Letërsia shqipe është krahasuar disa herë me një ngrehinë të rreptë e të ftohtë, gjysmë kështjellë, gjysmë manastir. Fillimet e saj si letërsi murgjish, e kanë nxitur ndoshta një përftim të tillë. E paktë, e tkurrur tragjikisht, për shkaqe dhe rrethana që dihen, me një ndalim të gjatë shumëshekullor, me një periudhë dygjuhëshe, latine dhe shqipe, me alfabet të padashur, madje të demonizuar në ceremoni zyrtare fqinjësh, ka mbërritur në shekullin e njëzetë, ku, në kundërshtim me shpresën, e ka pritur një zezonë e re: censura dhe vetëcensura, fajtore për të cilat nuk ishte askush tjetër veç vetë Shqipërisë. Ndonëse e tillë, e ngushtë, përherë e pamjaftueshme, spartiate e pa madhështi të jashtme, si gjithë vlerat shpirtërore të krijuara përmes vështirësish, e rrezatonte megjithatë një hije të rëndë. Ndërkaq, për një paradoks të madh, në vend që të ishte mikpritëse ndaj shkrimtarëve që do të plotësonin mungesat e saj, bënte të kundërtën. Portat e saj rrinin më shumë mbyllur se hapur. Prej tyre ishin nxjerrë përdhunshëm personazhe të mëdha, ikja e të cilave bënte që të ngjanin edhe më të zbrazëta hajatet dhe qelat e saj. Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj. Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij. Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare. Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan. Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli. Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej. Studiuesit do ta kishin më të lehtë të pohonin se, meqenëse në një epokë të tillë mizore nuk mund të krijohej letërsi, ata e kishin braktisur krijimin letrar. Ndërkaq, pikërisht në kohën e vështirë ishin krijuar disa nga perlat më të çmuara të të gjitha epokave, si vjershat “Gremina” dhe “Flaka” të Poradecit ose “E madhe është gjëma e mëkatit” e Kutelit e ndoshta të tjera vlera, që do të zbuloheshin më pas. Pyetje të shumta do të lindnin: ç’do të bëhej me këto perla? Do të mohoheshin, ngaqë bezdisnin klishetë dhe mendjet e ngushta, apo mashtrueshëm do të kalonin në tjetër kohë? Edhe më të vështira do të ishin pyetjet për aradhen e shkrimtarëve që kishin lindur ose ishin rritur në epokën që quhej e gabuar. Për shkak të saj, e pas rrëzimit të saj, ata do të quheshin gjithashtu të gabuar e do të binin bashkë me epokën, apo fati i tyre do të vendosej pas ligjesh të tjera, e nga një tjetër verdikt? Martin Camaj nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë. Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme.