Mimoza e Ndue Lazri
-Për shkrimtarin e shquar e mikun e mirë Zija Çela-
I lindur kur sapo kishte trokitur pranvera, ai do të mbante gjithmonë pranverën në shpirt. Dhe këtë e transmeton edhe sot e kësaj dite kur në vitet e tij bashkohen dy shtata. Nuk di në mund të ketë një njeri tjetër që transmeton kaq ngrohtësi e mirësi në komunikim sa Zija Çela. Nuk di në mund të ketë një krijues tjetër, me një mal veprash cilësore në karrierën e tij krijuese, që të jetë kaq i thjeshtë e kaq njerëzor sa Zija Çela.
E njoh që prej 50 vjetësh e ka mbetur si atëherë kur ishte mësues në fshatrat e Kuksit, apo gazetar e shkrimtar në hapat e parë të krijimtarisë. Në më shumë se gjysmë shekulli krijimtari, vepra e tij letrare e ka renditur në panteonin e emrave më të lartë të letërsisë shqipe. Me stilin e tij, ku poezia është e pranishme në çdo rresht, ai mbetet poeti i prozës shqipe. E megjithatë, identiteti i tij i përditshëm janë thjeshtësia e njerzillëku.
Në këtë ditë të lindjes i urojmë me gjithë zemër energji përherë rinore, frymëzim të pashterrshëm për të na gëzuar me vepra të reja e të jetë i rrethuar kurdoherë me dashurinë e lexuesve të shumtë në Shqipëri e në të katër anët e globit.
Një dolli, sot për Ty, i dashur Zija. Me dëshirën për ta ngritur sëbashku në rastin më të parë.