Së pari dua të falenderoj organizatoret e këtij aktiviteti në lidhje me lançimin e projektit “NaturAlbania: Veprimet e kapitalizimit dhe përmirësimit në kontekstin e territorit dhe mjedisit” mbeshtetur nga Koperacioni Italian, në të cilën përfshihet nje territor administrativ i konsiderueshëm i Bashkisë Shkodër.
Përdorimi i burimeve natyrore, është subjekt i shumë nismave të frytshme të përbashkëta mes Bashkisë Shkodër, organizatave të shoqërisë civile dhe donatorë me objekt përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Këto nisma mundësojnë menaxhim më efikas të mbrojtjes së larmisë biologjike, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në ekosisteme, zhvillimin e qëndrueshëm të eko-turizmit si dhe edukimin e komunitetit mbi vlerat natyrore të rajonit.
Është avantazh që Bashkia Shkodër, shtrihet përgjatë brigjeve të liqenit të Shkodrës, lumit Drin, lumit Buna me deltën e saj dhe me dalje ne det. Lagunës së Vilunit etj.
Burimet e shumta ujore, ekosistemet pyjore dhe tokat e pasura bujqësore i kanë dhënë përparësi edhe investimeve të cilat pas viteve 90` rrodhën në një proces të shpejtë transformimi që mbarti në vetvete pasoja pozitive dhe negative për mjedisin e kësaj bashkie.
Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore, mbrojtja e biodiversitetit dhe shërbimet ndaj ekosistemit janë sfida e radhës me të cilën Bashkia Shkodër eshte e angazhuar çdo dite per t’u perballur.
Ky angazhim presupozon nxitjen e iniciativave, përkrahjen dhe mbështetjen e projekteve dhe investimeve ambicioze me vizionin strategjik të zhvillimit të qëndrueshëm të këtij rajoni përcaktuar nga parimet e qëndrueshmërisë mjedisore dhe konventat ndërkombëtare në të cilat aderon vendi ynë.
Strategjia territoriale e Bashkisë Shkodër në kuadër të Planit të përgjithshëm vendor të saj, ka mirëpërcaktuar vizionin, qëllimet dhe objektivat tona në lidhje me këtë tematikë si:
Objektivi Strategjik 5- Mbrojtja e mjedisit dhe aftësia për tu përshtatur, mbrojtur dhe rimëkëmbur nga rreziqet natyrore
Programi Strategjik OS5PS1: Mbrojtja e Mjedisit
– Shtimi i sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura dhe zonave pyjore
– Mbrojtje e llojeve të rrezikuara të florës dhe habitateve të tyre në Liqenin e Shkodrës
Programi Strategjik OS5 PS7: Menaxhim i pyjeve dhe Kullotave
– Plani i menxhimit të pyjeve
– Pyllëzimi i Kurorës së Gjelbër të Bashkisë Shkodër në Malin e Taraboshit
Programi Strategjik OS5 PS8: Ndryshimet Klimatike
– Forcimi i kapaciteteve në Bashkinë Shkodër për hartimin e politikave për klimën, me prioritet ngritjen e sistemit të monitorimit dhe të raportimit vjetor në përputhje me kërkesat e BE
– Hartimin e planeve vendore të detajuara, menaxhimin e ujrave dhe tokës duke përfshirë bujqësine, pyjet dhe ruajtjen e natyrës.
Hartimi i Planit Lokal për Mbrojtjen e Biodiversitetit është produkt i filozofisë së punës që ka institucioni ynë në kuadër të bashkëpunimit me iniciativat për zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit.
Nje projekt shume i rendesishem qe po zbatohet eshte Rikualifikimi i Bregut perendimor te liqenit te Shkodres.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i dëmtimeve të zonave natyrore të bregut të liqenit, ruajtja e tij nga dëmtimet e mëtejshme. Në të njëjtën kohë ky projekt parashikon riorganizimin e aktiviteteve përgjatë bregut të liqenit dhe plotësimin e tij me aktivitete të reja ekonomike, rekreative, kulturore dhe turistike, duke respektuar mjedisin natyror.
Me panoramën e mësipërme desha të theksoj faktin e disa arritjeve konkrete në këtë fushë si resultat i bashkëpunimit konkret me projektet dhe iniciativat e rëndësishme për Bashkinë Shkodër dhe rajonin me organizata ndërkombëtare, kombëtare dhe lokale.
Ne mbështesim çdo inisiativë zhvillimore të territorit duke u angazhuar me seriozitetin më të madh për të kontribuar, koordinuar strategjitë dhe planet tona me çdo propozim konkret planesh apo projektesh për të krijuar sinergji për zhvillimin e qëndrueshem social- ekonomik të territorit.