Vallja popullore, gatimet tradicionale, prodhimet e zonës, sportet ujore shoqëruan edicionin e 3-të të Mokra n’fest në Pogradec. Një fest popullore tashmë që mbledh bashkë mokrarët nga të gjitha drejtimet. Fokusi kryesor i kësaj feste është promovimi i monumenteve të kulturës dhe natyrës të kësaj krahine prandaj këtë vit është zhvilluar pranë urës së gurit në Golik monument kulture e kategorisë së parë. Për kreun e bashkisë Mokra meriton jo vetëm festa por edhe investime më madhore për tu zhvilluar më tej. Ai thotë se tanimë kjo festë është kthyer në një traditë, ndërkohë që vëmendja drejt Mokrës është më e madhe vitet e fundit.
“Është hera e tretë që e organizojmë këtë event, dy vitet e para e zhvilluam në Selcë, ndërsa këtë vit menduam ta zhvillojmë në Ura e Golikut me qëllim promovimin e çdo vlere që ka kjo zonë si Mokra, me tradita historike, patriotike dhe me monumente kulture pa masë. Do mendojmë bashkë me banorët për ta ndryshuar vazhdimisht vendndodhjen në çdo vit që do organizojmë festën, dhe për të promovuar sa më shumë zona historike të Pogradecit.” – shprehet Xhakolli.
Festa e Mokrës nxjerr në pah edhe amvisat apo artizanet e zonës. Të cilat krahas festës nxjerrin për ekspozim dhe tregëtim prodhimet që i nxjerrin nga puna e tyre e përditshme në fshat. Ushqimet tradicionale, punimet artizanale, lakrori me dy petë, kulaçi dhe dollitë e rakisë zbukuruan festën.
“Në këtë panair kam nxjerrë gjëra fshati bio, si raki kumblle, narden rrushi, pekmez mani, mjaltë, salcë domate me karrota, komposto, çaj mali e shumë gatime të tjera të zonës. Të gjitha këto gatime i bëjmë vetë. Njërëzit i pëlqejnë shumë, madje edhe në çmime nuk i kemi të shtrenjta, mund t’I blejnë të gjithë.” – thotë njëra nga zonjat e fshatit.
Sportet ujore në lumin shkumbin deri edhe tek pikturat në natyre ishin nje pjesë tjetër interesante e këtij viti. Mundësi që zona i ofron për turizëm disa stinor. Zbukurim i festës kanë qënë dhe motoristet e ardhur nga juglindja.
“Packrafting është një sport i ri që po zhvillohet në vendin tonë, një ndërthurrje mes hiking dhe lundrimit në lumenjtë e vendit. Mokra ka mundësi për këtë sport pasi ka lumin Shkumbin. Është një sport i ri, me adrenalinë dhe që pëlqehet nga të rinjtë.” – tregon Gani Bego.
“Kemi sjellë të rinj për të pikturuar në këtë festë, për të njohur edhe historikun e kësaj zone, të pavizituar nga të rinjtë e qytetit të Pogradecit. Jemi duke e zbuluar historikun bashkë me peizazhin. Sigurisht që vlen kjo festë, për të njohur më tepër qytetin tonë por edhe veten tonë si pogradecarë.” – thotë Julika Gjyla.