STOKHOLMI OSE BUKURIA E PAREZISTUESHME

0
Nga: jani Malo
Kur pash për herë të parë Venecian u mrekullova, por edhe u trishtova njëkohësisht. Një qytet që ujërat po i marrin frymën, po e vdesin pak e nga pak. Pastaj i erdhi radha Venecias së Dytë, në Las Vegas-in e largët. Mahnitëse jo më pak, por ritmi i padurueshëm kaotik dhe fakti se ajo është një kopje gënjeshtare e së parës më krijuan përshtypjen se kisha parë farsën dhe jeta e vërtetë ishte e fshehur prapa maskës.
Kisha dëgjuar edhe për të tretën, Venecian e Veriut. Mezi prisja të shihja Stokholmin, qytetin e ngritur mbi ura. Dhe nuk më zhgënjeu. Bukuria e tij është pa rezistueshme. Janë 14 ishuj në liqenin e njohur Mälaren që bashkohen nga 50 ura. Jeta në mes të ujit, nëpër ishuj mund të duket vërtet e padurueshme për shumëkënd, por suedezët nuk kanë menduar kurrë kështu. Ata e kuptuan herët se paqja me tokën dhe ujin ishte më shumë se një nevojë për të jetuar. Pasioni i tyre i fortë, mendja e hapur dhe kreative, dashuria për natyrën, kanë bërë mrekulli.
Pata fatin ta shijojë Stokholmin në vjeshtën e hershme, në stinën kur aty rrezet e diellit janë të spërkatura me mjaltë. Një ngrohtësi e ëmbël që vesh gjithçka: qytetin, parqet, ujërat, ndërtesat deri edhe fytyrat e qeta të njerëzve.
Por edhe kush e viziton këtë qytet në ditët e tij të ftohta nuk zhgënjehet. Suedezët jetojnë në mes të ujit, në temperature të ulëta, por askush nuk ka ftohtë. Baret e ngrohta e të qeta, muzetë e shumtë, teatrot gjer edhe metroja të injektojnë ngrohtësi. Edhe pse në kësi rastesh ajo që nuk duhet harruar asnjëherë është shprehja suedeze: nuk ka kohë të keqe, por ka veshje të keqe.
Në Stokholm nuk ka rëndësi se çfarë mjeti transporti zgjedh për të lëvizur nëpër qytet. E sigurt është se kënaqësia që merr nuk ndryshon. Shëtitja me autobusët komodë është një aperitiv që të hap oreksin për të vizituar nga afër gjithçka që të zë syri. Të duket se je gjatë gjithë kohës në një paradë bukurie. E bukura është gjithandej, por ajo nuk pozon para teje. Je ti që rrëshqet anash saj. Një bukuri i ikën shikimit tënd e beftë siç edhe erdhi, për t’ia lënë vendin një bukurie tjetër. Prandaj kujdes! Duhet të përgatitesh mirë për rrotullimin e qafës dhe hapjen e syve.
Dhe nëse provon ta shohësh qytetin nga anijet kupton se nuk paske parë gjë nga autobusët. Shpejtësia dhe saktësia e tyre në orar si një sahat zviceran kaq të lejon. Përndryshe, kur je në anije, distanca që të krijon uji me qytetin të japin përshtypjen se po viziton një ekspozitë pikture apo më saktë një muze të hapur. Dhe Stokholmi nuk është tjetër veçse një muze gjigant.
Kush zgjedh metronë nuk fiton vetëm kohë për të arritur sa më parë për atje ku është nisur, por përjeton edhe një përvojë të rrallë. E hapur më 1950 metroja e Stokholmit është galeria më e madhe e artit në botë. Ajo është një vepër arti, ose më saktë një mozaik befasues veprash arti, që ndërrojnë stil, ngjyra e formë nga njëri stacion në tjetrin.
Por nuk ka mbaruar. Ka edhe një mundësi tjetër për ta shijuar e ndjerë Stokholmin. Të ecësh në këmbë. Nëse do të preferosh ta bësh këtë aq më mirë. E vetmja gjë që nuk ndien është lodhja.
Edhe nëse u lodhe, ndalo për një Fika. Pas fjalës fika për suedezët fshihet një filozofi e tërë. Është pothuajse si një ritual për njerëzit e këtij vendi sa herë duan të pushojnë pak, qoftë edhe për t’u ngrohur paksa në ditët e acarta. Pra, fika do të thotë të takosh miq për kafe dhe ëmbëlsira. Provoje, edhe pse mund të jesh vetëm, edhe pse nuk je suedez. Fika shijon. Veç kujdes! Të vetmet gjëra që, edhe pse i përdor gjithandej, vështirë se do t’i shohësh janë monedhat: seku apo kruna. Në Stokholm askund nuk mund të paguash me para në dorë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.