Të rinjtë e Korçës, kohët e fundit kanë treguar një interes ndaj sporteve malore, atij të “hiking” duke u organizuar me njëri tjetrin për udhëtime fantastike në çdo stinë të vitit.Në reportazhin e radhës do të tregojmë për dy të rinj, të cilët mes tyre kanë krijuar një platformë në internet që do të promovojë vlerat turistike, kulturore të qarkut të Korçës.Bëhet fjalë për aplikacionin dhe webin discoverkorça.al.Një risi për qytetin, pasi këtu mund të gjenden vendet më të bukura në Korçë, në fshatrat turistike të saj por edhe në zonat e pashkelura më parë.Dy të rinjtë, Krenar Myrteza dhe Florenc Duhanxhiu kanë bërë të mundur krijimin e kësaj platforme.Gjatë bisedës me ta, ne mësuam disa nga udhëtimet më të bukura, që kanë bërë grupi i të rinjve korçarë së bashku me vizitorë nga qytete të tjera të Shqipërisë, me kushte të vështira atmosferike, me reshje bore por edhe në ditë të nxehta të verës.
CNA.al do të sjellë për lexuesit dy nga udhëtimet më të veçanta të grupit të të rinjve të cilët kanë zbuluar shtigje të pashkelura më parë nga vetë banorët e Korçës por edhe nga turistë.Udhëtimi I parë është ai I fshatit Shipskë në Njësinë Administrative të Voskopojës, vetëm 5 km larg fshatit turistik dhe me një pamje mahnitëse.Me ajrin e pastër, gjelbërimin, objektet e kultit, të rinjtë kanë mbetur të mahnitur nga ky udhëtim.Gjatë muajit Janar në qarkun e Korçës ka patur reshje të dendura të borës, e pikërisht kjo ishte një nga arsyet që këta të rinj vendosën të çanin borën për të arritur në Shipskë, mes të ftohtit të acartë ata ja dolën ta përfundonin guidën me sukses.
“E kemi shijuar shumë sepse dëbora, njerëzit e mirë dhe pamja fantastike e krijuar e bëri udhëtimin magjepsës.Kur arritëm në Shipskë vizituam Kishën e Shën Gjergjit, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe që daton prej shekullit të XVIII.Sipas të dhënave që mësuam nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, ky objekt kulti është në gjendje të mirëmbajtur por kërkon disa restaurime. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi, hajati, këmbanarja dhe një ndërtim I vonë që ka shërbyer si faltore.Pas Kishës së Shën Gjergjit u nisëm drejt një shtegu tjetër, duke u përpjekur me dëborën që kishte humbur çdo gjurmë të tij dhe duke shijuar çdo pamje që na ofronte natyra qetësuese, arritëm tek Manastiri i Shën Prodhomit. Ai është ndërtuar në një pozitë natyrore piktoreske, në harkun kohor të vitëve 1632-1634, ndërsa pikturimi I saj është përfunduar në vitin 1659. Ajo që e bën të veçantë është fakti që mendohet se është vepër e murgut Andon i Shipskës.Trashësia e borës gjatë guidës tonë ka qenë mbi 30 cm, e bënte shumë të vështirë udhëtimin pasi edhe gjatë tij binte shumë borë. 10 km udhëtim, gati sa nuk ngrimë së ftohti, por në kthim u ulëm në një lokal për të pirë një çaj të ngrohtë për të marrë veten”, – tregon Krenar Myrteza.
Guidat turistike janë një nga aktivitetet më të bukura që mund të zhvillojnë të rinjtë e sotëm, dhe arsyet janë nga më të ndryshmet.Fillimisht ata njohin pjesën e rrethinave, jo vetëm të qytetit. Gjatë udhëtimeve, mund të shihen bukuri natyrore të pazbuluara, ecjet në këmbë dhe ngjitja e maleve e bën akoma më interesante.Udhëtimi i dytë është ai nw shtegun e Gurit të Capit në Devoll, i cili ka lënë mjaft mbresa tëk të rinjtë që u bashkuan në këtë guidë hiking.
“Udhëtimi ynë filloi në fshatin Vërlen drejt fshatit Grapsh. Një fshat i vogël, i thjeshtë, i bukur ku vizituam kishën e Shën Gjergjit, një kishë e vogël por shumë e bukur mbi një kodër që duket sikur lind dielli, dhe shkollën e fshatit e cila ishte ndërtuar në vitin 1838.Me qetësi, shoqëri dhe plot energji, ngjitëm maloren drejt fshatit Bradvicë, ku shijuam ujin e burimit të fshatit, biseduam me banorë të cilët na mikpritën, dhe më pas vazhduam rrugën drejt pylllit të ahut me pemë shekullore rreth 200 vjeçare.Nën flladin prag pranveror u nisëm drejt Gurit të Capit I cili është monument natyre, dhe pasi bëmë foto e video, filluam zbritjen drejt Bredhit të Drenovës.Shtegu ishte i pyllëzuar nga pishat, lajthitë dhe bredhi ku përreth gurgullonte përroi, rrëke e currila.Vizituam kishën e vogël të Shën Pjetrit në Bozdovec, më pas kaluam nga shtegu i Krajlit, rrugës mblodhëm disa fosile ujore në mal (kryesisht guacka) dhe vazhduam rrugës drejt fshatit Mborje ku vizituam Kishën e Ristozit”, – shprehet Florenc Duhanxhiu.
Dy të rinjtë kanë pohuar mw tej, se pjesëmarrësit kanë qenë të gatshëm për tu bashkuar me guidën, për të dalë nga monotonia.Ata janë shprehur të mahnitur nga vendet që I kishin afër por nuk i kishin vizituar.Këto guida largojnë stresin, çlirojnë energjitë negative dhe të mbushin me pozitivitet. Ndaj thirrja e Krenarit dhe Florencit është që kushdo të bëhet pjesë e hiking, për të përjetuar eksperienca ndryshe.