Pas 25 vitesh, mediat dhe opinioni publik pyesin ende nëse vdekja e Ledi Dianës më 31 gusht 1997 ishte vetëm një fatalitet, apo rezultat i një plani të mirëmenduar për ta vrarë princeshën. Në fakt, shumë nga misteret e supozuara rreth asaj mbrëmjeje patën shpjegime racionale plotësisht të besueshme.
Në orën 12.20 pas mesnatës së 31 gushtit 1997, mbrëmja e fundit e jetës së tyre, Diana dhe i fejuari i saj Dodi Al-Fajed hipën në makinën që duhej t’i çonte në rrugën “Arséne Houssaye”, pranë Harkut të Triumfit në Paris ku ndodhej apartamenti i Dodit. Por nuk mbërritën kurrë atje.
Jeta e tyre mori fund gjatë përplajes me një shtyllë betoni në tunelin Alma. Makina me të cilën po udhëtonte Diana, një Mercedes i zi S280, u shkatërrua plotësisht. Në një libër investigativ të shkruar nga gazetarët e “Paris Match”, Paskal Rostein, Bruno Muron dhe Zhan Mishel Karadeh, rezulton se makina është blerë në shtator 1994 nga menaxheri francez, Erik Buske për 85 mijë euro.
Në janar 1995, ajo dyshohet se u vodh nga një person që sapo kishte dalë nga burgu, dhe që shkaktoi një aksident duke ecur me një shpejtësi 160 km/h. Pronari i saj u këshillua të mos e riparonte, pasi makina ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.
Por duke qenë ndoshta jo shumë i interesuar për çështjet e sigurisë, ai mundi ta riparonte dikur dhe ta rishiste për 40 mijë euro te kompania “Etoile Limousines”. Më pas Mercedesi u mor me qira nga Hoteli Ritz, në pronësi të familjes Al-Fajed. Por asnjë nga shoferët e hotelit nuk donte ta ngiste.
Sipas dëshmive të mbledhura më vonë, frenat ishin të dëmtuara, dhe makina nuk mund të ecte e sigurt me një shpejtësi mbi 60 km/h. Një detaj që luajti ndoshta një rol thelbësor në vdekjen e Dianës. Atë natë fatale, truproja Henri Pol, u telefonua për ta shoqëruar Ledi Dianën.
Në atë moment Pol nuk ishte në shërbim, dhe sipas dëshmive kishte pirë disa gota verë.
Për t’u shkëputur nga fotografët që e ndiqnin nga pas, shoferi shkeli gazin në maksimum derisa humbi kontrollin e makinës. Por nuk ishte vetëm shpejtësia, ajo që shkaktoi përplasjen fatale.
Henri Pol e drejtonte mjetin me një përmbajtje alkooli në gjak prej prej 1.82 g/l, që është 3-fishi i normës së lejuar. Prindërit e tij, Zhan dhe Gizel Pol, e kanë kundërshtuar gjithmonë këtë version duke kërkuar një provë të ADN, për të vërtetuar se gjaku i analizuar ishte vërtet i Henrit.
Sipas BBC ekzaminimi i kryer në vitin 2006, tregoi se gjaku ishte i shoferit, që e ngiste Mercedesin e zi me një shpejtësi marramendëse (160 km/h), dhe i verbuar nga blicet e fotografëve, ndërsa ishte tërësisht i dehur dhe nën efektin e antidepresantëve.
Por Lord Stivens nga “Scotland Yard”, policia britanike, vuri në dukje se “… mostra e gjakut të Pol… u mor nga zgavra e gjoksit dhe jo nga zemra, gjë që nxiti shumë njerëz të besojnë se analiza ishte e gabuar apo se nuk i përkiste trupit të tij .Përpara se të përplasej në tunel, Mercedesi ku ndodhej Dodi dhe Ledi Diana ishte përplasur nga pas nga një makinë Fiat Uno i bardhë që po kthehej nga rruga “Voie Pompidou”.
Ajo përplasje e shkurtër nuk shkaktoi humbjen e kontrollin e makinës. Gjithsesi hetuesit francezë kryen një hetim të thelluar. E nisën nga gjurmët e pakta të bojës që kishte lënë Fiat Uno në makinën e princeshës. Por për një kohë të gjatë u duk sikur kishin të bënin me një makinë fantazmë.
Më në fund dyshimet u përqendruan tek Le Van Tanh, një shofer taksie parizian, që njëkohësisht merrej me bodybuilding. Në vitin 2006, babai i tij tregoi se pak orë pas aksidentit, i riu zgjoi me shpejtësi nga gjumi vëllain e tij, një mekanik në profesion, duke i kërkuar që ta ndihmonte të ri-lyente Fiat-in e tij në ngjyrë të kuqe.
Le Van Tanh u mor në pyetje nga policia franceze, por refuzoi të bashkëpunonte me britanikët. Jo vetëm kaq: Në fillim ai mohoi se ishte njeriu misterioz që drejtonte Fiat-in e bardhë atë natë. Por në vitin 2019, i pyetur nëse ishte gati të shkonte në Londër për t’u marrë në pyetje nga “Scotland Yard”, ai deklaroi: “E dini çfarë më tha policia franceze?
