Sa paguhet një punëtor shqiptar , nga ai që punon në nëntokë deri tek bar-kafetë

0

Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në vend flasin për 469 mijë të punësuar në ndërmarrjet ekonomike.

Në këto shifra nuk përfshihet sektori bankar, ndërkohë që përfshihen edhe disa ndërmarrje shtetërore.

Anketa e ndërmarrjeve ekonomike përfshin edhe fondin që ndërmarrjet në bazë të sektorëve kanë vendosur në dispozicion për pagat. Në bazë të përllogaritjeve të bëra nga “SCAN”, rezulton se, sektori me pagat më të larta mesatare është industria nxjerrëse.

Por, nga ana tjetër, këto të dhëna tregojnë edhe nivelin e informalitetit në sektorë të ndryshëm, pasi sektorët që kanë pagat më të larta janë edhe ata më të formalizuarit, si telekomunikacioni apo industria nxjerrëse.

Në këtë sektor ka 11.120 të punësuar dhe një fond për pagat prej 8.6 miliardë lekësh, ç`ka përkthehet në rreth 64 milionë euro në vit.

Kjo do të thotë se, një punonjës në këtë sektor paguhet mesatarisht 479 euro në muaj në vend të dytë ndjek sektori i transportit, informimit dhe komunikacionit, me një pagë mesatare sipas përllogaritjeve në 369 euro në muaj. Ky sektor numëron rreth 34 mijë punonjës.

Në vend të tretë ndjek energjia elektrike, uji dhe trajtimi i mbetjeve me 332 euro në muaj. Më pas kemi ndërtimin me 250 euro në muaj, industrinë përpunuese me 193 euro në muaj, tregtinë me 151 euro në muaj, dhe në fund akomodimin dhe ushqimin, ku përfshihen në pjesën dërrmuese punonjësit në Bar-Kafe.

Ky sektor rezulton të jetë i fundit jo vetëm për shkak të pagave mjaft të ulta, por edhe për shkak të informalitetit. Ndërmarrjet në këtë sektor deklarojnë vetëm 52 mijë punonjës dhe një fond pagash prej vetëm 7.4 miliardë lekësh në vit, ose 55 milionë euro, çka përkthehet në 88 euro në muaj për një punonjës .

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.