Tango – Trishtim dhe pasion

0

Nga :Gladiola Jorbus

 Tango lindi në mes të viteve1880 dhe 1900 në hapësirën midis dy qyteteve që mbështeten në grykëderdhjen e lumit Rio de la Plata: Buenos Airesit (kryeqyteti i Argjentinës) dhe Montevideo (kryeqyteti i Uruguait). Tango është rezultat i një hibridizimi midis tri kontinenteve: Amerika – ku kjo valle ka lindur dhe është  rritur, Evropa – me emigrantët që kontribuan fuqishëm në krijimin e saj, Afrika – që influencoi ritmin e tangos që në lindje.Tango është një univers, një gjuhë, fenomeni kulturor i një shteti që shkon përtej kufijve të tij.Nostalgjia, trishtimi dhe zhgënjimi janë komponentët thelbësore të tangos. Këta element përshkojnë ndjenjat e muzikës symbol të  Buenos Aires-it (Argjentinë). Sipas  Enrique Santos Discepolo, par excellence tangoja është “një mendim i trishtuar që kërcehet”.Shkrimtari i madh argjentinas (me origjinë arbëreshe), Ernesto Sabato ishte ai që bëri një analizë akute të ndjenjës së tangos në librin e tij “Tango, diskutimi dhe kodi” në 1963. Sipas Sabatos,  tango mishëron tiparet thelbësore që vendi i tij kishte nisur të ndiente: nostalgji, trishtim, zhgënjim dhe pakënaqësi … “.Gjithsesi, të gjithë shkrimtarët e mëdhenj argjentinas kanë reflektuar në lidhje me këtë, sepse në ritmet dhe meloditë e saj (tangos), ashtu si dhe në veprat e tyre mund të gjejmë shumë sekrete të jetës argjentinase. Duke qenë se Argjentina është një vend i përbërë nga emigrantët, të cilët kanë provuar çrrënjosjen, ndaj dhe ushqejnë një ndjenjë të papërmbushur përkatësie.Gjithsesi, kërcimi i tangos ndërthuret me muzikë, tekste dhe çifte që lëvizin në mënyrë tejet sensuale. Tekstet melankonike të tangos ushqehen me trishtimin, viktimizimin dhe shprehin hijen e të vërtetave të pathëna.Tango, shpeshherë asociohet me flokë të lidhura pas, një trëndafil të kuq në gojë, lëvizje akrobatike dhe mbi të gjitha barazimin: tango= eros.Pas tangos fshihen pasioni, emocionet, zjarri, ritëmi, fantazia, energjia, teksa çiftet që vallëzojnë, kryqëzohen në hapa e lëvizje që imitojnë raportin erotik, plot elegancë e sensualitet.Fillimisht tango u preferua nga populli, klasat e ulëta të shoqërisë argjentinase, dhe shihej me snobizëm apo sy kritik nga shtresa e lartë për shkak të lëvizjeve provokuese.Më vonë u sendërtua në një kërcim kombëtar, madje krenari kombëtare argjentinase me jehonë ndërkontinentale.Në Paris, Londër, Romë, Madrid, në teatër, spektakle e kinematografi, ajo u shndërrua në një uragan të pamposhtur, aq sa Argjentina (toka ku lindi ky fenomen) feston çdo 11 dhjetor Ditën e Tangos.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.