NGA : ZANA TAKO
Marshi i futur në propagandën e politikës së re ndryshon me atë të politikës së vjetër. Stani i bariut nuk rrit në vathën e tij ujqër por dele. Na mbetet të kuptojmë dhe të dallojmë brenda propagandës, dhe të mos ngatërrojmë blegërimën e deles nga ulërimat e ujqërve në formën e blegërimës së deleve.
Titujt propagandistikë për të zgjedhur të devotshëm, kanë në qendrën e tyre figurën e pastër të moralit. Morali i një kandidati të zgjedhur nuk është bukuria e tij, as kravata e zgjedhur në ngjyrën e kostumit, as buzët e lyera bukur të një gruaje, as flokët e thinjur, as veshja sqimatare. Mund të jesh i thjeshtë në veshje, por i pasur në shpirt e në vepër.
Kanë kaluar aq kohë, sa ata që do votojnë të zgjedhur për të bërë një punë të pasur me vlera, kanë kuptuar dhe kanë ndarë çdo të thotë mirë e çdo të thotë keq. E mira nuk vjen erë të keqe, dhe e keqja nuk vjen erë të mirë.
Standarti i jetës peshohet nga vlera e tij. Nuk jemi të varfër por jemi shumë të pasur. Por nëse quhemi të varfër në mes bollëkut që e kemi dhuratë nga i madhi Zot, atëherë janë të varfër të zgjedhurit për punë të mëdha. Madhësia e punës nuk fillon nga vetvetja. Por nëse i zgjedhuri quhet i pasur mes varfërisë, atëherë kandidimi peshohet në kandarin e drejtësisë, i cili nuk ndodhet në duart e atij që e shpërdoron drejtësinë, i ndryshon emrin dhe kuptimin për të zvogëluar dyshimin që lind nga majmëria e kolltukut.
Jemi në prag zgjedhjesh. Do votojmë për mirëqenie dhe begati, do votojmë për shpresën, për të ardhmen. Shpresa nuk varet në cungun e një peme. E ardhmja nuk është balonë që vërtitet sipër kokave tona pa stacion. Mirëqenia nuk mbetet vetëm ëndërr e një shprese që të mban zgjuar. Zhvillimi nuk është rrugë pa krye. Lodhja nuk quhet fuqi për t’u ngritur në këmbë.
Gjuha e propagandës ka dy emra, gjuhë e së vërtetës dhe gjuhë e hiles. Mençuria e njeriut nuk është vorbë ku gatuhet për të mbushur barkun. Të mençurit e dallojnë edhe gjuhën e së vërtetës, edhe gjuhën e hilesë.
Të ndershëm janë ata që racionin nuk e llogarisin vetëm për vete. Të mençur janë ata që ndajnë qëllimin nga dëshira. Të vlefshëm janë ata që përpiqen duke dhuruar gjithçka nga vetvetja. Të moralshëm janë ata që nuk bëhen pis në batakun e të mjerëve.
Emri i mirë gdhendet për të mos u shkulur nga koha. Mjeranët janë të paditurit, që me paranë e marrë borxh nga pabesia, kanë blerë skutat e ferrit të përjetshëm. Të lumët janë ata që drejtësinë e kanë udhëheqëse në qëllimet dhe drejtimin e rrugës së tyre.
Politika është gur shahu ku luajnë ata që mburren se dinë të notojnë në ujra oqeani, dhe e gjejnë bregun me forcën e krahut të tyre.
Jeta e njeriut nuk është lojë e këta gurëve. Dinjiteti i njeriut nuk quhet fitore e lojtarit të lojës. Mirëqenia nuk është teoria e shah-matit të kundërshtarëve politikë.
Rruga drejt progresit ekonomik, politik, shoqëror dhe mbarëpopullor fillon nga drejtësia, e cila nuk është rrënjë që mund të shkulet nga zgjedhjet e politikave që nuk e kanë mësuar vlerën e rrënjës.
Të udhëheqësh një popull, një komb duhet ta duash atë, sepse vetëm nga dashuria mbillet mirëqenia për të mos u shkulur nga erërat e stuhive.
Nuk jemi spektatorë në udhën e dijes. Vullnetmirët i binden ligjit të drejtësisë, e cila nuk ka lindur nga mendja e njeriut. Çdo ditë qëndrojmë përpara ligjit të Zotit, në bindje ose në kundërshti.
Të zgjedhurit e politikës nuk i shohin ligjet e Krijuesit, ndryshe nuk do të ishin kaq vullnetplotë për të udhëhequr në drejtësi fatet e një kombi. Por drejtësia e Hyjit nuk le as pa ndëshkuar, as pa lëvduar sipas zgjedhjes së gjithësecilit në vullnet të lirë.
Fuqia e një politikani është fjala e mençur, vepra në besnikëri dhe pastërti ndaj betimit për t’i shërbyer zgjedhësve të tij.
Populli ka aq shumë vite mbi supe, sa të dallojë dhe të kuptojë çfarë i vlen dhe çfarë nuk i vlen për të bashkëjetuar me politikbërësa!