Një event i mrekullueshëm e organizuar nga e bija e të Madhit Gjosho Vasija e mrekullueshmja Angela Vasija , nderim e respekt figures së Gjoshos por dhe së bijës për nderin që i bëri figures së babait por dhe organizatorëve të promovimit të librit në ambjentet e Hotel Razafa Shkoder.
Respekt maksimal.
R E C E N S I O N NGA PRENDA SEJDIJA
• Ia kishte kushtuar arsimtarit 20 vjeçarë Gjovalin Prenka që desh të dilte në botën e lirë por e ndau pjesë- pjesë elita e motobarkës nga drejtuesi spiu e xhahil për të cilën dhe u dekurua. Atëherë….
Prandaj t’kam dashtë ma shumë se
lulet e tjera
Se ti n’furtunë kryet kurrë nuk e përule
Plagë do t’kem zemrën kur prapë të vij pranvera
E t’shoh se n’kopësht mungon
më e mira lule.
Atëherë telat e kitarës dridheshin, zëri i Gjoshos ngjirej.
Tashti, sikur ulej me këmbë në tokë, ndrroheshin tiparet e humorit, zhytej thellë në dhimbje të jetës.
Shfaqej një tjetër Gjosho po aq shpirt madh e fisnik por tashmë i vrarë e me lot ndër sy që rrallë kush ja pau…
Të tjerët njohën vetëm një Gjosho, atë që njihte e përshëndeste gjithkënd, që e donte dhe e nderonte gjithkush.
Por atëherë befasoheshe dhe kuptoje se Gjoshoja më fort se humorin njihte dhimbjen njerëzore e madje humorin e kishte vënë në shërbim të lehtësimit saj që ishte ulur këmbëkryq në çdo familje e fytyrë shqiptare.
– Autori i librit Pjeter Pepa e sjell real Gjosho Vasinë ‘meteor të humorit shqiptarë’ pra artistin e lindur, por sjell brenda librit shpirtin e dytë të Gjoshos dhe dallohet që nga mosha e hershme, pra pasqyron ndjenjën e thellë të dhimbjes njerëzore ku fillon me vargjet poetike aq prekëse e me dytësi mendimi nga ajo mendje e thelluar nga një thesarë i vërtetë e në mënyrë filozofike qan hallet e një populli të tërë i ndikuar nga ngjarja e arsimtarit a të tjera si kjo asokohe.
E gjithçka mbetet brenda ecejakeve të kohës misterioze.
Sikur të mjaftonin disa përgjigje mbi fenomenin atëherë edhe mjeshtria e artit të krijimit nuk do ishte aq e komplikuar sa vetë logjika dhe filozofia e të bërit art, ku sjell mendime esenciale, thellësisht me ndjesi dhe invencione të pasura letrare ku e bëjnë aq interesant imazhin gërshetuar në shpirtin e pasur të artit skenik.
• Mbas dy orësh nëpër Shkodër u hap lajmi i një mrekullie, u thanë uratë papushim për shpirtin e tij, do plaka bile banë edhe pelegrinazh mbas derës oborrit.
Nana ime foli fjalët ma të mira për “Shejtin” e lagjes.
Të nesermen dha një mendim që në të ardhmen edhe rrugicës ti vihet emni tij.
Dy ditë qëndroi mrekullia në kambë, të tretën nuk mujta me mbajt ma sekretin në bark dhe ja thash njënit.
Por ai njëni urgjent ia tha tjetrit, tjetri fill e te Pjetri, Pjetri ia tha Anës, prej Anës në gojë të Gjyljanës, e prej Gjyljanës në thuper të nanës…
– Duket se Gjosho kishte lindur humorist ku karakterizohet nga kënvështrimi gazmorë që në kontekstin kuptimorë paraqet pjesë humori dhe përcjell mjaft mesazh për lexuesit e librit e vjen në formë porosie ndonëse me doza të forta e normalisht prodhon kenaqësi interpretuese pasi për njerëzinë humori është pjesë integrale e jetës, unë mendoj se shkodrani pa një vakt mund të durojë por pa humorin nuk e pranon as vaktin.
Gjosho si një mjeshter i humorit e duke qënë i tillë me forcën e tij të brendshme ka kapërcyer vështirësitë e panumërta madje me energjitë e tij ka dhënë shkëndija drite miqve apo shokëve a spektatorit por dhe miqve pranë të cilëve gjendej.
Autori (i ndjeri) Pjeter Pepa, në këtë monografi me copëza historie vjen plot larmi e ngjyra e tëra kolorit ku të ngjall interes e kureshtje në gjithë aspektet e fjalës për krijuesin dhe gjeniun për të cilin bëhet fjalë, pra të madhin Gjosho.
Së pari autori ka përdorur dialektin shkodranë që i përshtatet më së miri tematikës në tërësinë e saj.
Së dyti ka gërshetuar mrekullisht bukur elementet e humorit, artit fjalës dhe estetikës, historive, poezive dhe letersisë apo dhe psiko- filozofisë në mënyrë të ndërthurur me mjaft mjeshtri e vijnë si margaritarë shkelqimi plot dritë dhe jetë për autorin, personazhin por dhe lexuesin e gjërë që tashmë librin e kanë në duar.
