Kozeta Bruçi
mësuese e Letërsisë 

Tetori, muaji i Letërsisë, nuk do kalojë pa i dhënë vëmendjen e duhur, nga gjimnazi Gruemirë në Malësi të Madhe. Tashmë është krijuar një traditë që të ftojmë shkrimtarë, kryesisht të kësaj bashkie, por jo vetëm. Këtë vit na nderoi me pjesëmarrjen e tij autori i 6 vëllimeve me poezi, poeti Isuf Heba.
Në një auditor me nxënës e mësues të këtij gjimnazi, por dhe të shkollës 9 vjeçare “Myftar Mataj”, u zhvillua një bisedë mjaft e këndshme që pati temë kryesore: “Përse në ditët e sotmë lexohet më pak dhe si mund ta zbusim fenomenin?” Biseda u alternua me shembuj konkret, bërjen e një analize të plotë, konkluzione mbi dobinë e komunikimit dhe artikulimit cilësor etj.
Nuk munguan pyetjet drejtuar poetit Heba mbi botën krijuese dhe atë personale të tij, vështirësitë apo frymëzimet në krijim, leksiku i përdorur ne vargje, etj. Mjaft interesant ishte momenti kur poezitë u lexuan jo vetëm nga nxënësit, por dhe vetë mësuesit e lëndëve të ndryshme mësimore.
Nga ana e tij poeti Isuf Heba mbajti një qëndrim të hapur e të sinqertë me auditorin, duke shkëmbyer mendime të një niveli të lartë intelektual dhe ofruar argumente te forta mbi temat që u prekën. Aktivitete të tilla i japin rëndësinë e duhur dijes që vjen nga leximi i librave duke sfiduar formimin e cunguar, të cilin rinia po e merr nga keqpërdorimi i teknologjisë. Para së gjithash duhet t’i japim përparësi formimit kulturor e shpirtëror, e që këtë më së miri na e dhuron Letërsia.



Ju falenderoj nga zemra për kontributin e dhënë në mbarëvajtjen e aktivitetit.
