Poezi nga një poete Siriane,Një qershi e kuqe mbi një dysheme me pllaka të bardha

0

Përktheu: Gladiola Jorbus

 Maram al-Masri (e lindur më 1962) është një poete siriane që jeton në Paris. Ajo konsiderohet si “një nga zërat më të njohur dhe më tërheqës femërorë ” në gjuhën arabe. Poezia e saj është e  drejtpërdrejtë, pa zbukurime dhe evidenton fragmente nga jeta e përditshme. Përdorimi i metaforave të thjeshta, pothuajse fëminore bie në kontrast me konvencionet e poezisë tradicionale arabe. Për më tepër, një grua që shkruan pa rezerva për seksin i dhuron gjithashtu, një nuancë të freskët dhe tërësisht spontane, poezisë së saj.

 

Një qershi e kuqe mbi një dysheme me pllaka të bardha

Unë jam hajdutja e sheqerkave

që shfaqen në dyqanin tënd.

Gishtërinjtë e mi bëhen ngjitës

por nuk ia dal dot,

ta lë njërën të bjerë

në gojën time.

 

***

Sa e pamend:

Kurdoherë që zemra ime

dëgjon një trokitje

i hap dyert e saj.

***

Dëshira më përndez

dhe sytë e mi vezullojnë.

E rras moralin

në sirtarin më të afërt.

Shndërrohem në Djall

dhe ua lidh sytë

engjëjve të mi.

Vetëm

për një puthje.

O vëllezër të njerëzishëm

 O vëllezër të njerëzishëm!

O botë!

Unë pata një fëmijë.

Në bark e fsheha.

E bëra njësh me trupin tim.

E ushqeva me gjakun tim.

Jetuam ëndrrat e mia.

Këndova për të – më buzëqeshi.

E shtrëngova – pushoi së qari.

Nga krahët ma shkulën.

Kënga ndali.

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.