Në vend të një urimi për Shën Valentinin , ditën e bekuar të dashurisë.. !

0
Nga : Ndue BACAJ
Dikun kam lexuar një kushtim që tregonte “forcën” e dashurisë me fjalët :”Për Atdheun jap dashurinë , për dashurinë jap jetën”
Hyrjes me pak Retrospektivë nostalgjie
Ne që jemi rritur nën diktaturen komunisto-hoxhiste , jemi rritur jo vetem pa e festuar gjatë atyre dekadave diten e të dashuruarve , por as emrin dhe kohen shumica e shqiptarëve nuk ja kanë ditur. Por edhe në ato kushte errësire , kur dashuria e parë duhej të ishte per partinë , enverin e komunizmin , në heshtje dhe nën driten e “qirinjëve” kanë lindur , lulzuar e sfiduar kohen mjaftë dashuri , madje edhe dashuri të ndaluara , sepse në dashninë e të rinjëve e të rejave hynte në mes biografia e partia… Më kujtohet se sapo kishim filluar të merrnim “erë” nga dashuria , të cilen më shumë e perjetonim me endërra , në pranverë gjenin lule që perbeheshin nga petale (drandafille , lule-shqerra e tjer), dhe duke menduar per dashurin e një vajze (me emer konkret) i heqnim një nga një petalet e lules duke thënë më don s’më don , dhe kur petalja e fundit hiqej duke shoqeruar fjalen më don , ne beheshim me krahë , duke besuar se fati i dashurisë me vajzen që “ëndërronim” po na buzqesh… Se si na printe ky fat pak rendësi kishte , pasi një “sentence” dashurie na “mësonte” se Femra është si hija jote , kur ti e ndjekën ajo iken , dhe kur ti iken ajo të ndjeken… Ndersa ishte bërë disi “proverbiale’ thenia se per të zënë një të dashur duhet të shkyesh të pakten një pale këpucë… Është disi e çuditëshme se edhe pse jetonin në një shtet ateist (në kohen e komunizmit) ndryshimi i fesë apo besimit të dy të rinjëve shpesh behej pengesë per dashurin e tyre… , kurse sot edhe pse feja apo besimi është i lirë , pengesat janë thuajse të paperfillshme.. Gjë që tregon se (në liri) dashuria është ndjeja më e fuqishme nga të gjitha ndjejat , pasi ajo “godet” pernjëherë zemren , mendjen , shpirtin e trupin…
Një histori e shkurtër për ditën Shën Valentinit
Një nga ditët më të bekuara e më të lumtura të çdo viti është 14shkurti , dita e Shën Valentinit, që nga njerëzimi tashmë njihet si dita e bekuar e dashurisë dhe festa e zemrave që rrahin me ritmin e jetës e promotorit të saj dashurisë. Kjo festë Zemrash ka shekuj që bota e qytetëruar e feston, madje festimi bëhej shumë më përpara se Kristianizmi të bëhej feja e shpresës dhe qytetërimit, pra dhe në kohën kur Paganizmi (besimi absurd në idhuj të rremë të marrë nga “natyra”) ende lulëzonte me tërë veset e shterpësinë e një jete në rënie, por atëherë kishte një kuptim tjetër të cilin po e “spjegojmë”… Kur Romakët për të nderuar një perëndi (Pagane) me emrin Lupercus e cila i “mbronte” ne kopetë e ujqërve që ndodheshin në pyjet në periferi të Romës së atëhershme, çdo datë 15 shkurt organizonin një festival që quhej pranveror (pasi sipas kalendarit të atëhershëm ishte dita e pranverës). Në këtë festival ishte zakon i shkrimit të emrave të vajzave romake në shirita “letre” që futeshin në vazo, ku çdo i ri pjesmarrës në festival tërhiqte në formë shorti një vazo, vajza që kishte emrin në shiritin e vazos bëhej e dashura e tij për gjithë vitin, por në vitin pasardhës u përsëriste sipas shortit të ri, pra me rite Pagane… Dalngadalë me fitimin e terrenit të Besimit e Kulturës Kristiane, ku familja ishte e shenjtë, si dhe morali njerëzor kërkonte që dashuria të mos ishte e përkohëshme dhe e përdhosur, por të ishte e përhershme dhe në përputhje me moralin e ri Kristian. Ndoshta “shkak” për këtë u bë prifti Valentini i cili në kundërshtim me moralin e sundimtarëve të Perandorisë Romake dhe Dekretin e perandorit Claudius II, i cili kërkonte që ushtarët e tij të mos martoheshin (pasi kështu ai mendonte se ushtarët nuk luftonin si duhej se e kishin mendjen tek familja) e të kishin të dashura. Ky prift kristian fshehurazi kurorëzoi çifte të reja. Për këto, ai pasi u zbulua u burgos dhe më 14 shkurt të vitit 269 (pas lindjes së Krishtit) iu pre koka. Pas kësaj si dhe me forcimin e besimit kristian ky prift u shenjtërua dhe dita e festës së të dashuruarve u spostua nga data 15 shkurt në datën 14 shkurt, madje kjo ditë ndryshoi emërtimin siç njihet sot në ditën e Shën Valentinos (në emrin e shenjtëruar të priftit të martirizuar). Gjithsesi ka edhe një person tjetër po prift me këtë emër i cili u martirizua po këtë datë, duke iu prerë koka po nga perandori Claudius II, pasi ky kishte thënë se perënditë pagane Romake, Jupiteri dhe Merkuri ishin të paturpshme e të ulëta (pasi ishin të rreme), si dhe në burg kishte mjekuar dhe bërë që vajza e gardianti të burgut Austerius të bëhej Kristiane së bashku me të atin, dhe per ketë u ekzekutua si më sipër. Gjithsesi të jetë e vërteta ajo ka një qëllim, që kjo ditë e bekuar e dashurisë të jetë festë zemrash që mbjell dashuri e shpresë, paqe e lumturi, që ne shqiptarëve na ka munguar mjaft në vite e shekuj, madje edhe vetë kjo festë deri para vitit 1991 ka qenë një ditë e ndaluar në Shqiperinë “komuniste” , por e zëvendësuar dhunshëm me ditë, “festa” e idhuj të rremë që ishin tamam si të Paganizmit të vjetër, por me emra të rinj, që për çudi mbaronin po me izëm…Sot kohrat kanë dryshuar dhe data 14 shkurt e çdo viti (si per çdo qytetar të kesaj bote të qensishme) edhe per ne shqiptarët është një ditë e shenuar e një dashurie të vertet ,kur zemrat “ndalohen” e flasin me gjuhen e tyre. Të dashuruarit ketë ditë veçse i “furnizojnë” keto zemra të dashuruara me “zjarr të ri” dashurie. Ndersa simbole të dukshme të kesaj dite janë dhuratat e ndryshme , buqetat me lule , drekat e darkat në ambiente intime e tjer e tjer..
Dashuria është bekim i Zotit , ndaj u urojmë gëzuar 14 shkurtin , ditën e bekuar të dashurisë , të gjithë atyre që besojnë te dashuria e jo te inferioriteti e roberia e “gjysmës” së dashurisë , femrës…

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.