Antiamerikanët, të korruptuarit e mëdhenj dhe ata që minojnë demokracinë tonë

0

Nga:Marash Gila

Këto muajt e fundit, ka pasur zhvillime të reja në partinë demokratike që ka nxitur median vizive dhe të shkruar të japë mendime nga më kontraverset. Shkak i kësaj u bë shpallja e Z. Sali Berisha “non grata” nga ana e SHBA-së. Kjo ra si rrufe në qiell të pastër, sepse, tashmë, kanë kaluar më shumë se 8 vjet që ish-kryeministri, ish-kryetari i PD-së dhe ish-Presidenti i vendit, nuk është më në funksione që e lidh me akuzën. E nëse kjo lidhet me të kaluarën, përse kaq vonë? Në anën tjetër, ky reagim i vonuar krijon shumë dyshime e hamendje. Duke parë qëndrimin e nderkombëtarëve nder vite, gjatë dy mandateve të PS-së, është krijuar përshtypja se ata që na monitorojnë, na vëzhgojnë e na këshillojnë, nganjëherë duket sikur na komandojnë, kanë mbyllur sytë dhe veshët, duke bërë të verbërin, shurdhin, indiferentin ndaj dështimeve e skandaleve të pushtetmbajtësve. Por asnjëherë, nuk harruan të thonin se ka progres në shumë fusha, duke ngulmuar tek reforma në drejtësi  e duke thënë se janë plotësuar kushtet për të hapur negociatat me BE-në për integrimin, gjë që nuk duket gjëkundi. E kundërta po, sepse reforma në drejtësi nuk ka dhënë shënja të besueshme, sepse kushtet për integrim veçse janë shtuar nga viti në vit. Vendimim i fundit i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 e tregoi më së miri këtë që sapo thamë. Pse nuk na i thonë vetë pushtetarët dhe ambasadorët arsyet e moshapjes  së negociatave me BE-në. Pse nuk po e gjejmë rrugën e humbur? Ata që aprovojnë ligje të paligjshme, që nuk i zbatojnë ato, ata që na lanë pa Gjykatë Kushtetuese, pa të lartën për 3 vjet, nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë. Dosjet janë bërë mullar. Korrupsionit dhe çdo skandali iu la dorë e lirë. Mjaft nga ata që u vetinguan i përkasin kohës së diktaturës dhe mbeten të pabesueshëm. Drejtësia sorosiane dhe e pushtetmbajtësve nuk i duhet demokracisë. Ajo i shërben një kohe dhe regjimi tjetër. Edhe kur ndodh diçka, duket tepër selektive ose duket sikur po merren me hajdutët e pulave.Dyshimet dhe hamendsimet sa vinë e rriten, kur dihet se gjatë viteve të pushtetit absolut të “rilindasve të mëdhenj” kanë ndodhur gjëra që e kanë përkeqësuar në ekstrem treguesin e korrupsionit apo minimin e demokracisë, për çka akuzohet Z. Sali. Këto akuza janë bërë për pushtetarët e sotëm nga DASH, por edhe nga organizma të tjera që masin shkallën e korrupsionit, duke theksuar fort se kjo sëmundje ka depërtuar në çdo qelizë të shtetit. Dhe se për këtë kanë faj ata që qeverisin (sundojnë, më saktë) dhe jo ata që janë në opozitë. Korrupsionin më të madh e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë ata që sundojnë sot. Treguesit janë të shumtë, por le ta nisim me tenderat sekret, me rrugët e ndertuara apo në ndertim e sipër, ku pazaret korruptive e kalojnë 4 fishin e vlerës që duhej të kishte. Shpenzimet që gllabrojnë PPP-të, inceratorët, koncesionet, shëndetësia, policia, luksi i pushtetarëve etj, janë tregues ulëritës dhe plaçkitje e popullit të varfër. Borxhi publik që rritet gjithnjë, më shumë si shpëdorim se sa si nevojë, tregon papërgjegjshmërinë e qeverisë në skajin më të lartë. Në këto drejtime mund të zbulohet korrupsioni i madh dhe të korruptuarit më të famshëm. Ndaj, ajo shprehja : “Ndiqni paranë” ku ka shkuar, pasuritë përrallore të pushtetarëve dhe do ta zbuloni, nëse doni, vlen më shumë se asnjëherë tjetër për rastin që po flasim. