Ndeshja mes Valurit dhe Vllaznisë në Islandë është mbyllur me një situatë kaotike. Goli i barazimit në minutën e 99-të, kur gjyqtari kishte dhënë vetëm 6 minuta shtesë në fund të sfidës, i hoqi nga duart shkodranëve një fitore që do të kishte qenë shumë e rëndësishme.Ndaj në fund të sfidës, trajneri Brdariç, drejtori Osmani dhe lojtarët e Vllaznisë rrethuan menjëherë gjyqtarin Tim Marshall nga Irlanda e Veriut, duke protestuar dhe duke i kërkuar shpjegime për këtë vendim për të zgjatur pa fund ndeshjen, teksa kërkonin edhe për një faull në dëm të skuadrës kuqeblu te aksioni i golit. Protestat vazhduan gjatë me gjyqtarin i cili i tregoi edhe një karton të verdhë Qarrit për protesta. Më pas, tensioni u zhvendos në tribuna, ku tifozët kuqeblu, të cilët nuk mungonin në stadium, lëshuan thirrje kundër gjyqtarit dhe disa prej tyre tentuan ta goditnin ndërsa po hynte në dhomat e zhveshjes. Kjo bëri që të kishte përleshje mes tifozëve dhe stjuardëve, me situatën e cila u tensionua për disa momente, derisa u rivendos qetësia.
AKUZAT E ISLANDEZËVE- Media islandeze “mbl.is” ka raportuar mbrëmë se pas përfundimit të ndeshjes Valur-Vllaznia situata ka qenë e tensionuar në ambiente e brendshme të stadiumit, ku sipas tyre ka pasur kërcënime ndaj drejtuesve të skuadrës vendase, si dhe tifozët kanë kontestuar gjyqtarët duke i pështyrë dhe hedhur sende ndaj tyre. Ja shkrimi i medias islandeze: “Anëtarët e bordit të klubit shqiptar të futbollit Vllaznia kërcënuan me vdekje anëtarët e bordit të Valurit pas ndeshjes.Mbështetësit e klubit shkodran sulmuan rojet e sigurisë në tribunë dhe për pasojë anëtarët e bordit të klubit shqiptar kërcënuan me vdekje disa prej anëtarëve të bordit të Valurit. Ata kërcënuan se do t’i vrisnin ata pas mbërritjes në Shqipëri. Më pas një tifoz i Vllaznisë pështyu gjyqtarin e katërt pas ndeshjes dhe një tjetër mbështetës hodhi një shishe me ujë drejt arbitrit kryesor. Policia u thirr në vendngjarje dhe për një kohë kishte dy makina policie dhe një motoçikletë jashtë stadiumit. Janë bërë edhe disa arrestime”.