Namik Selmani – Boston
Zëri i vendlindjes – (Poemë për Çamërine)
Çamëri e lashtë, më jep emrin “çam”
Dhjetë jetë të kem, për ty janë pak
Jemi larg prej teje, nëntë male mërguar
Zemra na u bë det, det i varfëruar.
Moj Zanë sypafjetur, amanet mbi breza
Zë i lashtë i fisit, beden mbi bedena,
Zgjohesh thellë dhimbjes Çamëri martire
Ke thirur në rradhë djemtë, këngët, ligjet.
Zemra na u bë plagë që nuk njeh mjekim
Era që dërgon është për të shërim.
Zemra na u bë vlagë ku mbjell manxuranë
Kush do m’i këputë, unë do t’i mbjell prapë.
Zemra m’u bë portë ku nuk ka trokitje
Vetëm mall e dhimbje , vetëm pëshpëritje
Zemra m’u bë qyqe, qan–o nëpër botë,
Po nuk ndez kandile përmbi varr të ftohtë.
Po nuk vesh të zeza, pajgori nuk pret
Një çast po të eci, aty pranë më ke.
Nuk dua të ndez qirinjtë e harresës
Në buhar të vatrës rrinë kongjillët ndezur.
E do t’i lidh brigjet me litarë malli
Qiellin e kaltër do ta ndez si zjarri
E do mbush sofranë me vaj e me mjaltë
Do të shkoj te varret posi një manar.
…Nëpër flakë të globit kralet hodhën firmë
Si s’iu drodh kjo dorë kur morën mallkim?
Shekulli i Gjakut mbushur–o me luftra
T’i rrëzoi oxhakët, mbushi dheun me plumba.
Dontë të të mbyste fjalë, gërma, këngë,
Të harroje gjyshër, varret me të renë
Që t’i kthejë malet, burg sa 1000 burgje
Oh, t’i thyen brinjët, t’i përzhiten lulet.
Donin të lotoje, të ishe memece
E t’i lije trojet, duke çarë në dete
Të hiqje flamurin nga sytë e sepete
Të harroje përallat edhe amanete.
Të mos belbëzoje në netët vrastare
Emrin e Kosovës, motrës me aq halle,
Motra të një nëne, thinjur para kohe
Që s’i mblodhën dot pikelat e lotëve.
Heshti Gumenica, ullinjtë zgjoi Filati,
Malit të Bozhurit iu rregjua shtati,
Gjyshër – Kostandinë u zgjuan nga varre
Kur panë tmerr mbi njerëz, Çamërinë mbi zjarre
Pranë një gërmadhe digjnin trupa foshnje
Bulurimë e grave shponte palcë toke.
O, ç’pe me sytë e tu, moj Paramithi!
Nga flakët e tmerrit dhe deti u thinj.
Seç u zgjuan këngët e baladat çame
Për t’iu hapur varr njerëzve pa varre,
Për t’i bërë kurorë, piedestal kujtimi
Të mos gdhendej kurrë mbi to HARRIMI.
Nëpër shi me plumba zgjuar vdekja rrinte
Ç’ të merrej më parë në udhën pa shtigje?
Në një djep të vjetër ku do rrisnin jenet
Një kuran të gjyshit, e muarën me vete.
Mes leckash të kurmit fshehën një flamur
Mund të djegësh malet, po kombi s’vdes kurrë.
Ndaj pak hi buhari, një grusht dhe nga ara
Fshehur në tumane mori thinjëbardha.
Mund të ndezësh flakë, të bësh hi minare,
Po nuk shuan detin që fle ndër damare
Si ftua me erë që rri në sepete,
Në vitet që rrodhën në kujtime mbete .
Mund të djegësh gurin, të bësh tym hambarët,
Mund të thash burimet si lubi vrastare,
Mund të djegësh lulet, bagëtitë në stane,
Mund të ngrohësh duart në flakë abetareje.
Mund t’u ndrrosh emrat, krojeve, lëndinave
Mund të thash dhe përrenjtë që shkojnë drejt mullinjve
Po nuk shuhet ëndrra dhe pse ia gjakose
Po nuk ndal Pranvera që zgjon palcë toke.
