Deputeti i Partisë Socialiste Paulin Stërkaj, ka bërë një kërkesë publike në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, ku të pranishëm janë vetë kryeministri Edi Rama, ministrat dhe kryebashkiakët, të cilët janë mbledhur për të diskutuar për situatën e rëndë të krijuar nga tërmetet shkatërrues në vend.
Stërkaj: Kjo kaloi, por të mendojmë për të ardhmen. Para 30 viteve ndodhi në Shkodër,
e kam përjetuar unë. Kishte të plagosur, por nuk kishte krevate ku me i shtruar. Duhet të veprojë çdo qeveri. Ministrat përkatës duhet të gjejnë specialistët e duhur, nuk duhet të bëjnë një propagandë. Çdo fëmijë sot është i plagosur psikologjikisht nga tmerri dhe paniku. Më mirë do ishte një solidaritet me specialistët e fushës, se sa me propagandën e deputetëve. Duke filluar nga deputetët të lëmë një kontribut nga rroga, por edhe nga të ardhurat e taksave që merr shteti, të ndahet një fond special.
Rama: Është e qartë që dje dhe sot e kemi shfrytëzuar maksimalisht aksesin në media, për të ndikuar në qetësimin psikologjik. Kontakti i drejtpërdrejtë është i pazëvendësueshëm, sepse afërsia dhe komunikimi janë të pazëvendësueshme. Fondi është gjithmonë në buxhet, fondi rezervë. Me këtë masë dëmesh, ne jemi krejtësisht të qetë nga pikëpamja e kapacitetit mbulues.