Takimi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe deklarata në përfundim të tij
Dje, nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, u organizua mbledhja e rradhës së Komitetit Drejtues me praninë e kryetarëve të bashkive. Ky takim përvec cështjeve të brendshme të funksionimit të Shoqatës, u përqendrua në cështje problematike të kohëve të fundit të pushtetit vendor. Kryetarët e bashkive arritën në përfundimin e përbashkët për çështjet:
1. Shpërndarja e buxhetit, transferta e pakushtëzuar, vazhdon të mbetet në nivele diskriminuese për bashkitë, sidomos ato të djathta, duke mos përmbushur nevojat më minimale lokale. Ky diskriminim pasqyrohet dhe në financimin e projekteve nga grantet konkurruese përmes Fondit tëZhvillimit të Rajoneve por dhe në fonde të huaja kur kërkohet miratimi i Ministrive të linjës.
2. Funksionet e reja po vazhdojnë të sjellin problematikë për bashkitë për shkak të mungesës së akteve ligjore dhe nënligjore por dhe për shkak të infrastrukturës mjaft të varfër të trashëguar. Kjo duket mjaft qartë sidomos në repartet e zjarrfikësve dhe në përballimin e emergjencave civile. Bashkitë përballen me qytetarët për mangësi në ofrimin e shërbimeve nga njëra anë dhe me mungesën e fondeve, punonjësve të trajnuar dhe mjeteve nga ana tjetër.
3. Ndihma ekonomike, një cështje mjaft e trajtuar ditët e fundit, është cështja më sensitive. Kjo dhe për ndikimin që ka në një grup familjesh në nevojë. Kryetarët kanë konstatuar ulje të fondit të ndihmës ekonomike të akorduar nga qeveria dhe ulje të numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë. Sistemi i aplikuar nga qeveria sjell një mungesë të plotë transparence dhe përjashtimin e një numri të madh familjesh nga kjo skemë. Jo vetëm qytetarët, por dhe bashkitë janë të paqarta për kriteret që ky sistem përdor. Përjashtimi i familjeve nga kjo skemë shtrihet në përmasa shumë të mëdha.
4. Një çështje tjetër diskutimi ishte Draft- Metodologjia për taksën e pasurisë së paluajtshme. Kryetarët argumentuan ndikimin e madh në ekonomitë familjare që sjell aplikimi i taksimit për lloje të ndryshme të banesave apo ndërtesa të tjera. Propozimet konkrete, që synojnë lehtësimin e grupeve të ndryshme qytetarësh, do ti dërgohen zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
5-Shërbimi i Ujësjellësit ishte një tjetër çështje e trajtuar në takim. Bashkiakët ndanë me njëri – tjetrin praktikat dhe sfidat në bashkitë e tyre dhe shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për të përmirësuar sistemin dhe vazhduar aksionin për prerjet e lidhjeve të paligjëshme. Ndërkohë ngritën shqetësimet për mungesë financimi.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka miratuar një deklaratë të përbashkët për problematikën e ndihmës ekonomike, e cila është bërë prezente në media ditën e djeshme. Problematika për cështje të tjera i është përcjellë qeverisë.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë do të vazhdojë përpjekjet e saj në përfaqësim të interesave të anëtarëve dhe komuniteteve lokale që bashkitë anëtare përfaqësojnë.