Nga Ramazan Çeka
Nik Çarku, bilbili i bjeshkëve tona, që me zërin e tij pushton zemrat e shqiptarëve anë e mbanë botës.
Bjen lahuta e çiftelia,
Përcjell fyelli e sharkia,
Po i kndojn’ trollit e bajrakut
Me za t’ambël të Nik Çarkut.
Sa herë që ulem të përshkruaj portretin e një personazhi nga bota e artit dhe kulturës, për ta realizuar sa më mirë atë, gjithnjë i referohem edhe opinionit të mirë që ai gëzon mes artdashësve dhe vëmëndjes mediatike, lokale apo kombëtare, të cilat nuk reshtin së shpërndari informacione dhe vlerësime pozitive për të gjithë artistët, kudo që janë.
Në përgjithësi, pothuajse të gjithë këta artistë, falë vetë punës së tyre të palodhur, por edhe bashkëpunimeve të shumta me ta, janë shndërruar në të mirënjohur, në kolegë e bashkëpuntorë prestigjiozë, miqësia me të cilët më jep edhe mua krenari e kënaqësi të pamasë.
Mes gjithë këtyre personazheve të artit muzikor dhe njëkohësisht miqve të spikatur të jetës sime, një vend të veçantë zë edhe muzikanti e këngëtari i talentuar Nik Çarku, djali i nderuar i Dukagjinit, i veshur me cilësitë më të mira të burrit të Malësisë, zëëmbël e shpirt madh, që veç dhuntisë që i ka falur Zoti për të kënduar, e ka bërë të njohur edhe si kantautor, sepse një pjesë të krijimtarisë së tij ai e ka shkruar e kompozuar vetë.
Nik Çarku vlerësohet si një artist i madh që kompletohet me cilësi e virtute si një qytetar model, si një intelektual dhe familjar i përkushtuar, mikpritës e bujar në konak, i matur dhe manifestues i traditave më të mira shqiptare në komunitetin ku bën pjesë. Ai është një inxhinier i shkolluar në Amerikë që drejton një grup inxhinierësh amerikanë në degën e elektromekanikës dhe energjisë termike në një nga kompanitë më të njohura në New York City ESRT. (Pjesë e Empire State Building), por njëkohësisht është i angazhuar edhe si profesor në Institutin Technic TRI New York City.
Të gjitha këto angazhime të jetës së përditshme, nuk e privojnë Nik Çarkun nga jeta artistike, sepse në shpirtin e tij nuk flejnë, por rrijnë zgjuar dhe shfaqen pasioni për këngën dhe vlerat kombëtare të saj, që ai i ka marrë me vete nga Shqipëria dhe i mban e i manifeston të gjitha atje.
Nik Çarku ka lindur në një nga perlat e Alpeve Shqiptare, në Thethin e bukur e të pashoq, por është rritur në një vend të bukur e të pashoq, siç është Shkodra, në djepin e kulturës shqiptare, nga e cila ai mori dashurinë për këngën e bukur popullore, humorin e saj por dhe bekimin që e ndjek nga pas edhe sot e kësaj dite.
Ashtu si të gjithë emigrantët që kanë shkelur Tokën e Ëndrrave, Amerikën, edhe Nika nuk e pat të lehtë, por falë karakterit të tij, shpirtit të paepur të malësorit dhe optimizmit të artistit, ai arriti shpejt të bënte emër mes komunitetit të shqiptarëve, sepse me zërin dhe krijimtarinë e tij ai u vu në shërbim të tyre. Këngët, që shpejt krijuan një repertor të gjërë, u bënë pjesë e pandarë e eventeve familjare e shoqërore të Diasporës në gjithë Amerikën.
Nik Çarku, falë punës së tij të palodhur, u bë kështu një këngëtar i preferuar, por edhe një ambasador i këngës popullore shqiptare në gjithë hapsiren amerikane.
Nika nuk është thjesht një këngëtar që mjaftohet me interpretimet e tia, por është edhe një kompozitor dhe rapsod i talentuar edhe si instrumentist, pasi ai bie çiftelisë dhe fizarmonikës.
Krijimtaria e Nik Çarkut nuk ka ngeluar asnjëherë brenda kornizave të një krijimtarie vetjake, por është gërshetuar me bashkëpunimet e tij të shumta me kolegë poetë e kompozitorë si: poetët Gjokë Beci, Sali Mani, Kadri Fikaj, Gjovalin Lumaj dhe Ramazan Çeka, duke vijuar me kompozitorët; Ymer Neli e Behar Neli, si dhe me Edmond Xhani në orkestren e Radio Televizionit Shqiptar dhe me kompozitorin Tom Lleshaj në Amerikë, duke u bërë kështu garanci e suksesit në aktivitete kulturore, festivale e koncerte, por dhe festa kombëtare, si ngjarje të rëndësishme kulturoro-artistike dhe historike për komunitetin shqiptar në Amerikë, si dhe në gëzime familjare.
