Në parlamentin e Malit të Zi do të jenë 6 deputetë shqiptarë!

Lëvizja “Evropa Tani” e presidentit, Jakov Milatoviç arriti të marrë numrin më të madh të votave sipas rezultateve të para të shpallura nga Qendra e Monitorimit të Zgjedhjeve mbrëmjen e djeshme në Malin e Zi.Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 11 qershor në Malin e Zi tregojnë se Lëvizja “Europa Tani” ka dalë e para me 26 përqind të votave apo 24 mandate, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri e vetme.
Pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviç me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.Koalicioni pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviçit me Demokratët të Aleksa Beçiçit 12.3 përqind ose 11 mandate. Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.Në parlamentin e Malit të Zi do të jenë 6 deputetë shqiptarë, 4 nga partitë nacionale shqiptare dhe dy nga partitë qytetare.
Dritan Abazoviç ( URA), Drita Llolla ( DPS) ndërsa nga partitë nacionale në parlament do të jenë pjesë Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Genci Nimanbegu i Aleancës Shqiptare si dhe Nikollë Camaj dhe Ferhat Dinosha nga Forumi Shqiptar.Dritan Abazoviç dhe koalicioni URA me të cilin mori 11 mandate në zgjedhjet parlamentare thotë se do të jenë shtylla kryesore e koalicionit në Mal të Zi.


