Me rastin e 8 Marsit / Përtej emancipimit të gruas shqiptare , të bëjmë emancipimin e vetes

0

Nga : Namik Selmani

Përtej luleve , urimeve , dritave për gratë e nënat tona është pak a shumë e djeshmja e tyre natyrisht edhe e ardhmja e tyre . Është ajo fjalë EMANCIPIM që e përdorim në shkrimet publicistike , por që  në një gjuhë më të thjeshtë me letrare do ta quaja një lloj përtëritje të shoqërisë , pse jo , dhe të vetvetes .

Edhe tash nuke e beson . E di. Të gjithe e dimë.  Bashkë me botën, prej shumë vitesh bëmë një festë për vajzat, nënat, motrat e gjyshet tona që është 8 Marsi. Në  Amerikë  është  8 maj. Kot e kanë se asnjëherë  nuk ka ditë  të  veçantë  për nënën. Të gjitha ditët janë  8 mars, 8 maj apo … Ia gjetëm një ditë në prag të një pranvere shqiptare që vjen me lule me shpërthim blerimi me mugëllimën e filizëve të bimëve. Me fytyrëkuqjen që jo gjithmonë e kemi dashur për të na ka ardhur deri në ditët tona një urti dashakeqe gati vrastare popullore: “Kur lindnin vajzat, qanin dhe trarët e shtëpisë”. Besojmë se ka ikur ajo kohë. Mbase nuk do të vijë më kurrë. Kemi bërë kuvendet, po nuk i kemi thirrur t’i dëgjojmë. Ato kanë qenë larg. Rrinin diku te kuzhina, mes tymit që lëshonte zjarri, në grykën e furrave ku piqeshin bukët, ku përgatitnin bukën ku ndiznin furrat ku mbusheshin e zbrazeshin gotat e rakisë që rrufiteshin me shumicë në odat e burrave. Ato ujdisnin zahiretë e dimrit. Dikur në disa vende (besoje, o njeri!) për hir të mikpritjes, gruaja e shtëpisë do të vinin të lanin dhe këmbët e mikut edhe pa e njohur fare atë. Mjaft që kishte ardhur në kulmin e shtëpisë. I besuam lindjen e fëmijës dhe për shumë vite i vlerësuam virgjërinë femërore. Aq sa dhe në sofra tryeza mund të besoheshim nëse do të betoheshim “Për nder të familjes!” I besuam natën e fundit të të vdekurit. Të atij të dashuri që ikte mes lotëve të grave të veshura me rroba të zeza si pendët e korbit aq sa dhe leksiku u shtua me një fjalë të tillë “korbëzeza”. I besuam ninullat mbi djepe e fjalëëmblat e tyre. E ka qenë dhe mbeten ligjërimet më të rralla të lirikës popullore. I besuam furkën e leshit dhe gjilpërën e qepjes dhe të qëndisjes . Ia pamë në dyert trikot e leshta që viheshin në trupat tanë të djersitur apo dhe të çorapeve që visheshin para se të merrnin udhë të largëta. I besuam tavolinën e bukës. Atje ku urimi ulet këmbëkryq. I besuam urimin e dasmës, të synetit, të bekimit, të emrit të një fëmije të lindur..I besuam kollaren e dhëndrrit si motër, si nënë si kushurirë. I besuam, rrobat për t’i larë qoftë dhe me hirin e vatrës që vihej në ujë për ta përgatitur pas disa ditëve. Dhe ata u kërrusën bukurisht në peshën e furkës dhe të govatës. U kërrusën para fëmijëve tek u jepnin sharmin hyjnor për t;i rritur ata sa më të shëndetshëm. Dhe ato më të pagjumat e shekujve kalonin netët mbi një fytyrë fëmije. Bëmë pajtimet e gjakut pa i futur në pjesë të mençurisë sonë. Ato duhet të ishin në gatishmëri për të na bërë vetëm Drekën e Pajtimit.

Jo rrallë shkuam dhe shkojmë ende në një strehë shtëpie në një pus të harruar në një vend të fshehtë që e di vetëm ai që e ka vënë e marrim një pushkë, një çifte e e pa leje shteti, një automatik, një revole, mbase edhe një sëpatë që të godasim atë që na shikonte qoftë edhe me sy pak të veçantë shoqen, vajzën, gruan. Ehhh! Psherëtima është pak për atë moment.