Për këto aktivitete mund të veçojmë ngjarje të tilla si: “Festa e Flamurit” dhe “Vite të Reja” në Los Angelos, San Francisco California, Boston, Michigan, Filadelfia, New York e deri në Australi e në Londër, Angli, duke bashkëpunuar në koncerte të ndryshme me maestro Raif Hyseni dhe këngëtaren e madhe Merita Halili, Anita Bitri, Sunaj Saraçi, Vera Uruçi, Haxhi Zeneli, Haxhi Maqellara, etj.
Puna e palodhur dhe me shumë vlera e këtij artisti ka sjellë edhe vlerësimin e tij nga institucione të pushtetit vendor si “Qytetar nderi” në “Malësi të Madhe”, “Qytetar nderi” në Komunen Rrethina, si dhe shumë vlerësime e mirënjohje të tjera.
Këto vlerësime janë bërë këtij artisti në karrieren e tij, nisur nga sukseset që ai ka korrur, duke lënë të pashlyera interpretimet brilante të këngëve: “Luj Lirie Lujë” (1994), “Kam Kosoven gjak e shpirt”, “Jemi bij të këtij vendi”, “Ulni burra t’pajtojmë vendin”, “Bjeshkëve të Shalës ju çoj një fjalë”, “Vehten e mallkova”, “100 vjete Malsia priti”, “Kënga e Zeqir Kukës” etj, etj.
Të gjitha këto që unë po shkruaj për këtë personazh, për portretizimin e tij fizik e shpirtëror, tregojnë se unë atë e njoh mirë, jo vetëm si shkodran, por edhe si artist, sepse këto karakteristika më kanë motivuar që të krijoj me të jo vetëm marrëdhënie shoqërore, por edhe marrëdhënie pune, siç është bashkëpunimi në krijimtarinë artistike, e cila që nga njohja e parë ka pasur jo vetëm vlerësime, por edhe suksese.
Dashuria për Atdheun, dashuria dhe respekti për njeriun, dashuria për këngën dhe traditen shqiptare, janë jo vetëm motivimi i tematikës së krijimtarisë së këtij artisti interpretues, por edhe kredoja e tij, frymëzimi i tij kombëtar, që në gjithë këto vite i kanë sjellë reputacion dhe suksese, jo vetëm në trevat shqiptare, por kudo anë e mbanë botës ku jetojnë shqiptarë.
Kjo tematikë e gjërë pasqyrohet më së miri në repertorin e tij të pasur, me të cilin vazhdon të jetë në majat e suksesit si një kulm i karrierës së tij të hershme si këngëtar, kantautor apo rapsod.
Në repertorin e tij ka larmi tematika e jetës shqiptare, historike e bashkëkohore. Ai i këndon me epizëm ngjarjeve të mëdha historike, por i këndon me lirizëm e ndjenjë edhe dashurisë, familjes dhe natyrës së vendeve tona të mrekullueshme.
Nik Çarku duke bashkuar zërin e tij brilant me vargun dhe tingullin që burojnë nga trashëgimia më e mirë e artit muzikor shqiptar, janë të mirëpritura, janë të pëlqyera, por janë edhe të vlerësuara për misionin që bartin si trashëgimia më e pasur kombëtare tek brezat e rinj, sidomos tek ata që kanë lindur dhe rritur në Amerikë.
Unë mendoj se ky këngëtar, që në Amerikë nuk është i vetmi, ka një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen, evidentimin dhe trashëgimin e vlerave etno-kulturore të Kombit tonë, mision të cilin ai e përmbush me atë që din të bëjë më mirë, me zërin e tij, interpretimin dhe krijimtarinë e tij, të cilët i ka të pastër, autentik dhe thellësisht shqiptar, prandaj edhe unë bashkohem me vlerësimin më të bukur që mund t’i bëhet këtij këngëtari, duke e quajtur “Bilbili i bjeshkëve tona”, vlerësim që tashmë ia ka dhënë gjithë publiku shqiptar, që nga bjeshkët e Thethit e deri në Nju Jorkun e largët.
Të bindur se suksesi dhe fama nuk i falen e as nuk i dhurohen askujt, por arrihen falë punës dhe përkushtimit të gjithsecilit prej nesh, kjo e bën më të kuptueshme se si arriti të marrë famë në botën e suksesit këngëtari Nik Çarku.
Dhe kështu, duke hedhur penelatat e fundit në realizimin e portretit të këtij artisi, jam i sigurtë se në kornizën e këtij shkrimi kam arritur vetëm sa ta skicoj atë, pasi duhet shumë punë për ta realizuar ashtu siç e meriton, megjithatë me respektin më të veçantë për gjithë punën dhe përkushtimin e tij, si dhe me një dashamirësi vllazërore i uroj Nik Çarkut suksese pafund në karrierë e mbi të gjitha mbarësi në punë e në familje.
Prill 2022