Në këtë monografi gjendet e përshkruar jeta puna dhe vepra e Gjosho Vasisë.
Ku nuk mungojnë as vitet e tij të errëta si ato të internimit në Kampin e Përqëndrimit të Tepelenës, nga ku dhe u njoh me bashkëudhëtaren e jetës.
Kthimi në Shkodër, puna si bojaxhi, në fabrikën e duhanit e deri tek vitet në skenë, e shumë detaje nga puna e jeta e Gjoshos, apo emigrimi larg Atdheut.
E më së fundmi ky personazh i dashur i publikut shqiptarë përmes peripecishë, vuajtjesh a rreziqesh që i kanoseshin nga hijenat mori vendimin e rëndësishëm për tu larguar nga toka më e dashur e eterve të tij.
E ç’pret nga të huajt mendonte Gjosho.
Kështu që autori ka nxjerr në pah përmes monografisë jetën dhe veprën madhështore të Gjoshos por dhe karakterin e tij të fortë e punëtorë i palodhur, të fisëm, dashamirës, kurajoz e mbi të gjitha njeriu që dinte të përcillte mesazhe përmes humorit.
Pra ky njeri vital e plot vlera që u kultivua brenda virtyteve njerëzore dhe luftoi me instrumente të ndryshme absurditetin e kohës dhe me zgjerimin e artit e humorit ngushtoi kufinjtë e moskuptimeve duke kaluar në avantazh përtej përceptimeve.
Gjosho dinte ta manifestonte me forma të gjetura humorin e me fjalë të gjalla duke ia veshur fenomenit, negativ a pozitiv të ketë qënë me ide të pafundme e brilante plot përshtatje e aftësi komunikuese me audiencën e gjërë e duke krijuar atmosferë relaksuese.
Janë pikërisht këto karakteristika të jashtëzakonshme që autori e sjell të gjallë personazhin e tij që siç duket e kishte aq për zemër, ndaj aftësia krijuese bën që vlerat të dalin në pah dhe e përkufizon me meritë si METEOR, dhe nderim për veprën që la pas Gjosho.
• Kam pasë mendue se vendit tim ja njoh të gjitha anomalitë, por më kishte mbet edhe diçka pa “eksplorue”, pra shterpësia letrare apo “injorimi i kulturës” sa që për mendimin tim edhe librat po bijkan viktimë e këtyre situatave të prapambetura …
Më thuej Pjeter, kush dreqin ti vën gurët në zemër me u marrë me libra tue e dijtë se ky popull nuk paska as të holla as dëshirë me lexue.?!
Nji kombit që i mungon “njeriu”i duhet punë e madhe me e lindë dhe me e rritë këtë njeri!
Duhen ndoshta shekuj me nisë Kombi me vue shtresat e kulturës dhe edukatës.
Shqipërinë do ta nxirrshin ndoshta nga situata ato 3.000 studentë që ndodhen në Perëndim por kush kthen prej tyre ..
E, kush ja len në dorë atyre..?!
Më vjen keq se edhe pjesa që nuk e meriton, dashtë e pa dashtë asht orientalizue aq sa tashti gjindet larg kërkesave të kohës.
Të përqafoj me zemër, e nuk pranoj që përsa shkrova, t’ma marrish për të randë, sepse unë kam bindjen se kur flas me ty, flas me vehte.
– Ndjenjë dhe mllef.
Gjosho ky artist i madh me shpirt sa qielli, e rrënjët thellë në demokracinë e vërtetë dhe kopshtin e shpirtit të mbjellë me art plot ngjyra pranvere ku asnjëherë nuk iu zbehen, përkundrazi.
Edhe atëherë kur At’dheu i tij i dashur nuk ishte më vendbanimi i tij , ai ishte një realist kritik.
Ashtu si Migjeni i viteve 1930, Noli a Konica fshikullon ethshën maskaradën demokratike të fillim shekullit 21, por dhe indiferentizmin shoqërorë që ka arritur kulmin.
Tek i shprehet mikut të ngushtë Pjetrit, jo me gjuhën e propagandës por kritikën impresionante për të gjithë dukuritë që po i ndodhin shoqërisë dhe At’dheut mëmë, sygjeron mundësitë dhe sqaron mjaft saktë rrethanat brenda hendekut.
Pena e Pjetrit, në brendi të këtij libri na e ka lënë një pasuri kombëtarë të dokumentuar si shembull konkret i njerit vital plot virtyte dhe kurajoz, si një testament ku do i sherbejë brezave të së ardhmes.
Nderim deri në përulje para veprës së Artistit Madh Gjosho Vasija.
Gjithashtu dhe shkrimtarit të librit e politikanit Pjeter Pepa.
U prehshin në paqe Gjosho Vasija dhe Pjeter Pepa.
Vepra e tyre do të jetojë për jetë të jetëve në këtë monografi të shkruar dhe zemrat e shqiptarëve.