QORTIMI

0
ZANA TAKO
E dija se në atë rrugë që po kaloja do të ndeshesha me ty, por nuk kisha kohë të vonohesha, ndaj nxitova hapat me mendje te mbledhur, se duhet të nxitoja dhe të vështroja drejt. Por qenia jote përballë meje m’i ndali hapat si me një dorë të padukshme. I bëra ato pak hapa drejt teje, e pafuqi ndaj vendimit që kisha marrë. Vështrimi im u përpi nga vështrimi yt. Kishin mall ata sy. Doje të flisje, por vetëm buzëqeshe. Zgjate dorën, tek kërkoje dorën time, e unë, e ndrojtur zgjata dorën drejt teje, si dikur, kur malli takohet me mallin, e bashkimi i tyre lëshon shkëndija zjarri që të përpijnë mes flakësh, e ngrohtësia të deh me magjinë e saj. Brenda ngrohtësisë shterrin fjalët, por flet malli që të përpin e nuk ndihesh, edhe sikur të shndërrohesh në mijra thërrime, bashkohesh përsëri, si dikur, të përplotë brenda ndjenjës.
Tek zgjata dorën kisha vetëm një dëshirë, të vazhdoja rrugën, sepse e dija, po të ndalesha do të më linte fuqia e mendimit, do të më tradhtonte dëshira, e aroma e parfumit tënd do të më mbështillte si një shall i ngrohtë, i mëndafshtë, të cilin do që ta kesh me vete kudo që shkon, e kjo ndjesi ulërinte brenda meje, e unë nuk mundesha dot ta ndaloja. Ndaj u dorëzova, njëlloj si i vogli që prehet në përqafimin e paqes, ashtu u gjenda papritur brenda përqafimit, e nën turbullimin e vështrimit prej malli, shihja sytë e ty që vështronin brenda vezullimit, e faqja jote e ndezur me zjarrmi malli digjte, përcëllonte faqen time.
Nuk sprapsesha dot. Isha mbërthyer në krahët e ndjenjës, e ëmbëlsia më kishte bërë për vete. E shijoja e nuk ngopesha.
Sa qëndruam ashtu? Nuk e di! Po të masja kohën do e kisha humbur konceptin e saj. Po të vështroja akrepat, do i zmbrapsja me pafuqinë time. Ndaj e lashë veten të lirë brenda çastit, brenda momentit, brenda llavës së mallit që digjte, e ndihesha si një zog që ngrohet në gjirin përvëlues të dashurisë.
Çfarë ishte ndjenja në ato momente? Ishte jehona që kumbonte, oshëtinte me magjinë e saj, duke zgjuar çdo qelizë, çdo embrion që përcjell jetë. Vallë, ndjenja është emocion? Bëja t’i krahasoja, por më ndaheshin në pikën e takimit. Përpiqesha t’i bashkoja, por shkëputeshin po me atë forcë që mundohej t’i bashkonte. Ndaj u dorëzova në këtë luftë, në këtë përpjekje për të kuptuar, a është ndjenja emocion? Por përgjigjen e mora duke lënë pas mundimin. Ishte shumë e thjeshtë, emocioni është çast, ndjenja është fuqia e dashurisë, prodhim i saj, ndaj kuptova, se nuk po përjetoja emocion por dashuri.
U desh të kaloja në atë rrugë, që fati të më drejtonte andej nga donte ai, udhëheqësi i ngjarjeve, i ndodhive të jetës, e unë të përfshihesha e pafaj brenda fuqisë së tij.
U ulëm diku, pa folur, por me duar të shtrënguara brenda ëmbëlsisë. Doja të flisja, por fjalët zhdukeshin… e ti qeshe…. ashtu, ëmbël si dikur.
Çfarë deshe të më thoje? – pëshpërite lehtë pranë veshit tim. U skuqa si dikur.
Pse… nuk e dëgjove çfarë të thashë? – i fola pa fjalë. Buza jote puthte sytë e mi, puthte dritën brenda tyre, e nuk doja t’i hapja, sepse gjendesha në tjetër dimension.
Kam ardhur për ty! – dëgjova zërin tënd nga hapësira. Por hareja e shpirtit e mblidhte togfjalëshin e fjalëve të tua, duke e bërë kurorë për të zbukuruar qenien time me dashurinë, ndjenja më e bukur që zbukuron jetën.
Nuk të le më të shkosh! – pëshpërite lehtë.
Edhe unë, nuk do të mërzis më!
Doja të dëgjoja edhe më… por jehona e hapësirës u mblodh vetëm në një puthje, ku u fashit qortimi, grindja, zemërimi, krenaria, largimi.
Më qortove brenda puthjes, ….të qortova brenda përqafimit. Lamë pas mërzinë, kotësinë, duke kuptuar, se dashuria nuk të lodh, as ta këput mendimin, por të dhuron jetë brenda kohës së pafundme…..

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.