Nga: Bibë Kaza – Revista “Fjala” i Bashkohet Urimit kaq sinjifikativ të autorit të këtij shkrimi duke uruar :Seit Vuçaj u shekullofsh së bashku me familjen tënde ideale!-
Një tungjatjeta e mjaltosur me grimca kujtimesh
Një tungjatjeta e mjaltosur me grimca kujtimesh

Pas mirëmëngjesit përplot dashuri për të gjithë ju miq të fb-ut, në këtë mëngjes dimëror, kryesisht të diellt e gazmor, ma ka ana të fokusohem apo bashkohem edhe me plot prej jush që konvergojnë me këtë dëshirë, tek Ai që e ka ditën e tij, S. Vuçaj – i lindur normalisht nga dy prindër, mirërritur bashkërisht nga dy palë prindër, por që djalëroi si më i miri bir edhe të tretët, me vajzën e të cilëve lidhi jetën…
Nadja e mirë, Seit djali! A ke pa me fjetë e ripërtërirë veten? Me kast që sot të jesh i freskët për të kujtuar e gëzuar atë sahat e ditë t’hajrit, që edhe mua e mirëdashësve tuaj na jetësoi një koleg, qytetar …e mik të virtytshëm.
Edhe pse Fb-ut i mungon info-ja që të lajmërojë dhe grishë për t’i uruar datëlindjen Seitit, Unë e kam për kënaqësi që kolegut e shokut tim të veçantë t’ia uroj atë me zemër, në këtë fillimdite premtues, teksa Ai, saktësisht sapo ka ngjitur katin e parë të 60-ave, me shikimin drejt lartësive! E, duke përfituar dyfish nga largësia, pasi deri sa të takohemi ikën dimri e do dalë Vera e i shkrujmë n’akull, në këtë urim – kartolinë për datëlindje, po publikoj pa autoçensurë, bile deklasifikoj edhe ndonjë të m’sheftë, të pa thënë deri më tash as mes miqsh të mirë.

Si herë e parë, mbaj mend që u poqëm në mjediset e redaksisë së gazetës së dashur “Luftëtari”, që atherë ndodhej në hyrje të Ministrisë së Mbrojtjes, diç mbi 35 vite më herët. Me gjasë do t’ketë qenë Hana e mirë. Ishte viti, tashmë i largët, ’87, teksa pas një trokitjeje të ndrojtur në derën e zyrës, gjithë mirësjellje hyn brenda dhe, me aksentin e dallueshëm e të këndshëm shkodran, prezantohet një oficer simpatik, edhe më i ri nga Unë që e kisha të gjashtin vit oficer dhe të parin në gazetë. E pasi pamë e diskutuam rreth shkrimeve që kishte në dosjen që shtrëngonte në dorë, si bashkëpunëtor që shkelte për së pari në gazetë, kuptohet që veç nevojës, meritonte pak më shumë kohë e vëmendje. Dhe dita e mirë shifet qysh nadje. Një djalë i qeshur, i paqtë, dashamirës e i përmbajtur, i sinqertë e i vëmendshëm, me bagazh njohurish dhe interesa të qarta për të avancuar, disi i rezervuar, por i koncentruar në përgjigje, me dëshirën të dëgjonte, pyeste dhe mësonte rreth bashkëpunimit me gazetën, me prirje e pasion që të ishte jo vetëm konsumatorë në lidhje me shtypin, veç përkushtimit e treguesve sinjifikativ në punë dhe uniformës që i shndriste, s’kish si të mos më bënte për vete dhe fitonte natyrshëm respektin e shtuar nga njëri bashkëpunim apo takim në tjetrin.
Aty e kështu zuri fill jo vetëm bashkëpunimi i suksesshëm i Seitit me gazetën, madje duke marrë këmbën zvarrë dhe afruar edhe bashkëpuntor të tjerë të rinj, teksa vite më pas Ai do bënte emër të mirë edhe si shef i Degës së Botimeve dhe kryeredaktor i Revistës Ushtarake të KDS, e jo vetëm.

