Nikollë Nikprelaj
Lahuta është memorie shekullore e breznive arbërore – shqiptare, është gjëmë e shekujve të qëndresës sonë, është trimëri, kryengritje, është mburrje dhe lartësim i betejave të fituara ndër shekuj. Nuk ma merr mendja së ka pasur një shtëpi në Malësi e që lahuta nuk ka qenë e varur në muret e sajë, në ballë të vatrës ku shëmbëllente lashtësinë e identitetit tonë, pavarësisht së a kishte apo nuk kishte lahutarë në atë shtëpi. Konkretisht në shtëpinë time nuk ka pasur lahutarë nga paraardhësit e mi, por lahuta ka zënë vendin më të rëndësishëm në murin e odës sonë, aty ku pritnim mysafirë.
Mbrëmë me 17 maj 2022, në Shtëpinë e Kulturës në Tuz, u organizua “Festivali i Lahutës”, edicioni IV “Lahuta, Okarina, Polifonia”. Që nga titulli në pankartë, duket të jetë një ambicie e dëshirave të njerëzve për të bërë diçka në fushën e kulturës, por jo e konceptuar në mënyrë profesionale për të na sjell një ngjarje kulturore të traditës ashtu siç e meriton lahuta dhe malësorët e Malësisë heroike. Për ketë lloj organizimi mora vesh dy ditë para së të mbahej, ku edhe kjo më bëri të dyshoj për një organizim jo si duhet të këtij festivali. Dua të vij u thashë, për Lahutën dhe malësorët e mi fisnik. Dhe shkova… Që në fillim pash një skenografi joadekuate për këtë aktivitet, një zërim që nuk plotësonte kërkesat e pjesëmarrësve në skenë dhe një sallë me fare pak publik. Krejt kjo artikulohej si një organizim i çakorduar. Për të mos u zgjatur shumë e përcolla me vëmendje këtë farë “festivali” e që nuk i kishte nivelet as të një ndeje mbas darke! Ne fakt pritshmëritë e mia kaq ishin, duke pasur parasysh se organizatorët e këtij “festivali” nuk e njohin, andaj nuk kanë as si ta duan lahutën. “Të jesh malësor dhe të mos e njohësh lahutën domethënë të mos e duash atë”, thotë Malësia! Unë personalisht gati një gjysmë shekulli, mes tjerash jam edhe lahutar! Si lahutar kam interpretuar kudo ka shqiptar nëpër botë dhe jam mirënjohur me mirënjohje të ndryshme dhe duartrokitje, të cilat për mua kanë qenë dhe janë mirënjohja më e madhe. Kam qenë, jam dhe do jem gjithmonë i gatshëm të jap kontributin tim në Tuzin tim e jo vetëm, por për këtë festival mora veshëdy-tre ditë para mbajtjes së tij, nga rrjetet sociale dhe kjo më dëshpëroi shumë! Në fushën e kulturës, institucionet tona nuk po e japin provimin! “Nëse do të kuptosh së si e ka shtëpinë filani, shko shikoja oborrin”, thotë populli ynë i urtë?! Me bindje te plotë pohoj së: Kultura është Oborri i një populli. Në fakt e dija së si do jetë ky festival. Edhe kaq pak lahutarë sa ka Malësia sot, mungonin: Arton Nikprelaj, i riu ynë, që për fat të keq është i vetmi nga këto anë që interpreton shumë mirë me Lahutë. Legjenda e gjallë dhe idoli im i lahutës Jonuz Delaj, ishte prezent por për shkaqe shëndetësore interpretoi jo drejtpërdrejt, por në playback. Dy lahutarët nga Kosova: Isa Elezi dhe Hysen Kurtaj bënë një përformancë të lavdërueshme, por për fat të keq ky i fundit, Hyseni (mbi 70 vjeç) gati e theu qafën duke rënë me kokë poshtë nga një lartësi prej rreth një metër e gjysmë nga një skenë e vogël e improvizuar për faqe të zezë. Lahutarët përformuan pothuajse për karrige – pa shikues. Mund të kenë qenë rreth 30 persona nga të cilët gjysma ishin punonjës komune. Po të kishte qenë ndonjë joshqiptar aty prezent, mendoj se do t’i gëzohej zemra nga ky i ashtuquajtur festival i lahutarëve shqiptarë. Ku janë gazetarët tanë? Ku janë kritikët tanë?Unë kam një përgjigje së ku janë ata: E kanë frikë partinë… Unë nuk kam frikë asnjë parti. Partia ime është kultura dhe populli të cilit të cilit i përkas! Mos ardhtë dita kurë Malësinë e udhëheq dikush që nuk është malësor, por ardhtë dita kurë Malësinë ta udhëheqin ata malësorë të cilët kanë për interes jo një grusht njerëzish luajal e që keqpërdoren lehtësisht, por që kanë prioritet të mirat shoqërore të vendit të tyre. Dikush mund të thotë:pse Nikollë bën kritika e nuk rri rehat sikur të tjerët? Unë gjithmonë e kam thënë dhe do ta them të vërtetën, e kush të hidhërohet le të zbathet vetë!? Heshtja është pohim. Nuk mundem të hesht. Ndihem shumë i fuqishëm sepse e dua dhe më don Malësia. Politikanët shkojnë e vijnë. Unë nuk shkoj e vij, por jam këtu e do të jem krenar bashkë me Malësinë time!