Ligji atje nuk është si këtu në Francë, mos shkoni”.
Ndërkohë, Lordi Stevens i tha Tanh: “Ne besojmë se atë natë ishit ju që e drejtonit makinën Fiat Uno, por ne nuk ju konsiderojmë fajtor për aksidentin. Ka pasur gabime nga ana e autoriteteve franceze…”. Nuk ka asnjë siguri që makina e pranishme pranë tunelit më 31 gusht 1997 të ishte e tija.
Por Le Van Tanh, nuk do të donte ta kujtonte më atë ngjarje dhe as të fliste për mediat. 12 minuta pas përplasjes mbërriti ambulanca. Në orën 1 pas mesnate, zjarrfikësit arritën të nxjerrin princeshën nga makina tërësisht e deformuar. Ajo u ringjall pas një arresti kardiak që kishte pësuar dhe u fut në ambulancë në orën 1 e 18 minuta.
Dodi Al-Fajed, 32 vjeç u shpall i vdekur në vendngjarje. Ambulanca me Dianën e plagosur rëndë u nis për në spitalin Pitié-Salpêtrière, 6 kilometra nga vendi i aksidentit. Mbërriti në spital gati gjysmë ore më vonë. Ambulanca ndali sërish rrugës sepse Diana pësoi sërish arrest kardiak, ndaj iu bë një injeksion adrenaline.
Doktor Xhejms Kolthërst, një mik i princeshës, tha më vonë për britaniken Express: “Besoj se nëse do të ishte ndërhyrë më shpejt, kirurgët do të kishin një shans më të mirë për ta shpëtuar atë. Sigurisht që plagët e saj ishin shumë të rënda, por vonesat patën pasoja vdekjeprurëse për mbijetesën e tij”.
Një nga teoritë konspirative që nuk është harruar as pas 25 vitesh, është ajo sipas së cilës trupi i Ledi Dianës u balsamos për të fshehur një shtatzëni të supozuar, një djalë i mundshëm i Dodi Al-Fayed, që duke qenë mysliman, do të përbente një skandal të pa precedentë për Kurorën britanike.
Madje, pretendohej se vetë Diana do të konvertohej në besimin Islam, edhe pse për këtë nuk ka asnjë provë konkrete. Kjo hipotezë e mbështetur fort nga babai i Dodit, Muhamed Al-Fajed, që ka qenë gjithmonë i bindur se princesha dhe djali i saj u vranë pikërisht sepse ishin personazhe të pakëndshme për monarkinë britanike.
Në realitet, balsamimi i kufomës së Dianës ishte i nevojshëm duke pasur parasysh ardhjen e Princit Çarls, presidentit të atëhershëm francez Zhak Shirak dhe motrave të princeshës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Sa i përket shtatzënisë, ajo nuk duket si një mundësi e besueshme. Mjeku ligjor që kreu autopsinë e trupit të Dianës, Riçard Shepherd tha për gazetën “Daily Mail”: “Nuk kishte asnjë provë që Princeshë Diana ishte shtatzënë”.
Edhe Andre Lienhart, një mjek francez që analizoi operacionet e shpëtimit më 31 gusht për investigimin e policisë franceze deklaroi: “Autopsia vërteton se Diana nuk ishte shtatzënë… E sigurt është se ajo nuk kishte vendosur rripin e sigurimit dhe kjo i përkeqësoi gjërat”.
Ledi Diana do të ketë qenë kohët e fundit e tmerruar nga ideja se mos vritej, ndoshta nga Princi Çarls apo shërbimet sekrete britanike. Në tetor 1995, princesha dyshohet se i tha avokatit të saj, Victor Mishkon, se kishte frikë për jetën e saj, se dikush donte ta “hiqte qafe”, ndoshta përmes një aksident automobilistik.
Por a patën gisht shërbimet sekrete në aksidentin fatal? Ish-truproja e Dianës, Li Sansum, deklaroi në një intervistë: “Zakonisht na ndiqte MI5. Por atë natë, ishte hera e parë që pamë forcat speciale… Një dëshmitar që drejtonte një makinë të vogël përpara Mercedesit në Paris natën e aksidentit, deklaroi se pa një motor me kapacitet të lartë që parakaloi makinën disa sekonda përpara përplasjes.
Një tjetër dëshmitar që udhëtonte në drejtim të kundërt, vuri re një motoçikletë të dytë që devijoi për të shmangur mbeturinat e përplasjes, dhe që vazhdoi rrugën pa u ndalur. Unë besoj se agjentët sekretë që e ndiqin Dianën mund ta kenë shkaktuar aksidentin pa dashje, ose mund të kenë qenë në afërsi kur ka ndodhur. Por nëse Diana do të kishte vendosur rripat e sigurimit, me siguri që do të kishte shpëtuar”.