Por, përtej shtypit e punës, fatmirësisht aty nisi edhe njohja, që më pas, mbi besimin e respektin reciprok, u shëndrrua në miqësi, e cila me kalimin e viteve i ngjan verës. Me kohën faktikisht na u puqën, pamë që përkojshim e përafroheshim në shumë gjëra, të formimit, karakterit, traditave nga vinim, këndvështrimeve e vizionit dhe u bëmë miq të mirë. Gradualisht u bëmë të afërt edhe familjarisht, aq sa Nana ime, tashmë parajsore, thoshte se kur takonte apo mirëprisnim në shtëpi Seitin ndjehej sikur po takonte e fliste me një të afërt gjaku e dëshire. Kjo sepse energjia që e krijon dhe ruan afrimitetin është kimia e karaktereve, empatia, shkuarja, mirësia, mirëkuptimi, respekti…, pavarësisht afrisë së gjakut e gjinisë, lidhjeve miqësore e familjare, të cilat janë një bonus fillestar.
Mirëprisnim thashë, por i dyzuar nëse është fjala e duhur, pasi ndonëse pritja s’kishte pse të mos ishte me qejf, kalonte thuajse në të thatë. Dhe kjo ca nga koha e s’kam-it, edhe më shumë nga sebepet e improvizimet shmangëse të të mirëpriturit, kur vinte koha me e lezetuar ndenjën e muhabetin me ndonjë stimulues a gjë të vogël. Le pastaj me qëndruar për drekë apo darkë, që bëhej mision i pamundur. E këtë e bënte pikërisht një bujar në vetvete e bir bujarësh, apo Ai që pasi bëri pashaportizimin si kryeqytetas e deri sa braktisi beqarinë, më kishte zgjidh, sidomos por jo vetëm, problemin e kafes për Nënën time, të cilës ia vetëpremtoi dhe la në dispozicion tollonin ushqimor. Përkundër rrymës, Ai i’u përket fisnikëve në pakësim, që ndjehen mirë vetëm me dhanë e me i’u ba mirë të tjerëve, përtej reciprocitetit, virtyt ky që tashmë i ka të paktë ithtarët. Ç’ti bësh, ja që e ka edhe ai një “ves”…

– T’gjitha t’mirat i ke, ene bujar je sak, por, kur n’shpinë tane i lutesh tjetrit me hangër ene me zor, at’herë e ke hak e duhet t’a shijojsh ene bukën e tjetrit. Jep me gëzim, por ene prano me respekt, të pastë nana, – e këshillonte në mënyrë kritike Nana ime, që edhe pse Seitin e kishte për zemër, kjo ishte e vetmja rezervë për të cilën nuk pajtoheshin.
Me dëshirën që të t’a giciloj kujtesën në këtë ditë të bekuar tënden dhe jap një dorë për t’a bërë atë sa më të këndshme, po shpupuris ç’ka është koleksionuar e si është çertifikuar në memorien time, arratisemi për pak çaste në motet e shkuara e sjellim thërrime kujtese e përjetimesh, si një buqetë virtuale, nëse e kalon testin e një dhurate kompensuese pa shpenzime në largësi, si të lodhur nga kriza që përjetojmë. E kur vijnë syresh shumë njëherësh, telash bëhet “kë të marrë, e kë të lë”, sikurse edhe nga t’ja nis dhe si t’a gatis buqetën, ashtu siç trokasin, me apo pa radhë, se për t’a qëndisur siç e meriton, druaj se i’a dal. Se s’mjafton vetëm dëshira a guximi, as inkurajimi prej sentencës se guximi është baba i suksesit.

