janë shtruar fare. Mund të shtrohen disa rrugë rurale që nuk janë shtruar kurrë, për lagje me banorë, që i kanë rrugët me gropa, ujë e me baltë…

Sado probleme ka ky vend, duket se problemet po ia shtojmë vetes me investimet e gabuara. Nga jugu tregohen më të zgjuar për t’i bërë disa gjëra me standarde e më funksionale se sa në veri, që e hedhin asfaltin e gurët maleve, ku ka pak banorë, e aty ku ka shumicë banorësh ndodhë që nuk investohet fare, ose investohet pa standardet e duhura… Kjo tregon budallalëk të madh e mendjelehtësi në këtë drejtim.

Janë politika të gabuara ekonomike, që po ushtrohen nga shën Pal Gjatoja në majë të shtetit e deri te bashkitë në veri të vendit. Pra, po abuzohet shumë e me para të madhe, në investime jo edhe aq të domosdoshme, ose që mund të bëhen më vonë, dhe nuk investohet aty ku duhet e aty ku dhemb më shumë. Është realisht një krim i madh, që po i bëhet sistematikisht këtij populli, që tregon se kësaj qeverie nuk i ha palla për popullin e vet..

Kur i sheh këto investime të kota, të duket se Shqipërisë po i teprojnë paratë. E vërteta është se këtij vendi e shqiptarëve, paratë as u dalin për bukë. Njerëzit diskutojnë bukën e gojës, çmimet e karburanteve dhe produkteve të ndryshme janë tepër të larta e disa janë dyfishuar, ndërsa nga ana tjetër shikon investime luksi, ku paratë hidhen kot, dihet, me qëllim që dikush të përfitojë nga ato, si në rastin e inceneratorëve…

Të krijohet përshtypja se këta politikanë, në vend që të përdorin mendjen e t’i thërrasin mendjes, në këto kohë krizash të një pas njëshme, këta sllen si të droguar, dhe po vazhdojnë e hallakaten dhe sillen pa mend fare! Po abuzojnë me të madhe… kur duhet të tregohemi të gjithë tepër të kujdeshëm.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.