Nga : Zana Tako
Besnikët krenohen me virgjërinë, të pabesët krenohen për tradhtinë. Morali shpirtëror është në luftë me imoralitetin në zgjedhje. Mburrja nuk është jetëgjatë, e njeriu nuk është i përjetshëm mbi tokë. Imoralët jetojnë në kështjella imagjinare, me role perandorësh e pasanikësh. “Faji” i vetëm i tyre, është se nuk kanë frikë nga askush. Imoralët e kanë të gjithë ditën të zënë me punë të kota. Mashtrimi zë një pjesë të madhe të ditës së tyre, duke vënë në lëvizje shërbëtorë të trashur nga mendja, të pistë nga ndërgjegja, të pangopur në lakmi, e punët në kështjellën ku shërbejnë, thonë se u venë për së mbari. Pasuria e këtyre kështjellave është teoria e luftës ndaj moralit. Virgjërinë e kanë armike të betuar. Për të venë çmim të madh për t’u dëfryer. E shijojnë në të ngrënë si drekë apo darkë speciale, me të ftuar patetikë, llafazanë e të panxënë. Kulmi i injorancës së tyre janë takëmet që përdorin. Ngatërrojnë dorën me këmbën, gjuhën me veshin, dhëmballët me sytë, e kjo ngatërresë i dëfren në ekstazë. Gjuha që përdorin janë kodet që kanë mësuar në tregtinë e shpirtit. Me këtë tregti mburren se janë bërë të pasur e me famë, por kjo famë u është kthyer në flamë, sëmundje me erë të ndytë, për të cilën shesin mend se është parfumi më i shtrenjtë i prodhuar në këtë fund kohërash. Të shesësh ndryrësinë për lavdi, është mësimi që shesin kështjellarët pasanikë të kohërave të fundit. Imoraliteti nuk është tokë që premton siguri. Kështjellat rrëzohen, e kështjellarët varrosen nën rrënojat e tyre. Mburrja është flamuri pa lavdi mbi këto rrënoja. Mësimi i mburrjes është kapitulli i fundit, i kapitullimit të kështjellave të ndërtuara mbi rërë!