T’a baj sefte me gëzimin tand të epërm, të stërpikun me njëfarë ndrojtje, që dukej se edhe faqet të ishin bërë me nishana, kur në krye të toplistës së preferencave tuaja muzikore u katapultua “O Mari, Maria”, që Juve i’u dilte së brendshmi, sa instiktivisht aq edhe ëmbëlsisht, vetëm “O Marjane, Marjana, faqet…”, i gatshëm për t’ia marrë hopa Napolonit. Dhe për të shuar kureshtjen time për “dertin” që të kishte kapluar zemrën, më kallëzove për sevdanë që të kishte zënë me financieren e re, që rastisi edhe Ajo t’a paskësh të atin oficer – madje të lartë, sidomos nga vlerat shumëdimensionale, për të cilin Unë kisha konsideratë të veçantë.
Dhe prej këtej hop, hidhemi direkt tek shakatë që bënim e “bindja” që duhej krijuar që të vija si dëshmitar në celebrimin e regjistrimin tuaj – të vetmin deri m’tash, me stoicizëm, sikurse edhe Unë “i ngráti”, në gjendje civile. Por, nuk po e cysim tutje këtë aspekt “paaftësie”!
Mandej, edhe pse s’mund të ketë lidhje me bankieren, se di përse më “këmbëngul” të mos anashkalohet deklarata e lënies së duhanit (që për koincidencë date i përket 11 shtatorit, veçse 11 vite para Atij të sulmit famëkeq të dy Kullave Binjake), faktikisht si premtim i mbajtur përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, ç’ka ndihmoi t’i shpëtosh paq ndëshkimit a debitimit nga organet strikte rregullzbatuese të familjes – gjysma juaj, apo pse jo, edhe mbajtësi i deklaratës, që na nxore huq.
Apo të rrëfejë takimin rastësor kur më prezantove me nanë – hyjneshën tane t’vërtet, aty para Shtëpisë me Gjethe, në këmbë, pasi at’herë kishim mungesë kafenesh, për më tepër ulur, pasi as u’a dinim “vlerën” e “shijonim” si sot, sikurse s’na mjaftonte as koha. E teksa edhe pse në pak kohë bisede, falë mirësisë që i shkëlqente aq natyrshëm, përmes të folmes, syve e buzëqeshjes së pandarë, m’u fanit a projektua si tezja ime e zemrës, kur po ndaheshim, priti që pasi Ti u largove pak hapa nga ne, me merakun e pashtershëm të një nane, të më besonte e linte një porosi që fqinjëron me amanetin… Një piketë reference kjo për mua, që e thellojë e kolaudoj më tej miqësinë tonë.
Në po këtë hulli, prerja e pakujdesshme e kallos së kambës së babës tuaj, bani që yt Atë, Sirantini (që në përditshmëri thirrej më shumë Bajram) – i pastë dritë shpirti i dlirë/si i Atij, të spitalizohej dhe mjekohej e njihej me shoqen time të jetës. Dhe parimet e njëjta e spitali i banë miq të mirë, sa që duke njohur tashmë dy breza, tek Dila u përforcua përshtypja e arsyetuar se jeni gjenetikisht njerëz të uruar, sojli të vërtetë, në gen.
E datëlindja s’mund të ndahet nga gjeneza, lum miku, gjë për të cilën i’a vlen të selektoj udhëtimin dhe vizitën aq mbresëlënëse në Vuç-Kurtajn tan t’lindjes. E paharruar jo vetëm pse e kisha herën e parë që shijoja e mahnitesha me bujarinë e mrekullive natyrore të Malësisë së Madhe dhe Shkrelit, me zë e nder në vertikalen historike, shtuar edhe nën shoqërinë tuaj si çift dhe vjehrrit tand, njëherësh mikut tim të përndritur Perlat Kondi. Por, përnjimend më së épërmi mora mbresa të pashlyeshme e kënaqësi nga Kulla e Vuçajve ku u jetësuat Ju, Seit. Kullë si kala, që edhe pse u dogj e rrënua dy herë gjatë luftës me Austro-Hungarezët, u ringrit edhe më fortë nga patrioti e malësori në zë Ali Tahiri, gjyshi yt – portretin e të cilit Ti e skicove përmes nderimit të të tjerëve, gojëdhanave e kangëve, si edhe kjo në linkun më poshtë https://fb.watch/hSX-1moNri/, siç rrjedh në gojën e rapsodit “Në shtatë male në malsi, ka pas emën kulla e tij”. Dhe pasardhësit e njerzit sojli që frymuan në të, i’a ruajtën me zell, pasuruan e përcollën denjësisht në breza atë emën t’nderum.
Në atë bazë të LANÇ-it e derë të hapur për miq, siç tradicionalisht kishte qenë e tillë edhe për partizanët çlirimtarë, në radhët e të cilëve u rreshtuan e kontribuan edhe dy djemtë e Ali Tahirit, njofta, kuvenduem rrafsh e bashkërisht cakërruem gotat përplot verë e miqësi, me axha Metushin e jetëdhënësin tand Sirantin, partizanë por edhe kontributorë të rindërtimit e konsolidimit, nga ai soj burrash që vërtetë “shkrin jetën na’t malsi, me rujt nder, me rujt burrni”, siç e artikulon aq bukur rapsodi, sikurse edhe me bashkëpasardhësit e tyre prezent dhe me dy nanat aq sojnike, nga duart e të cilave u “qëndis” përplotë tavolina dhe shijuam gatime gjithë dashuri e zemërbardhësi, teksa me Perlatin përzemërsisht falenderuam: I zoti i shpisë t’u rrit ndera! Përherë n’gzime t’u çeltë dera!