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënjes e djallos fare korrupsionin dhe minon e demokracinë.Po t’i shohim gjërat me gjakftohtësi, me paanësi dhe me fakte, do të arrinim në një tjetër konkluzion, jo tek ai që trumbetohet paturpësisht. Dhe nuk është vetëm korrupsioni, që ka të bëjë me mosfunksionimin e drejtësisë, moszbatimin e ligjeve, kapjen e saj nga ana e pushtetit. Rreth 8 vjet më parë, rilindasit rekrutuan shumë kriminelë, i bënë deputetë e kryebashkiakë, zyrtarë të çfarëdo niveli, por kjo nuk i alarmoi fare nderkombëtarët as ambasadorët. Dhe se prisnim të na thonin a ndodh kjo në vendet e tyre? Po të ndodhte, si do të veprohej? Nuk na thanë. Po me mbjelljen e kanabisit në çdo cep të Shqipërisë? Edhe kjo e thënë e stërthënë nga opozita dhe shtetet përreth.Tonelatat e kapura në Itali e gjetkë e vërtetojnë më së miri. Qëndrimi i nderkombëtarëve përsëri ishte dhe mbetet tepër tolerues. Ky lloj qëndrimi e ka dëmtuar demokracinë dhe opozitën, ka lejuar korrupsionin. Dhe ja ku jemi sot.Nderkombëtarët dhe ambasadorët e dinë fare mirë se këtu nuk ka zgjedhje, ka vetëm votime. Këtë e dinë edhe vëzhguesit nderkombëtarë. Ne bëjmë edhe zgjedhje( votime) moniste, por kjo nuk e minueka demokracinë!? Kjo qënka OK. Këtu votat blihen, votuesit shantazhohen,diasporës i ndalohet e drejta për të votuar, patronazhistët e jashtëligjshëm identifikojnë “armiqtë e partisë”, kujdesen për votat. Kemi punësime e fonde shtesë të pajustifikuara në prag zgjedhjesh dhe rezultati dihet paraprakisht. Konkluzioni i nderkombëtarëve dhe vëzhguesve thotë se zgjedhjet ishin të qeta. Sikur kjo i thotë të gjitha. Paligjshmëria nuk paska rëndësi. Ne nuk mund t’i bëjmë zgjedhjet as si Kosova dhe shtetet tjera përreth. Përse na duhen gjykatat, ligjet, normat, rregullat, kur nuk zbatohen? As zgjedhjet nuk na duhen më, sepse ato nuk e bëjnë ndryshimin. Është minuar demokracia, pra.Çfarë tregon emigrimi masiv? Papunësia, varfëria, pensionet nën minimumin jetik, gati gjysma e tyre, rrogat qesharake? Me këto matet puna e qeverisjes. Nuk kanë lidhje këto me korrupsionin, me minimin e demokracisë? Kush e paska fajin? Kush na qënkan antiamerikanët, të korruptuarit e mëdhenj apo ata që minojnë demokracinë? Nuk qënkan pushtetarët tanë të sotëm dhe ata që i mbështesin?! Think again (mendoje edhe një herë), kushdo qofsh!Ky regjim po përpiqet të glorifikojë diktaturën, duke na uruar 29 Nëntorin me foton e sh. Enver, duke rekrutuar nostaligjikë të komunizmit si deputetë për të na bindur se ajo kohë kishte shumë të mira. Kujt i shijon kjo çorbë e helmuar? Këta janë të dështuar e të papenduar.Mos doni të na thoni se “gjërat, me të cilat jeni mësuar, nuk ju bëjnë më përshtypje”, siç thonin latinët. Përkrahja që po i bëjnë këtij regjimi ambasadorët, po e përkeqson gjendjen, po e dëmton opozitën dhe dëshprimi po i largon shqipëtarët nga vendi i tyre. Mos po gabojnë ambasadorët? Uroj të na kuptojnë edhe ne të tjerëve, që jemi shumica!Koha ka evoluar dhe njerëzit janë bërë më të ditur. Sikur nuk shkon më shprehja e përdorur nga latinët: “Jurare in vera magistri”, që do të thotë, të betohesh në fjalët e mësuesit, kur dikush nuk ka mendime të vetat, por kërkon t’i mbrojë ato që ka thënë mësuesi i tij, dukje i quajtur ato si të pagabueshme, por, dihet se kushdo mund të gabojë, pavarësisht nga autoriteti, inteligjenca dhe shteti nga vjen. Jeta e ka provuar këtë.

 Dhjetor 2021

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.