Avokate Edlira Bylo
HYRJE
Dhuna me bazë gjinore dhe diskriminimi janë fenomene të pranishme jo vetëm në rendin e cdo dite por edhe në institucione publike, private dhe përpara drejtësisë. Sidomos, nëse do të hedhim një vështrim mbi shifrat që na jepen mbi këtë të fundit, do shohim një rritje progresive gjatë viteve dhe të intensifikuar ndaj subjekteve.Dhuna ndaj grave, pothuajse vazhdimisht projektohet njëkohësisht dhe ndaj fëmijëve, të cilët mbeten padiskutimisht viktima të dhunës së asistuar. Në të njëjtën kohë, abuzimi ndaj të miturve si brënda dhe jashtë shtëpisë, gjatë viteve të fundit, ka mbushur kronikat e medias vizuale, sociale dhe të shkruar. Pse ndodh kjo? A është punuar dhe a po punohet mjaftueshëm? Cdo ditë dalin shifra dhe statistika në lidhje me përmbushjen e direktivave dhe prioriteteve, por kjo nuk mjafton. Shohim se mangësive në legjislacion I bashkangjiten dhe mangësitë në aplikimin e tij. Si rrjedhin, kostoja I mbetet viktimave, grave, të miturve të dhunuar dhe të abuzuar. Por nëse në mbështetje të grave tashmë legjislacioni ka bërë hapa mjaft konkrete, që nga hyrja në fuqi e ligjit “9669 -Për masa ndaj dhunës në marëdhëniet familjare”, deri në ndryshiment e vitit të fundit, pa përmendur mekanizmat që ndihmojnë në zbatimin dhe aplikimin e këtij ligji, sa mbetet akoma për të bërë? Sa të duash, sidomos nëse kemi parasysh mentalitetin e vështirë në konceptimin dhe këndvështrimin ndaj viktimës (e cila riviktimizohet), jo vetëm përpara opinionit publik, por fatkeqësisht akoma në mënyrë të përsëritur në institucione. Stigma ndaj “viktimës” nuk ka vetëm ngjyrime gender, por ajo tek e cila unë dua të ndalem, është paragjykimi, trajtimi I diferencuar (me konotacione negative), riviktimizimi i të miturve në cilësinë e “viktimës” përpara drejtësisë. Jo vetëm viktimat e dhunës dhe dhunës në marëdhëniet familjare, por sidomos viktimat e krimeve monstruoze seksuale, të cilat, të miturit në heshtje, janë të detyruar ti përjetojnë jo rrallë herë brënda dhe jashtë mureve të shtëpisë.
ANALIZË
Në ndryshimet e fundit në Kodin Penal, vërejmë ndryshimet esenciale si p.sh: Nenin 1, ku shtohen fjalët “të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve,” apo edhe heqjen e rrethanave lehtësuese kur vepra penale është kryer ndaj femijëve.Gjithashtu, forcimi I masës së dënimit për krimin e dhunës seksuale ndaj fëmijëve, vepër e cila nga 15 vjet burg tashmë dënohet me 25 vjet burg. Në kod është shtuar edhe një vepër e re penale (Neni 107) që ka të bëjë me dhunën me natyrë seksuale, ndërkohë që Neni 108 është ri-ndryshuar i gjithi për të ofruar një mbrojtje nga krimet seksuale për fëmijëve e moshës 14-18 vjeç. Po në këtë vepër penale është përfshirë edhe tentativa për të takuar fëmijën për të patur marrëdhënie seksuale me të. Një shtesë tjetër në Kod është edhe ngacmimi seksual, përfshi edhe fëmijët, në paragrafin e ri C të nenit 108 të KP.Një rregullim të plotë ligjor ka pësuar edhe pornografia e fëmijëve në nenin 117 të Kodit Penal ku në ndryshimet e tij të fundit, e konsideron edhe posedimin, rekrutimin e një serë formash të tjera të pornografisë së fëmijëve si një krim.Po ashtu një zgjidhje adekuate është gjetur edhe për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik. Neni 124, paragrafi C i Kodit, është përmirësuar, duke përfshirë të gjithë format e shfrytëzimit të fëmijëve. Neni i ri thotë: “Detyrimi, shfrytëzimi, shtytja ose përdorimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe/ose fizik, apo arsimimin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.”