Po ç’ne dy nana, lind pyetja?! Jo, nuk është lapsus të shkruari. Ndonëse vetëkuptohet jo si pasojë e ndonjë devijimi a risie biologjike, de facto Seiti me vllazninë e tij kanë njoft, dasht e respektu barabár si prindër edhe axhën me t’shoqen, dada Fatimen, duke jetuar bashkërisht, si dhe besuar atyre drejtimin e familjes dykyrorëshe si zot e zonjë shtëpie, edhe pse baba i Seitit ishte më i madhi në moshë. Është nga rastet kur mund të flitet ene për diskriminim pozitiv në favor të ktyne të funit. Edhe pse Hyji a ç’far, nuk i’u dha biologjikisht fëmijë, ata i bashkërritën e i’u gëzuan reciprokisht, si ma fatlumi prind, 9 fëmijëve të vllaut e kunatës, barabár me këta të funit si prindërit real. Në këtë marrëdhënie të pazakontë, por të admirueshme, deri sa ata i’u dorëzuan, siç u’a donte zemra, përjetësisë. Se prind nuk janë vetëm ato që të japin jetën, por paralelisht, e ndoshta edhe më shumë ata që përkushtohen të të mirërrisin dhe në këmbim, gjatë mbarërritjes fëmija skalit në zemër, me shkronja të pashlyeshme mirënjohje, emrin e tyre siprind… Ishte pikërisht kjo arsyeja që edhe para dy vitesh u mblodhën tek Kulla, në rreth të gjerë, jo vetëm vllaznia e brezat vijues, me autoritete vendore dhe nga Veteranët e Tirana, për t’a përkujtuar në datëlindje Axhën Metush të kaluar në amshim, me vlerat e kontributet e tij edhe ndaj komunitetit në detyrat shtetërore e shoqërore, të cekura aq këndshëm në këngën kushtuar Atij, në linkun më poshtë.
Kësi djemsh e pasardhësish lindi e bekoi, por që fatkeqësisht, krejt të vegjël, i la jetimë bashkë me motrën e tyre Laje, malësori në zë Ali Tahiri në kullën e tij 2 podshe. Dy vllazën, po vllazën nga ata që ende i’u dëshmonin brezave se ç’është vllaznia bio, sikurse dhe dy kunata – në fakt kudita, përplot diell, motra të vërteta jobiologjike, njerëz të pakontaminuar e që nuk i’a lejuan vetes të ndoten nga viruset e kohës, interesat meskine pasurore, smira e egoja shkatërruese. Në atë kullë-oaz njerzish të thjeshtë, por të fisëm, mikpritës zemërbardhë e bujarë, të përkorë, që bënin vetëm miq e dashamirë, dalloje e ndjeje që pluskonin pa u ndie, natyrshëm dashuria, vlerësimi reciprok e mirësia në shpirt, pa kurrfarë nevoje grimi a fjalësh të bukura në eter, çiltërsia a marrdhënia e dlirë njerëzore, njerzillëku e gjeneroziteti i kultivuar me breza, që ruheshin vetëdijshëm si xhevahire jetësore…

