PUTHJA

0
Ku ka dhuratë më  të bukur se kjo! Shkrimtari, poeti dhe publicisti i njohur shkodranë  Skender Temali, i “lutetet” redaktorit  mos e hiq  këtë  puthje.O miku yn i mirë Skender , sa redaktor të  vështirë  ka patur në kohëra Dashuria ,të cilët kanë hequr  sa e sa puthje !Të  lumt ty që e ke shpetuar “Puthjen”!-Redaksia
Nga Skender Temali
Redaktor,
Në ke dashuruar ndonjëherë,
Mos ma hiq këtë puthje nga vjersha,
Se zemërohet pranvera e s’më sjell petale,
E ndofta më merr mëri edhe vjeshta.
Për atë puthje nuk prisha pesë palë këpucë,
Me Anilën u putha ndaj muzgu në vjeshtë,
Kur pastrueset vjeshtën e mblidhnin në rrugë,
Kur shove ti abazhurin e re për të fjetë.
Redaktor, në ke dashuruar ndonjëherë
Mos ma hiq nga vjersha këtë puthje,
Lëre lapsin, në djall të vejë,
Dhe mos e kthe poetin në një lutje!
Mundet nga puthja të më lindë vajzë,
ty djalë,
E ndofta, kur të rriten, do bëjnë dashuri,
Po vallë, do mundesh t’u redaktosh ti puthjet
Me lapsin tënd të kuq a të zi?
Po ti kryq i bie puthjes sime në vjershë
E unë i nevrikosur iki nga redaksia,
Vet’ i dytë shetis parqeve të vjeshtës
Për inatin tënd
Me puthje më mbulon Anila!
Redaktor,
Në ke dashuruar ndonjëherë,
Mos ma hiq këtë puthje nga vjersha,
Se zemërohet pranvera e s’më sjell petale,
E ndofta më merr mëri edhe vjeshta…
1971
____________
Skender Temali
Shkrimtar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.