I besuam Filxhanin e falltores e në kohët moderne atë të orakujve të së nesërmes. U befasuam me mirësinë e tyre. Pse jo, dhe me mallkimet e tyre që dilnin nga një zemër nëne. E morëm nusen nga larg. Herë të hipur mbi kuaj kur nuk harruam që të vinim dhe një shami dasme me lule. Herë i hipëm dhe në qerre. Në kohët moderne i hipëm në makinat më luksoze të kohës. Dikush kthehet me pajtonët e dikurshëm. Stisëm këngë nga më të bukurat ku natyra na ka kardhur në ndihmë me atë ngjyrëndezje që ka në të gjithë stinët. Bëmë pushtet aq sa mundëm, por gati asnjëherë nuk i vumë në rolin e kryeplakut. Rrallë shumë rrallë në atë të kryemimistres të paktën Shqipëria nu e ka provuar. Jo, nuk ia besuam atë detyrë. Dhe as që do t’ia besojmë në vite me këtë mentalitet që kemi. Madje dhe në kohët moderne kur ajo, vajza, gruaja, kishte e ka një mençuri dhe arsim më të plotë se burri, sërish nuk e vumë. Bëmë bashkitë, por prapë me gishta numurojmë gra-krypleq me një vulë fshati në një zyrë apo në një xhep. Me gishta numurohen sot dhe kryetarët e bashkisë. Qoftë dhe deputetete. Të gjithë ia pranojmë forcën, hiret, mençurinë, finesën, por prapë shpesh atë e shohim si kukull në ditënetët e jetës sonë. U ulëm në gjunjë para tyre si nënë. Edhe kur u bëmë mëkatarë para të tjerëve. Edhe Timur Lengu u ul dhe u vra jo nga mijëra djem nënash që qanin për mizoritë e tij, por nga vetë nëna e tij që i dhimbte ulurima e atyre jetimëve. Kur nxitojmë udhëve të kurbetit, të fundit që na mbetet në sy dhe në buzët e dridhura nga ai emocion i madh është ajo e nënës, e motrës, e gruas. Në valixhet tona që dikur ishin kuleçët e ngrohtë disa petulla, me djathë që na rrinin në to për t’i ngrënë në urinë e madhe që të japin rrugët e largëta/. Me lotët e nënave shqipe bëmë AJKUNAT, ROZAFAT, DHOQINAT. A ka Dhimbje më të madhe se ajo e Ajkunës në eposin botëror?A ka pabesi më të madhe dhe një forcë kaq e madhe shpirtërore se ajo e Rozafës? Dikur i veshëm rrobat e ushtarit. Për një luftë që kurrë nuk erdhi. O, sa energji morën udhët e stërvitjes ushtarake ku ato mund të rrinin në auditore universitetesh! Pse jo, dhe në garat e bukurisë. Ngritëm për to industri të tëra për parfumet, sandalet, krëhërat, karficat, byzyluqet, unazat, për rrobat, për sfilatat e tyre maramendëse e prapë pamë se diçka na mungonte. Prapë mes egos sonë vetanake, para tyre patëm e kemi një frikë të brendshme që është nga njëherë përtej asaj që ato rrezatojnë. Mbase egoja e burrit.? Mbase tradita e varfër e mirënjohjes dhe e vlersimit për të? Të gjitha mund të jenë. Mbase në këtë është frika, ajo frika e asaj fjalës që mësohet që në fëmijëri: “IMJA”. Fjala “e imja” që ndan familjen, shoqërine, miqësinë, kombin etj, Fjala që sjell luftrat, krizat, varfërinë ku sigurisht komandatë janë burrat dhe kjo sepse gruaja nuk lejohet të jetë atje ku duhet.  Ia pamë ehon e shpirtit në poezi, në dramë në roman. Një letërsi feministe mbetet sa e virgjër aq dhe borxhlinj ndaj jetës së saj dhe shoqërisë. E prapë të gjithë artistët tanë nuk e kursyen vargun e tingullin, ngjyrën e daltën. Mirë bëmë. Mirë duhet të bëjmë dhe më tej. Sërish 8 Mars.8 Maj a .. 23, 18, 15  Dikur në lokalet e mbushur me lule pije çokollata me hire të shumta festohet. Mes kësaj lumturie që na jep prania e një vajze, e një gruaje, e një nëne, e një gjysheje sikur e harrojmë kurorën që asaj i takon jo vetëm në këtë ditë të fillimit të pranverës, por në të gjithë ditët e vitit. E ne, të gjithë, por dhe ata që vijnë më pas, duhet të themi me plot zë se çdo ditë e vitit duhet të ketë Monumentin e Urimit për nënat, motrat, vajzat tona. Flasim shumë për të drejat e gruas në gazeta, internete, në tribuna paralemntare madhe bëjmë edhe ligje për barazinë gjinore që shumë herë mbeten aty ku janë shkruar. Madje kemi nisur që të bëjmë dhe antologji kudo ku ka shqiptarë,. Po me një zë duhet të emancipojmë veteveten kur të flasim dhe të shkruajmë për të. Që 8 Marsi të jetë në  çdo ditë të vitit po kaq triumfues i bukur, i lulëzuar, i dritëzuar. Ata që  nuk i kanë nënat e gratë, i urojmë të  jetojnë  gjatë që  të  rrëfejnë  sa më  shumë  për to. Besomëni se ato do të  ringjallen sa herë  që  ju ta bëni një  gjë  të tillë  Besomëni, për besë  të  fjalës!

Boston , mars , 2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.