Po sot, sa kulla janë bërë, lind pyetja? Në vend që ajo historikja në kodrinën e bukur, të “gjyshëronte” në shoqëri të kullave të reja të djemve që u burrëruan aty, fakt është se as tek e vjetra nuk frymon kush? “Bleta” u mëkëmb plot mbarësi e lëshoi, por në realitetin e ri, “bletëve” të reja i’u imponua e zgjodhën mundësi të tjera: vajzat Lirie, Tale, Shkurta e Fatmira u martuan, djemtë Smajli, Ramadani, Kujtimi e Neli u shpërndanë nga Kopliku deri në Lombardi. E megjithatë, Kujtimi – i shtati në vëllazëri, jo thjeshtë pse emri e lidh specifikisht më shumë me kujtimet e fëmijërisë a të shkuarës, por për gjakun që i rrjedh në vena dhe përkujtimin e nderimin e të parëve, por edhe që brezat vijues të dijnë se nga vijnë, e rikonstruktoi dhe bëri si të re kullën e brezave. Falë djersës e aftësive të admirueshme për të ngritur e menaxhuar bisnesin e tij në Itali, tashmë Kulla në fjalë shërben më së paku si destinacion komod ç’malljeje e përkujtimi me fëmijërinë, të parët e jo vetëm. Për të gjithë, por sidomos për Nanën Tule, tashmë mbi 91 vjeçe, si “e fundit Mohikane” e brezit me te vjeter në jetë te trungut familjar Vuçaj, por dhe miqësisë së Seitit, sa herë që Ajo do të shkojë e çmallet me vendin ku kaloi 2/3 e jetës, a “kuvendoje” e vendosi lule në banesën e fundit të atyre me të cilët ndau jetën.
Po le t’iu rikthehemi më përmbledhtasi përjetimeve që presin radhë selektimin.
Nisim gëzueshëm me dasmën tuaj, pjesën e Tiranës, aq mbresëlënëse tek mua, si miksim i këndshëm traditash krutano – vlonjate, me momentet pikante të saj; ftesën vlerësuese të mbretëreshës së dasmës për vallëzim, ndonëse Unë nuk i’a them shumë as sot atij “sporti”; apo shprehjen e lezetshme krutane “p’noni çuna, se e kena me borxh”, që sa herë më vjen t’a përdor, bashkë me notat e humorit, më kujton kryeeventin tuaj ku e dëgjova së pari.
E pastaj vijnë natyrshëm frytet e dashurisë e martesës. 12 dhjetori ’94, kur u bekuat me Kledin bukurosh, që i dha me shumë kuptim e ritëm jetës dhe krijuat trininë, duke u sprovuar edhe si prindër, apo katër vite më vonë kur kuartetin familjar do t’a shënjonte princeshë Fiona në t’katërtën ditë të dhjetorit të dytë të familjes dhe të parin e mijëvjeçarit të ri…, tashmë pas masterit të vllaut – për kokë të vllait, si ekselente brenda e jashtë auditorëve, duke studiuar për masterin shkencor.

Apo të kujtojmë folezën tuaj të parë dhe të ngrohtë tiranse, edhe pse me qera, ku të çiftosur nisët jetesën e familjes së re, për t’iu dhënë jetë ëndrrave e bashkëprojekteve në çift, vetjake, prindërore e familjare, ku thatë mirësevini me përgjegjësinë e plotë të pritësit dhe na u fiksua në kujtesë edhe ne vizitorëve, diku atje afër Fushës së Aviacionit. Dhe më pas, vizitat me plotë dëshirë të dyanshme, diskutime të këndshme e humor, që bënin tek njerëzit e uruar e gjithë mirësi, Nënë Hava-ja e Perlati të paharruar, që tashmë i takojnë parajsës, të cilët i’u kanë lanë bekimin familjarisht, por edhe si dhëndër e djalë në shpirt.
Pa harruar asnjëherë ardhjen për ngushëllim me Jankën dhe sytë tuaj të përlotur, bashkë me kritikën me vend për moslajmërimin e drejtëpërdrejtë për ndrrimjetën e jetëdhënëses time – pasojë kjo e mosmenaxhimit të duhur nga ana ime, ç’ka, përkundër dëshirës, edhe shoqëron rëndom ngjarjet e dhimbshme.
E ngasim më tej portretizimin me përvijimin e ngjitjes së djaloshit Seit në lartësinë 61.
Gëzimi i pestë i familjes, ai fëmija disi çamarrok në Vuçaj, nxënësi i dalluar i 8-vjeçares në vendlindje, apo i shkollës së mesme Industriale “1 Maji” Shkodër, edhe pse i’u desh të priste një vit që të mund të fitonte një të drejtë studimi pa pagesë dhe shpenzime minimale, i’u gëzua Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve dhe pastaj si mirënjohës e student sederli nuk i’u nda rezultateve të larta deri në diplomim. Pas titullimit oficer në korrik ’86, si start i karrierës e detyrë e parë qe ajo e komandantit të togës AKA në Vorë. Por, duke spikatur shpejt për cilësitë e duhura, pas 1.5 vitesh promovohet sekretar i Komitetit të Rinisë deri sa u suprimua si funksion e nisën reformat pa fund e bereqet. Për gati 4 vitet në vazhdim do sprovohej suksesshëm në detyrat komanduese komandant kompanie dhe batalioni kundërajror po në Vorë, sepse “abonenë” fatmirësisht e pati vetëm brenda Tiranës. Nga ’94 – 2013, me një ndërprerje rreth dyvjeçare si shef botimesh e kryeredaktor reviste në KDS, do t’i përkushtohej menaxhimit të personelit në Forcat Ajrore, kryesisht si shef, por dhe në Shtabin e Përgjithshëm, krahas kualifikimeve të disponueshme për karrierën, brenda e jashtë vendit, përfshi kurse pasuniversitar si Akademia Diplomatike, duke vazhduar me vlerësime performance maksimale.
Në mesjanarin 2018, me vërshimin e dytë qëllimmirë të oficerëve të mbrojtjes, pas atij të serisë së prefektëve, tashmë si drejtues në strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga strukturat ushtarake, Seiti emërohet drejtor i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Por, kësaj here jashtë Kryeqytetit, në Kukës, edhe pse jo më aq djalosh.

