1.
U linda në në Ninatin çam
Ku gurët frymonin e flisnin çamçe në udhë e në kodra
Dhe qielli
Dhe ajri, dhe varret, agimi dhe muzgu flisnin shqip
Aty
e kisha babain tim si cicëroni më të mirë që ka bota
Kur më tregonte
për bëma për Dritën e Brigjeve, për plagët, këngët e lirinë
2.
Dhe gazmoja
Kur shihja Vallen e Osman Takës dhe fustanellat brenda vetes
Kurorat
E hapat djalosharë më zbukuronin ditët me ëndrra të fshehura
Aty ishte kënga dhe vallja çame
Në ca kroje që vetë i hapja e vetë i pija i dehur
Aty ishin furrat
Porositë që më jepte babai i thinjur që vinte nga udhët e shtrenjta
3.
Dhe lumturia
Nuk gjente kandar të matej si të ishte një ëndërr
Dhe në lulishtoren e shpirtit
mbinin pa fund filizë që mundnin prushin dhe dimrin
E dërgoja kudo pëllumba
Me krenarinë që të zgjon nderi dhe lulnaja e zemrës
E gëzohesha
kur shokët dhe miqtë thonin “Ky është djali i Brahimit!
4.
Dhe brodha udhëve
Herë si zgalem, si dallandyshe e herë si pulëbardha me flatra malli
Me përkëdhelje nëne
Dhe me fjalët e pathëna të babait që kudo i dëgjoja
Dhe tingujt e zileve shkollore
Më kanë mbetur si letra të pazverdhura nga koha
Për t’ua thënë fëmijëve
Qiellit e lules që çel në agimet e ngrohta
5.
Dhe stisa vargje
Si të ishin gurët e murit të Kopshtit të Jetës me vreshta
Në Odat e Botës
U mata me fjaën e mençur si në një lojë thyerje krahu
Vijnë e shkojnë ditët
Si karvanarët apo anijet ku si direkë vumë gjokset e rreshkëta
Me pengjet e shumta
të një kohe si xixëllonjat pa dritë te dora e lagur
6.
Kudo e kurdo
ngrita për vetveten si skulpturë monumentin shkronjor a shkallë pa fund
Veç murg kurrë s’u bëra
as do të bëhem dhe besën s’e shkel as në ditën më të errët
E isha e mbeta
përrua, lumë, rrrugë ku gjurma në shtigje kurrë nuk humb.
Lavërtar i një brazde
Ku mundohem të mbjell ballëdjersitur tre bimë njëherësh.