“Një histori suksesi”është cilësuar eksperienca e emigrantëve shqiptarë në Itali, gjatë konferencës së titulluar“Itinerar shqiptar”, ku ishte i pranishëm Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
Në konferencën e organizuar nga shoqata ”Ochio Blu” në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Romë e ku morën pjesë zyrtarë dhe ekspertë mbi çështjet e emigracionit, Majko e vuri theksin tek shembulli pozitiv që përfaqëson komuniteti shqiptar në Itali.“Ajo që ka ndodhur me shqiptarët e Italisë mund të konsiderohet një nga eksperiencat më të suksesshme të emigracionit në Europën Lindore”, tha Majko, duke shtuar se arbëreshët dhe emigrantët e rinj kanë kontribuar në krijimin e një lidhje jashtëzakonisht të ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë.Ministri e informoi panelin lidhur me hapat e shpejtë që po ndërmerren për t’i ofruar një mbështetje edhe më të madhe emigrantëve, si nga pikëpamja institucionale ashtu edhe nga ajo ligjore. Majko foli mbi debatin për të drejtën e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, çështje kjo, e cila siç tha ai, gëzon konsensus në politikën shqiptare.Ministri përmendi gjithashtu iniciativat dhe përpjekjet e Ministrisë së Diasporës dhe qeverisë për t’u krijuar lehtësira emigrantëve shqiptarë në të gjithë botën. Pjesëmarrësit në konferencë u ndalën tek historitë e suksesshme të shqiptarëve në Itali, si një dëshmi e integrimit të plotë të tyre.Gjatë konferencës u diskutua edhe mbi problematikat e komunitetit tonë atje dhe mënyrat e tejkalimit të tyre. “Shqiptarët në Itali , një histori e suksesshme emigracioni” quhej dokumentari i shfaqur në vazhdën e konferencës, i cili tregoi rrugëtimin e diasporës sonë atje.