…Sfida bëhej mjaft serioze nga gjendja e mjerueshme e shumë emergjente që gjeti në atë institucion. Nga t’ia niste dhe me ç’far, me kë, në mungesë totale fondesh. Dëshira dhe sedra, sado të mëdha, janë të pamjaftueshme. Por deviza e Seitit është: para punës e detyrës, nuk ka kthim prapa. Gjendja ishte domosdoshmëri për t’u ndryshuar rrënjësisht… Dikush duhej t’a nxirrte nga ky degradim. Dhe Seiti, i kalitur mirë në kudhrën e FA, me ndjeshmëri ndaj ndryshimit pozitiv dhe aftësi për t’a projektuar e sjellë atë, vendosi të përvesh mëngët, të ngujohet në punë dhe sakrifikojë shumçka nga vetja, por dhe familja e tij, për të mëkëmbur gjithanshmërisht “familjen e re”, atë të IEVP-së. Të paraburgosurit vërtetë akuzohen dhe akuza ka dyshime të arsyeshme që ata kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri shoqërore, rrjedhimisht dhe të dënueshme penalisht, por, nga ana tjetër, shteti ka detyrimin t’i trajtojë në mënyrë të denjë njerëzore autorët e prezumuar të pafajshëm, ashtu sikurse edhe pasi i’u provohet fajësia dhe vuajnë dënimet përkatëse.
Pasi studioi e skicoj kujdesshëm nevojat, duke u konsultuar edhe me specialistë, listoi e preventivoj me nikoqirllëk nevojat, duke nisur nga më emergjentet dhe respektuar radhën teknike e teknologjike të punëve. Por mungonte vetëm një gjë fare e “vockël” – fondet nga a-ja te zh-ja. Edhe institucioni epror nuk ofroi dot, përkundër situatës që s’priste. Dhe Seiti le për nadje, inatin e mramjes, por punën e sotme nuk e shtyn kurrë për nesër. Pasi sensibilizoi stafin, hedh në diskutim zgjidhjen vetëfinancuese: duke ndarë nga paga krejt modeste, çdo muaj një kuotë lekësh, nga drejtori e personeli me radhë. Të blihen materialet, duke synuar që punimet t’i kryenin kryesisht me forcat e veta, përveç ndonjë procesi ku duhej domosdo usta, duke angazhuar njerëz të afërt pa pagesë ose me minimale. Ndodhi që pasi dëgjuan për këtë sakrificë të personelit, u vetëofruan të kontribuojnë për përmirësimin e kushteve të tyre edhe disa të paraburgosur.