…….. Çamëri e bukur, ku m’i ke minaret?
Jepmë një mëngjes, të dëgjoj ezanet.
Jepmë krahë zogu të puth portokallet
Jepmë fuqi divi që të ngrej gërmadhat.
Jepmë forcë në gjunjë të mos mbetem rrugës
E të vë flamurin mu në gryk të pushkës.
E të hedh pëllumba përmes kaltërsisë
Të mbledh pika loti në cep të shamisë.
Jepmë krahë shqiponje, që të mbuloj djepet
Nesër kur të rriten, syri mos t’u jepet
E të ndaj në shtigje thela bakllavaje
Në Bajram Kurbane te Xhami e Madhe.
Nëm një vjeshtë, moj , të zgjoj dasmat çame
Ku bredhin mandilet vajzat kapedane,
Ku feks nuri i nuses në Shesh të Xhamisë,
Këmba e saj e bukur kur merr drejt shtëpisë.
…..Herë më shfaqesh nuse, me duvak të blertë
Herë nënë e dhembshur që këndon në djep,
Herë gjysh e gjyshe, pa bastun në duar,
Kur më rrëfen ëmbël kohën e kaluar.
Çamëri e bukur, sy me sklep lotuar
Diellin do ta marr, moj, për ty në duar
Do ta marr në duar, do ta fus në gjoks
Të më ngrohë shpirtin kur të thotë: “Kam ftohtë!”
Do t‘i përgjërohem maleve e shpateve
Gjithë fëmijëve çamë t’u jap manushaqe
T’ia vë faqen brazdës, kur të vijnë beharet
Që të mbjell misirët, det t’i bëj bostane.
E t’i vë përpara qengja e kaciqe
Në odën me shilte t’u bëj kafe miqve.
Kur të vijë vera, do kërkoj burimet
Një herë të thërras, që të gjithë përgjigjen.
Jo, nuk dua kalë t’i shaloj në sup
Këmbët gjak të bëhen, kur të shkel në udhë.
Me erën e Jonit kur të hidhet lemi
Do mbledh vashat, djeltë bashkë te kuvendi.
Do të ndez prapë furrat e të pjek kuleçët
E të thaj manuret, vargjet me çepele
Të vë nëpër porta mjaltë e borzilokë
E të rimbjell lulet në tokën plisngrohtë.
Do të vë prapë gjunjët te xhami e djegur
Me sy tej nga Dielli, do ta pres mëngjezin
Pastaj do të eci symbyllur në përrele,
Me mijëra fëmijë do të marr me vete.
Si një cicëron që nuk gabon kurrë
Do t’i çoj ngado nëpër shtigje, gurë.
Të prek një nga një muret në gërmadhë
Pllakat nëpër varre t’ua lexoj ngadalë.
Në Mal të Bozhurit , poshtë në Kalama
Do të mbledh gurë ilirësh e të bëj kala
E t’i them prapë botës me zërin e fortë
“ Në bedena malli Çamëria rron ! “
E nuk dua, jo, të më vijnë dhiolitë
Se kam zilet, dhentë, se kam zërin tim.
Se kam Osman Taken që më mban në zemër
Se kam fyell’n e Tanës që më fton në emër.
Se kam Çaparenjtë që më mprehin syrin
Nuk ka erë, tufan të më fikë kandilin
Se kam trima shumë, zemrat si masat
Pak të ndizet zjarr, botën e bëjnë flakë.
Shpirti im është zog që nuk njeh doganë
Nuk i lodhet krahu nëpër tramundane.
Nuk i lodhet syri, nuk njeh kryqe varresh,
Ecën me trok kali nëpër jele dallgësh.
Shpirti im është varkë, Çamëria-skela,
Mal të bëhet dallga, kurrë s’i ulet vela.
Në ma djegshin fletën, do t’ia them çdo zemre
Të ngrejë monument me shumë amanete.
Në ma zhdukshin fletën, me zakon të dhelprës
Qiellin do bëj saç, t’i përzhit njëherësh
T’i them botës mbarë që ka sy e veshë
Këtu buka s’thahet, djepet plot do gjesh .