NGA MIMOZA STAKAJ
Në Hot të Malësisë së Madhe u zhvillua ceremonia e përfundimit të punimeve për ringritjen e kullës së njohur të Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në Muze të Malësisë. Fisi i Çunmulajve ka nxjerrë figura te shquara që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit dhe Malësisë për përpjekjet e tyre në mbrojtje te identitetit dhe trojeve shqiptare, mes të cilëve shquhet prijësi dhe luftëtari popullor Çun Mula, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Siç njofton nga Hoti i Malësisë së Madhe, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, Kulla e Çunmulajve u braktis dhe thuajse u rrënua gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa trashëgimtarët e Çunmulajve u internuan dhe burgosen.
Ceremonia e përurimit të përfundimit të punimeve për ringritjen e Kullës së Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në muze mblodhi në Hot të Malësisë së Madhe banorë të Malësisë, të Shkodrës, Tuzit e Trieshit si dhe përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, të cilët kontribuan për ringritjen e kullës.Pllakën me mbishkrimin “Kulla e Bajraktarëve të Hotit, Muzeu Malësia e Madhe” e zbuloi kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj së bashku me nismëtarin për ringritjen e kullës, drejtuesin e shoqatës “Kulla e Bajraktarëve të Hotit”, Arjan Bajraktarin.Duke folur në ceremoninë e rastit, Arjan Bajraktari vlerësoi faktin se kjo nisëm kulturore dhe historike gjeti mbështetjen masive të malësorëve, në të dy anët e kufirit, por edhe në diasporë duke i dhënë kështu Malësisë një nga dëshmitë më të rëndësishme të identitetit të vet.“Në atë ditë jo të largët, 12 shkurtit 2022, këtu në Hot, në këtë oborr, në çeljen e fushatës ku donator i parë ishte Mark Gjoku Ulaj që dhuronte 5 mijë dollarë në emër të vëllazërisë së tij, ndoshta askush nuk e mendonte se kjo fushatë për mbledhjen e fondeve do të merrte përpjesëtime kaq masive sa do të mund të arrinim sot, më 16 gusht 2024, të inauguronim përfundimin e punimeve të rinovimit të kullës, për më tepër, me një koncept muzeal modest”, tha ai.Kulla e Çunmulajve, në Hot të Malësisë së Madhe, i ka fillimet e saj rreth viteve 1770-1780 për të rrugëtuar gjatë shekujve duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Malësisë dhe kombit përmes prijësve dhe luftëtarëve popullorë të Çunmulajve, të cilët i prijnë Hotit dhe Malësisë në luftërat kundër ushtrive osmane dhe atyre malazeze në mbrojtje të kufijve kombëtar.Mes tyre shquhet bajraktari i Hotit, Çun Mula, një nga figurat më të rëndësishme të Malësisë, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në betejat për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Pas vendosjes së komunizmit, trashëgimtarët e Çunmulajve u internuan dhe burgosën, ndërsa kulla e tyre nisi braktisjen dhe rrënimin.Profesor Lekë Junçaj duke folur për historinë e kullës dhe trashëgimtarëve të saj tha mes të tjerash se ajo ishte një kështjellë arbërore.“Kjo godinë gjigante nuk ishte vetëm kullë rezidence, por ishte kryeqendra e Hotit, epiqendër e shtatë maleve të Malësisë për tubimet, angazhimet, pajtimet dhe besëlidhjet e shumta të popullit të shumëvuajtur malësor. Ishte një kështjellë arbërore, mbrojtëse e trojeve dhe vlerave tona më të mira, nga ku me shekuj u mbrojt kufiri veri-perëndimor nga invazionet serbo-malazeze”, thotë ai.Për ringritjen e Kullës së Çunmulajve kanë dhënë kontributet e tyre financiare rreth 500 persona nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët në Mal të Zi, Europa, Kanadaja dhe SHBA.I ardhur nga New Jorku, ku ka emigruar prej 50 vitesh, Mark Gjok Ulaj thotë se kjo ka dëshmuar vlerësimin e madh të malësorëve për bajraktarin e Hotit, Çun Mulën, dhe gjithë pjesëtarët e fisit të Çunmulajve.“Çun Mula i Hotit i ka prirë tanë bajrakut të Hotit dhe ka qenë një ndër burrat ma të mirë që ka mujt me pasë kombi shqiptar. Mbas tij, të gjithë kanë ardhë secili ma i mirë se tjetri. Mul Delija ka qenë bajraktari i Hotit. Ka qenë kapedani që e ka kryer shkollën në Itali edhe e ka shpëtu Malësinë e Madhe, kur ka hy komunizmi, për mos me u vra vëllau me vlla”, thotë ai.Megjithëse shumë larg vendlindjes, shqiptarët që kanë emigruar prej vitesh në Amerikë, vazhdojnë të mbajnë gjallë historinë e Hotit të Malësisë së Madhe dhe prijësve e luftëtarëve popullorë, që u prinë malësorëve ndër shekuj.Përfaqësuesi i malësorëve nga Michigani, Gjokë Martin Noni Junçaj, tha se me rindërtimin e kullës së Çunmulajve malësorët dëshmuan se i ruajnë dhe trashëgojnë vlerat e tyre.“Kur kam dëgjuar për këtë projekt e kam çmuar vlerën që ai ka për popullin tonë. Ne, të gjithë e dijmë se, gjithçka që lind duhet edhe me vdekë. Po historia e shqiptarëve kurrë nuk vdes. Sot e kemi nderu Çun Mulën edhe tanë Malësinë dhe shqiptarizmin”, thotë ai.Kulla dy katëshe e Çunmulajve tashmë shfaqet e ringritur në mes të fushës së Hotit, pranë kishës së ndërtuar disa vite më parë, edhe ajo me kontributin e shqiptarëve të Amerikës.