Menjëherë pas dakordësimit, nisi projektimi e ndërhyrja në përmirsimin e reabilitimin e mjediseve të IEVP-së, për t’i bërë edhe më funksionale, të sigurta e komode, duke i bërë nga e para, apo me rikonstruksion pjesor a total të mjediseve a elementëve e shërbimeve për të paraburgosurit, për vizitorët dhe personelin, deri tek vendosja e panoramave, pikturave, stendave shpjeguese, orientuese dhe zbukuruese, përfshi vazot me lule, në çdo mjedis në regjimin e brëndshëm. Por, institucioni shtetëror e godina duhet të “flasë” e rrezatoj kulturë edhe së jashtmi, thoshte drejtori. Kësisoj, veç tjerash, nga përpara u krijuan lulishte me lule shumëngjyrshe, kurse për pjesën e pasme u blenë dhe mbollën pemë blini.
Financiarisht, vetëm nga blerja & shtrimi i pllakave në 20 dhomat e paraburgimit u kursyen në buxhetin e shtetit 230.000 lekë, teksa shifrës së rikonstruksionit total i shtohen zero nga pas. Plastë syri i keq! Ndërsa vuajmë nga sëmundja kanceroze e zhvatjes së buxhetit të shtetit nga administratorët e tij në gjithë nivelet, duke mbushur xhepat e llogaritë e tyre, ka edhe përjashtime si Seiti me bashkëpuntorët e tij, që nga xhepat e tyre i’a dhurojnë në vlerë leku – Shtetit, kurse si përmirësim kushtesh dhe shërbimi – të paraburgosurve, qytetarëve dhe punonjësve, duke e transformuar thellësisht gjendjen dhe arritur që ky IEVP të ketë kushtet më të mira në të gjithë IEVP-të e Republikës. Dhe e gjitha kjo, pa shmangur fokusin konstant nga mirëmenxhimi dhe përmirësimi në elementë dhe në sistem i institucionit, pa shkelje e premisë për ngjarje të jashtëzakonshme.
Shkurt e qartë: nga gjendje mjerimi, në histori e pastër suksesi!

Dhe ky sukses, as s’është rastësor dhe as i pari apo i fundit. Zotnia në fjalë (ndoshta i vetmi drejtor që shkonte për në familje në Tiranë dhe kthim në Kukës, në fundjavë ose një herë në 2-3 javë, vetëm me autobus), si shërbëtor i së drejtës dhe skllav i detyrës, e shtron natyrshëm e bindshëm rrugën për tek suksesi, jo të tipit “Eureka”, pa kurrfarë bërtitje e bujë, ndonëse suksesi ka “gojë” vetë. Ja përse për kuadro e drejtues aq të rralluar, s’ke si të mos ndjesh nderim, admirim e mirënjohje…
Fatmirësisht puna e tij është vlerësuar e promovuar edhe nga institucionet eprore, duke e transferuar dhe i gjetur zot drejtimit dhe mbarëvajtjes model të një tjetër IEVP-je në Tiranë, qysh para dy vitesh.

… Dhe “Suksesi nuk është thjeshtë të arrish në jetën tënde. Por edhe të inspirosh të tjerët t’ia arrijnë. Krenare për arritjet dhe vlerat e tua njerzore xhaxhi Seit”, i shkruante kohë më parë në Facebook mbesa e tij Mirsada Bajraktari Vuçaj (njejtë siç mund të pohonte edhe Viviana dhe secili nga mbesat e nipat e tjerë të dashur), si për t’a plotësuar e vulosur portretin e tij. Një medalje e çmuar nderi
, shtuar serisë së atyre të akorduara nga autoritetet shtetërore.
Dhe përfund këtyre thërrime kujtimesh e konsideratash vetiake, që kur ke bollëk e veçmas kur s’ia del të shkruash shkurt dhe i bie gjatë (edhe pse për njerëz e familje të veçanta, i’a vlen), në mungesë totale konflikti interesi, paçka se e di që nuk i’u pëlqen, kam kënaqësi t’a përmbyll duke i’u uruar përzemërsisht datëlindje të gëzuar, Seit vllai! Këtë të sotmen dhe deri kacafiute



-ave, vital dhe me zemrën plot, përkrah shoqejetës tande, pandarë dy pasardhësve tuaj të shtrenjtë e të mrekullueshëm, në shtim e zhvillim, Nanës fatlume që po gëzon pleqërinë me Smajlin dhe radhë katër motrave e tre vllazënve të shtrenjtë, deri në Milano, gjithanshmërisht e maksimalisht të realizuar