Shpeshherë kam qenë e pranishme në promovime librash në Shkodër dhe në disa qytete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Diasporë por është hera e parë që e kam pëpjetuar aq thellë forcën krijuese të një poeti. Shkrimtari, gazetari, publicisti, kritiku Bedri Islami promovoi dy libra “Vrasja e Lulit të vocërr” (Zeneli babai i Bedriut ishte Luli i vocërr i Migjenit) dhe librin “Vetmi akujsh” në Bibliotekën Marin Barleti e cila atë ditë peshonte shumë rëndë nga vlerat e të pranishmëve tashmë të mirënjohur në të gjitha trevat shqiptare dhe jo vetëm si Maikon Zeqo, Petrit Ruka, Xhevahir Spahiu, Fadil Kraja, Zija Vukaj, Xhahid Bushati, Ekrem Bardhi, Nail Draga etj të cilët kishin një refren të përbashkët ”Bedri Islami është poeti i kohës moderne” Mbase Bedriun kam shumë vite që e njoh aq më shumë vëllai im e ka prej vitesh shumë mik. Se mos ishim vetëm ne të tillë në atë sallë, të gjithë të pranishmit e kishin mik prej kohësh dhe të gjithë gëzonin respekt për të ashtu si dhe unë. Natyra e tij modeste, dashamirëse dhe komunikuese kishte pranuar rreth tij mjaft miq. Dija mjaft për punën dhe aktivitetet e tija por siç duket paskam ditur vetëm majën e aizbergut pasi veprimtaritë e tij ishin të shumta, voluminoze jo vetëm në fushën e krijimtarisë e të gazetarisë si një informator realist dhe konkret por dhe një levrues shumë i mirë në aktivitete kombëtare, kjo ndoshta se prej disa vitesh udhëtimet e tija kanë qenë të shumta. Krahas shkrimeve me tema të ndryshme në revista, gazeta apo portale të ndryshme kryesisht kontributi i tij ishte mjaft e lavdërueshëm prej vitesh për lirinë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si dhe transmetimin edhe në Amerikë dhe lobimin për këtë çështje dhe për të tjera çështje në arenën ndërkombëtare. Për këtë më vjen mirë pasi dhe unë mund të kem një pjesë të vogël krenarie se me plot gojë mund të them se jam poetja shkodrane që jam përfaqësuar më shumë në aktivitetet letrare në mbarë shqiptarinë ku dhe jam vlerësuar disa herë. Kam dhe një detyrim personal që më duhet ta shpreh për Bedri Islamin pasi është dhe redaktori i librit tim “Një jetë në 36 shkronja” botimi im i gjashtë kërkesë që menjëherë ma pranoi. Salla ku ishim mbledhur për promovimin e dy librave krahas kumtesave të detajuara të shprehura me superlativa për nivelin e tyre u fol për aktivitetet e ndryshme. jetën e tij shtetërore, miqësore dhe familjare. U interpretuan me mjeshtri disa poezi nga aktorët e Teatrit të Shkodrës Agron Dizdari dhe Merita Smaja e cila me poezinë “Ikën djemtë” na bëri të përlotemi të gjithë por dhe vetë poetin, na preku në një plagë që pothuajse të gjithëve po na rrjedh ashtu si dhe mua. Poezia fliste për dhimbjen e mbarë shoqërisë sonë me ikjen e të rinjve, largimi nga Atdheu, të afërmit, miqtë por dhe nga nënat që shpeshherë nuk arrijnë as të dëgjojnë frymën e fundit të tyre. Do më mbetet në kujtesë një ditë e tillë duke qëndruar me shpresën se Shkodra do të dijë ta vlerësojë për punën disa vjeçare të suksesshme Bedri Islamin. Faleminderit biri i Shkodrës që na bëre krenarë. Përforcove slloganin tonë “Shkodra djepi i kultures. Faleminderit Nënë Dritës dhe Baba Zenelit që të edukuan! Faleminderit që je miku i familjes sonë dhe i gjithë shkodranëve!
PREGADITI : FARIDA RAMADANI