Më konkretisht, nëse kemi një analizë të përmbledhur, vërejmë që nga neni 100 I K.Pr.penale në vijim, kemi:
1-Neni 100 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar fjalë në paragrafin e dytë dhe të tretë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013) Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur2- Neni 101 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)3- Neni 101 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)4-Neni 102 Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura (Ndryshuar paragrafi i I, II me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)5-Neni 102/a Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur (Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012)6-Neni 103 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)7-Neni 104 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)8-Neni 105 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001) Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës, dënohet me burgim gjer në tre vjet.9-Neni 106 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)10-Neni 107 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike (Shtuar fjalë me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; shtuar neni 107/a me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)11-Neni 107/a Dhuna seksuale12-Neni 108 Vepra të turpshme (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; shtuar paragrafët me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)13-Neni 108/a Ngacmimi seksual (Shtuar neni 108/a me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013), etj.Pra, kemi një rregullim ligjor përsa I përket disa veprave penale, si psh marëdhëniet seksuale me të mitur dhe marwdhëniet seksuale me dhunë me të mitur, pornografia, mardhëniet në vënde publike, aktet e turpshme, marëdhëniet në gjini apo kujdestari….edhe me të rritur, të renditura në të njëjtin seksion. (ndryshe nga legjislacioni ndërkombëtar, ku krimet ndaj të miturve, ndahen në seksione të posacme, të vecanta).
PROBLEMATIKA
Padyshim që konventat dhe ligjet si, p.sh ligji për mbrojtjen e fëmijës mbulon shumë hapësira, por kjo nuk mjafton kur vjen fjala tek krimet seksuale ndaj të miturve.Për të sjellë një shembull, le të përmëndim rastet e heqjes së përgjegjësisë prindërore, ku proceset zgjasin dhe gjykata (me të drejtë) ndesh vështirësi, për të vendosur mbi paditë që kanë pikërisht këtë objekt. Por, në rastet ku personi abuzues është njëri nga prindërit (i cili mund të ketë ushtruar dhunë seksuale vazhdimisht mbi fëmijën, sic jemi në dijeni nga raste gjyqësore dhe mediatike së fundmi), një ligj ose strukturë e posacme do ti kursente kohë, kosto, mund dhe bashkëjetesën me abuzuesin fëmijës. Dhe raste të ngjashme kemi plot. Po t’I hedhim një sy shifrave të vitit të fundit, vërejmë që 66 fëmijë janë deklariuar të dhunuar seksualisht (ndërkohë që shumë të tjerë nuk deklarohen dhe fshihen për arsye të ditura nga familja dhe shoqëria). Sipas burimeve zyrtare, një në 10 fëmijë në Shqipëri, dhunohet seksualisht, Shumë shpesh, kjo dhunë fshihet pas të ashtuquajturave “traditave zakonore”, kur në fakt mbeten veprime pedofile në një tentativë të dështuar maskimi. Për më tepër, zëri dhe dëshmia e tyre nuk gjejnë forcë mjaftueshëm, aty ku duhet të gjejnë drejtësi, edhe për faktin se mungon ekspertiza dhe segmente të vecanta që t’i trajtojnë me prioritet. Gjithashtu duhet tërhequr vëmendja ndaj faktit që tek këta aktorë të drejtësisë mungon sensitiviteti për t’i trajtuar këta raste me respektin ndaj viktimës, pavarësisht nga mosha, gjinia dhe kategoria të cilës i përket. Një ligj të posacëm, me efektivitet të menjëhershëm sic është ligji për dhunën, që i jep tagër dhe fuqi viktimës në cdo rrethanë duke ofruar mbrojtje maksimale, apo efektivitet në lidhje me procedurat dhe afatet, nuk ka. Nga ana tjetër, konventat dhe ligji për mbrojtjen e fëmijës, parashikojnë një sërë mekanizmash, por që parashikojnë kryerjen e veprave penale në përgjithësi dhe efektiviteti i të cilave kërkon angazhim dhe përgjegjësi më të madhe. Nga ana tjetër mungesa e strukturave të posacme për fëmijët në drejtësi si gjykatës, punojës social dhe psikologë të posacëm për të miturit (aq më tepër për të miturit viktima të krimeve seksuale) mungojnë. Ashtu si urdhërat mbrojtës që gjykohen nga të njëjtët gjyqtarë të seksionit penal apo familjar, në të njëjtën formë edhe krimet seksuale ndaj të miturve nuk merren në konsideratë nga ekspertë të posacëm dhe gjykata tenton t’i mbulojë dhe të “heshtë” për të tilla cështje “tabu”.
KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME
Barrierat dhe mangësitë në kapacitete profesionale, niveli I ulët I standarteve, vakumet në kuadrin ligjor kërkojnë një vëmendje dhe kujdes të vecantë.
Duhet filluar nga një ligj I posacëm për të miturit viktima të dhunës seksuale (ku përfshihet edhe baza gjinore, sepse gjini të ndryshme kanë specifika të ndryshme)…deri tek mekanizmat e posacëm për zbatimin sa më efikas të komplet legjislacionit në lidhje me krimet seksuale ndaj të miturve.Eshtë vërtetuar që ekzistenca e një mekanizmi referimi në mbështetje të viktimave të dhunës, si një hallkë e rëndësishme në zbatimin e këtij ligji, ka sjellë bashkëpunim, koordinim dhe bashkëveprim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse.Në të njëjtën formë, ekzistenca e një sistemi referimi për fëmijët viktima të dhunës seksuale, do krijonte lehtësi dhe avantazhe në trajtimin e rasteve sensitive më me prioritet. Më konkretisht, ajo që ne sugjerojmë është: -Krijimi I një seksioni të vecantë për të miturit viktima të dhunës seksuale pranë gjykatave-Punojës social dhe psikologë të posacëm, ekspertë të profilizuar-Avokatë ekspertë të profilizuar në këtë sektor-Oficerë gjyqësorë dhe prokurorë të specializuar kryesisht në krimet ndaj të miturve dhe të caktuar për të trajtuar cështje të kësaj natyre-Mjekë ligjorë të posacëm të trajnuar dhe profilizuar, për të trajtuar cështjet e të miturve-Një sistem referimi i posacëm për viktimat e dhunws seksuale dhe më bazë gjinore, ku bëjnë pjesë gjyqtarët dhe prokurorët përkatës, avokatë, psikologë dhe punojës socialë të profilizuar për dhunën dhe dhunën seksuale; përfaqësues nga njësia e mbrojtjes së fëmijëve dhe shërbimeve sociale pranë bashkive, etj.Dhe mbi të gjitha, këto të parashtrohen në një draft ligji të vecantë ose t’I shtohen legjislacionit në fuqi në formën e amendimeve.Të drejtat dhe liritë themelore të të miturit, mbrohen me kushtetutë, ashtu si të drejtat e grave dhe grupeve vulnerabël. Është detyra dhe misioni ynë, që këto të drejta të të mbrohen dhe të zbatohen përmes ligjit. Po për këtë duhet të ngrejmë zërin, të gjithë së bashku, ku institucionet, familjet, shoqëria civile të mos heshtin përpara këtij fenomeni por të gjithë së bashku të bëhen një zë i fuqishëm për viktimat, në drejtësi.
.V. O . Ilustyrimet nga redaksia.