Të nderuar miq,
Të nderuar vëllezër e motra nga Kosova,
Kosova gjendet para një sfide të re zgjedhore, para sfidës për të zgjedhur më të mirët e vet, për të zgjedhur ata që do të ruajnë të arriturat dhe sakrificat e mëdha të breznive të kaluara, ata që do të vlerësojnë gjakun e derdhur për liri, ata që do të vazhdojnë të mbajnë Kosovën në këmbë, vertikalisht mes kombeve të tjera, ata të cilët do të çojnë edhe tutje përpara proceset demokratike.
Personalisht kam miq në të gjitha shqiptare, si në PDK, LDK, AAK, Vetëvendosje dhe Nismë, dhe do të doja që të gjithë ata së bashku, të jenë pjesë e strukturave që Kosovën do ta çojnë përpara. Sepse, të gjithë ata e duan Kosovën. Prandaj as nuk shoh garë për apo kundër Kosovës, por garë për të pasur fitues dhe humbës të zgjedhjeve, për të pasur pozitë dhe opozitë, kështu që unë, si lider i një partie shqiptare në Malin e Zi, nuk kam si të rreshtohem ndryshe, vetëm për Kosovën, dhe për të ardhmen e saj, duke i lënë anash preferencat personale, e që natyrisht se i kam.
Zgjedhjet që po mbahen vetëm tri ditë para përvjetorit të pavarësisë, mbahen në rrethanat e një ngërçi politik, edhe për shkakun se liderë që drejtuan luftën po mbahen peng të (pa)drejtësisë ndërkombëtare. Prandaj, shpresoj se elita e re politike e Kosovës, e dalë nga këto zgjedhje, do të vlerësojë sakrificat e tyre, pa të cilat, sot, s’do të kishim Kosovë të lirë.
Duke mbështetur të drejtën në votën e lirë, dhe duke shpresuar se do të triumfojnë forcat që sigurojnë unitetin dhe stabilitetin e Kosovës, duke ia ruajtur plagët, jo të pakta, por edhe krenarinë e saj, uroj që zgjedhjet të kalojnë në një atmosferë demokratike.
Nikollë Camaj,
Kryetar i LDSH