Nga :Zana Tako
Çdo ditë bëjmë llogari, por nga ato tokësore, ku hyjnë vlerat e fitimeve, ato të humbjeve, të ardhura të qëndrueshme, parashikime për shtim të fitimeve dhe pakësim të humbjeve, duke ecur kështu në udhën e zhvillimit tokësor por jo atij shpirtëror.
Shpirti nuk njeh llogari, në të kundërt do shisnim shpirtra në vend të mallit. Shumë provojnë të vjelin fitime të pamerituara, thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë, manipulim dhe keqpërdorim të vlerës së shtuar të fitimit.
Njeriu i njeh efektet e dëmit. Fjala shkul me rrënjë edhe lisin më të fortë, e ndërsa llogaritë e njeriut shkulin themele të ndërtuara që në lashtësi, atëherë kemi dalë jashtë shinave të së shkuarës.
E shkuara nuk është një hartë që duhet grisur, e kjo kohë e shkuar sikur po na prish planet e së ardhmes, të cilën e kemi projektuar me llogari tepër fitimprurëse. Nuk kanë ç’na duhen më mure të vjetër se ndërtojmë të rinj, nuk kanë ç’na duhen më rrugë të vjetra se ndërtojmë të reja, nuk na duhet më njeriu i vjetër se ndërtojmë njeriun e ri, prej të cilit fitimet japin shifra marramendëse, e me të cilat projektojmë jetë në planete të tjerë, pasi toka nuk prodhon më siguri sipas llogaritjeve njerëzore.
Projektimi i njeriut të ri nuk përkon me të shkuarën e tij, pasi mendimi nuk bazohet më në shëndetin mendor, por në atë të një funksioni të kompjuterizuar, ku të dhënat formatohen sipas një plani ekspertësh, studiues të fushës ku transkriptohen të dhëna me fuqi magnetike shumë herë më të larta nga ato që janë njohur deri më sot. Këto të dhëna bazohen mbi kufizimin e lirisë së njeriut. Liria nuk simbolizohet më në trurin njerëzor si dëshmi e dashurisë së krijesës ndaj krijesës, por simbolizon një segment të caktuar kodi ndërveprues, ku pjesën më të madhe e ze rutina e urdhërimeve komanduese, siç janë veprime që i përgjigjen një urdhëri të caktuar, mendime që i përgjigjen një komande të përcaktuar në fushën e veprimit, një fjalë që transmetohet në formën e diktatit të veprimit kompjuterik, ku llogaritjet kryhen nëpërmjet formulave të përcaktuara më parë, me anë të një teknologjie tepër të përparuar në fushën e shkencës, e cila kultivon risi në këtë projekt gjigand, i cili sfidon të shkuarën e njerëzimit, duke i paraprirë të ardhmes në kohë të përcaktuar nga vetë këta manipulatorë fitimesh dhe të ardhurash të pamerituara, në kurriz të popujve dhe të së shkuarës që ndihmon të ardhmen e jetës në ekzistencë.
Nëse llogaritjet njerëzore tjerrin fitime të ardhurash që nuk i shërbejnë njeriut, kësaj qenie inteligjente në ekzistencë, atëherë vetë njeriu duhet të kuptojë dhe të ndajë të mirën nga e keqja, duke u mbajtur fort tek e shkuara, për të ndërtuar të ardhmen e tij, por në liri shpirtërore dhe jetike.
Njeriu nuk ngopet me flori, por ngopet me jetë. Vlera e jetës sot po ngatërrohet me atë të floririt. Sa më shumë ar dhe flori në dëm të jetës, aq më shumë ndarje nga realiteti i së ardhmes dhe vlerave të së shkuarës po përjeton njeriu sot në ekzistencë. Por këta njerëz llogaritë nuk i nxjerrin nga Mësimi i Shenjtë që mban në këmbë njerëzimin, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Shkenca në vetvete, llogarit shifra dhe formula për të nxjerrë në pah atë çfarë Zoti e ka fshehur nëpërmjet misterit të Tij. Shkenca nuk e tregon dhe zbulon kufirin e jetës dhe të vdekjes. Shkenca gjithashtu, nuk e zbulon dot shpirtin e njeriut dhe ta udhëheqë atë. Shkenca as nuk mund ta zvogëlojë, as nuk mund ta zmadhojë hapësirën qiellore. Shkenca nuk mund ta udhëheqë dot njeriun në rrugën e dritës qiellore. Shkenca nuk mund të zbulojë prejardhjen e ekzistencës së miliarda yjeve që mbushin hapësirën, as nuk mund të përshkojë dot rrugët e hapësirave qiellore, as nuk mund të zbulojë dot misteret që fshihen në planete. Mund t’i harxhojë të gjitha fitimet, për të zbuluar shumë pak nga çfarë dëshiron Krijuesi, duke i shpjeguar kështu krijesës njeri, se vetëm Zoti është Mësuesi i ekzistencës së tij. Por këta nxënës fatkeq e të panxënë, e kanë tradhtuar Zotin e krijimit, duke u gënjyer me arin dhe floririn e pamerituar, e kjo fëlligështi nuk i shërben as krijimit, as njeriut në krijim.
Substanca që shpiken në dëm të shëndetit njerëzor, nuk justifikojnë fitimet marramendëse që vilen prej tyre. Të veprosh në dëm të shëndetit njerëzor, është tradhtia më e lartë që mund t’i bëhet Zotit të këtyre krijesave. Arsyeja është shumë e thjeshtë, shitja e shpirtit shërbëtorit të errësirës, i cili nuk e ndal luftën e tij kundër çdo gjallese që frymon në ekzistencë.
Arsyeja dhe shkenca nuk ecin në të njëjtën udhë. Nëse shkenca ndjek qëllimin, arsyeja shpjegon qëllimin. Kur qëllimi bëhet bartës i së keqes së shpirtit njerëzor, atëherë arsyetimi quhet i mbrapshtë, dhe duhet luftuar nëpërmjet ligjit të Zotit në krijim. Ligji nuk u formulua nga arsyeja, por nga mendimi Hyjnor, i cili i le hapësirë të mjaftueshme dhe të shëndetshme shpirtit të lirë brenda kufijve të ligjit. Por të biesh ndesh me ligjin në dëm të arsyetimit të shëndetshëm që ndihmon ligjin dhe shpirtin e lirë, quhet tradhti ndaj ligjit dhe Zotit në krijim. Shkenca nuk e ndihmon ligjin e Zotit, por ndodh e kundërta, ligji i Zotit e ndihmon shkencën të ecë dhe të njohë zhvillim, atje ku Zoti kërkon të zbulohet dhe të vihet në shërbim të jetës në ekzistencë vepra e mirë dhe në harmoni me vetë ekzistencën.
Jetojmë në kohë të turbullta, ku mendjet duhet të ruajnë qartësinë e dritës e cila nuk ta mbyll fletën ku shkruhet ligji që me fillimin e kohërave. Ata që e lexojnë ligjin e Zotit për së prapthi, do të ndeshen me të vërtetat e ligjit që sundojnë si në fillim, ashtu edhe në mbarimin e kohërave!