Të dashur malësor,
Të dashur demokratë të qarkut Shkodër,
Vëllezër e motra,miq e dashamirës të vlerave!
Dua të ndaj me ju vendimin tim për të shpallur kandidaturën time në Primaret e Partisë Demokratike.

E marr këtë hap të madh, si një sfidë personale, por dhe si një detyrë morale që kam ndaj secilit prej jush dhe Malësisë time, që ta përfaqësoj denjësisht, por dhe si intelektuale dhe kontribuese në jetën politike, shoqërore dhe artistike të veriut, e ndjej detyrë shpirtërore të bëhem zëri i njerëzve me vlera, i njerëzve patriot që e duan Shqipërinë mbi gjithçka , por dhe e njerëzve që nuk kanë zë…
Së bashku kemi zhvilluar një rrugëtim politikë tejet të vështirë, kemi thyer tabu, kapërcyer barrjera, e kemi hapur një rrugë të re, nga ku mund të ecin krenare; vlerat fisnike, vlerat morale, pastërtia e shpirtit, parimet demokratike, qendresa e njerëzve që nuk dinë të dorëzohen kurrë!

Së bashku luftuam të gjitha betejat për ta mbrojtur Partinë Demokratike, e rithemeluam dhe besuam tek kauza e drejtë dhe mbajtëm lartë moralin e njerëzve, që i kanë dhënë shpirtin e tyre të gjitha kauzave jetike për vendin, frymë dhe dashuri njerëzore.
Pas vështërsive vjen lehtësimi,besoni miq, se nuk ka natë aq të gjatë dhe të errët sa të ndalojë lindjen e dielli, ndaj dhe fitorja jonë është e pashmangshme.
Jemi në momentin e të vërtetës ku koha i dha të drejtë Berishës, por edhe të gjithëve ne, që i besuam kauzës tonë të përbashkët.
Ndaj dua t’jua kërkoj mbështetjen të gjithëve ju demokratë, që më keni ndihmuar të rritem politikisht, t’ju bëj krenare dhe kësaj here.
Me besimin në Zot dhe duke u mbështetur fort në familje, tek rrënjët tona, të gjithë së bashku do të ia dalim ta bëjmë Partinë Demokratike fituese dhe shpresëdhënse për të gjithë shqiptarët!